Mesazhi i U.D. të Presidentit të Republikës, dr. Jakup Krasniqi drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës me rastin e përfundimit të vitit 2010

Shteti i pavarur, sovran e demokratik i Kosovës është vepër e juaja, është kurorëzim i përpjekjeve e flijimeve shekullore të brezave të saj vetëmohues. Mbi këtë bazë fitoresh, më 2010 ne qytetarët dhe institucionet e Kosovës, e përparuam vendin tonë drejt zhvillimit e mirëqenies, drejt objektivave historike të hyrjes në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara dhe drejt integrimeve euroatlantike.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës

Jemi në përfundim të një viti të rëndësishëm për Kosovën. Viti 2010  vulosi ndërkombëtarisht të drejtën legjitime të Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe sovran. Gjatë këtij viti Kosova vazhdoi reformat në jetën institucionale, shënoi një zhvillim solid ekonomik e shoqëror dhe ngriti një infrastrukturë të tërë ligjore e fizike. Ky vit inauguroi punimet në segmentin Vërmicë-Merdarë të Autostradës së Kombit, e cila do të shërbejë edhe si një arterie e rëndësishme ndërkombëtare.  Në vitin që po lëmë, Kosova e ngriti në nivele të reja dhe më të larta pozitën e saj në rajon dhe subjektivitetin ndërkombëtar në përgjithësi. Kemi arritur shumë rezultate, fryt i përpjekjeve të qytetarëve dhe institucioneve të shtetit tonë, por edhe të partneritetit me miqtë e shumtë, prandaj kemi arsye të krenohemi, të festojmë e të urojmë në këtë ndërrim vitesh.

Të  nderuar qytetarë

Shteti i pavarur, sovran e demokratik i Kosovës është vepër e juaja, është kurorëzim i përpjekjeve e flijimeve shekullore të brezave të saj vetëmohues. Mbi këtë bazë fitoresh, më 2010 ne qytetarët dhe institucionet e Kosovës, e përparuam vendin tonë drejt zhvillimit e mirëqenies, drejt objektivave historike të hyrjes në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara dhe drejt integrimeve euroatlantike.

Qytetarë të dashur

Në vitin 2011, Kosova ka shumë projekte për të realizuar dhe shumë sfida për të përballuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim  që viti 2011 t’i sjellë Kosovës institucionet përfaqësuese dhe ekzekutive, të ngritura sipas vullnetit të votuesve të saj, të konsolidojmë sistemin demokratik, të sigurojmë sundimin e plotë të ligjit dhe të përmirësojmë jetën e qytetarëve.  Kam besim të plotë në vullnetin dhe energjitë e vendit tonë, në shpirtin tonë atdhedashës, në dijet dhe  gjithë potencialin pozitiv për të ecur përpara drejt sukseseve të reja e të pandalshme, që i meritoni ju, që i meritojnë fëmijët tanë të bukur, që i meriton Republika e Kosovës.

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës


Në këtë festë tradicionale u drejtohem gjithë qytetarëve të Kosovës brenda e jashtë atdheut, pa dallim kombi, gjuhe dhe feja, të gjithë qytetarëve të fshatit e të qytetit, burrave dhe grave, të vjetërve e të rinjve, intelektualëve, studentëve e nxënësve, mësuesve, administratës shtetërore, policëve e ushtarëve, mjekëve dhe punëtorëve socialë, familjeve të dëshmorëve e të martirëve, veteranëve të Lëvizjes Kombëtare, invalidëve të Luftës çlirimtare, familjeve në asistencë sociale, të hendikepuarëve dhe pensionistëve, gëzuar Vitin e Ri 2011! Uroj që ky vit të sjellë suksese, shëndet, punë e mirëqenie për secilin e në çdo familje të Kosovës. Urimet tona më të mira shkojnë gjithashtu edhe për gjithë prezencën ndërkombëtare në Kosovë, për ushtarët dhe oficerët e KFOR-t, për EULEX-in, me të cilët ndajmë sukseset e të arriturat tona të përbashkëta, për përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, për përfaqësuesit diplomatikë, agjencitë e OKB-së, për donatorët e mbështetësit e shumtë, investitorët e huaj etj.

Qytetarë të dashur,

Uroj që tryezat e çdo familjeje të Kosovës të jenë më të pasura, që fytyrat tona të jenë më të qeshura, që besimi në fitore në çdo sfidë të jetë i paluhatshëm, jo vetëm ne rast festash, por, për çdo ditë të vitit 2011 dhe përtej tij, në perspektivën tonë të ndritshme e të sigurt!

Gëzuar!