Mesazhi i Presidentit të Republikës së Kosovës për 12 Qershorin, Ditën e Lirisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, u ka drejtuar qytetarëve të vendit një mesazh me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Lirisë. Më poshtë po e japim tekstin e plotë të mesazhit:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Po mbushen nëntë vjet nga dita kur më 12 qershor 1999 Kosova doli e lirë, pas një periudhe të gjatë sundimi të huaj e okupimi të egër. Lufta jonë për liri e pavarësi arriti kulmet në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Fundi i shekullit dhe i mileniumit të kaluar shënoi fundin e traumës historike dhe agimin e lirisë e të pavarësisë sonë. Në momentet e liga të barbarisë që kishte rënë mbi ne, në krahun tonë dhe në zemrat tona u gjetën NATO-ja dhe miqtë e lirisë e të dinjitetit njerëzor nga të katër anët e globit.

Lirinë dhe pavarësinë de facto i kishim nga 12 qershori i vitit 1999, dita e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, deri më 17 shkurt 2008. Pavarësinë e kemi edhe de jure nga kjo ditë, kur e shpallëm Kosovën Republikë të pavarur dhe sovrane, në bashkërendim me aleatët tanë historikë, me vendet e Unionit Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lirinë dhe pavarësinë i kemi fituar me përpjekje dekadash, që kanë shkuar nëpër shumë rrugë: me sistem arsimimi e kulture, me luftë politike e me luftë me armë, të cilat në kujtesën tonë historike janë sublimuar te Presidenti historik Ibrahim Rugova dhe komandanti Adem Jashari.

I gjithë populli ynë ka ndërtuar lirinë për çdo ditë e javë, për çdo muaj e vit të periudhës moderne të historisë sonë. Lirinë po e ndërtojmë edhe sot, kur kemi krijuar shtyllën kurrizore të shtetit të Kosovës, me Kushtetutën dhe me simbolet shtetërore. Himni i Republikës, i miratuar në vigjilie të përvjetorit të nëntë të Ditës së Lirisë, është një moment kumbues për historinë moderne të vendit tonë.

Më shumë se të tjerët, për lirinë që e kemi sot, dhanë luftëtarët e lirisë e të pavarësisë, që punuan me ideal për ta parë ditën e sotme. Një pjesë e këtyre burrave e grave nuk pati jetë për ta parë misionin e përmbushur. U falemi përjetë këtyre luftëtarëve! U falemi përjetë atyre që kanë rënë në altarin e lirisë, duke bërë flijimin më sublim!
 
U falemi nga zemra sot, në Ditën e Lirisë sonë, edhe miqve tanë, që, si pjesë e aleancës më të madhe politike dhe ushtarake në histori, NATO-s, na dolën në ndihmë për të hequr makinerinë vrastare të Serbisë në pranverën e vitit 1999; na shpëtuan nga politikat gjenocidale që rrezikonin vetë ekzistencën e popullit tonë.

Pjesëtarët e KFOR-it janë të dashur për këdo në Kosovë, sepse ata simbolizojnë uniformën e paqes e të lirisë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie etnike.

Qytetarë të nderuar të Republikës,

Në këtë qershor historik për Kosovën, ne kosovarët, shqiptarët shumicë dhe të gjitha pakicat, mbesim të përkushtuar ta kultivojmë lirinë që u shërben të gjithëve.

Fryma e lirisë ndër ne krijon rrethanat për zhvillim social e ekonomik, për prosperitet të të gjithëve, për integrim në familjen e madhe të kombeve të lira.

Në Ditën tonë të Lirisë, riafirmojmë përkushtimin tonë që, si shtet i pavarur e demokratik, i njohur nga dyzet e sa shtete, duke përfshirë edhe 7 nga 8 vendet më të industrializuara të botës, Kosova të hyjë në proceset integruese në strukturat euro-atlantike, me të cilat na lidh respekti për vlerat fundamentale të lirisë e të dinjitetit njerëzor.

Prandaj, sot, më 12 Qershor, në këtë ditë të lirisë e të paqes, kemi veçse fjalë miradie për miqtë tanë, miqtë e popullit tonë, të Republikës, që edhe sot e tutje janë me ne: në radhë të parë NATO-ja/KFOR-i dhe prania e re ndërkombëtare civile.

Gëzuar të gjithëve Dita e Lirisë, dita e falënderimit tonë të madh! Rroftë Republika e pavarur e Kosovës!