Mesazhi i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu me rastin e 2 Korrikut, Ditës së miratimit të Deklaratës Kushtetuese për pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ka dhënë këtë mesazh me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990. Më poshtë po e japim tekstin e këtij mesazhi:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Miratimi i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shënoi hapin e parë institucional të procesit të gjatë për pavarësinë e Kosovës. Kjo deklaratë qe moment kthese në historinë më të re të Kosovës, sepse ishte akti i parë i artikulimit të qartë të vizionit dhe të vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. Prandaj, 2 Korriku i vitit 1999 do të kujtohet gjithmonë si datë që sublimon përpjekjet e pareshtura të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, bashkë me aktet e tjera që e pasuan, e që po kështu janë me rëndësi jetike për Kosovën, si Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për pavarësi, shenjojnë kthesën historike në përpjekjet tona të gjithanshme për liri në dekadën e fundit të shekullit XX. Këto akte u shndërruan me kohë në busull të Lëvizjes sonë paqësore politike, të udhëhequr nga Presidenti vizionar i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Por, po këto akte qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave dhe flijimeve të luftës së armatosur për çlirim.

Mundi dhe puna shekullore e qytetarëve të Kosovës u kurorëzuan përfundimisht sivjet, me shpalljen e Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës. Përderisa më 2 Korrik 1990 u argumentua vendosmëria e popullit të Kosovës për ndërtimin e së ardhmës së vet, për ndërtimin e shtetit të Kosovës, më 17 shkurt 2008 ëndrra e qyterarëve të Kosovës u përmbush me shpalljen e pavarësisë dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës, e cila tashmë është njohur nga 43 shtete anëtare të OKB-së, nga pjesa dërmuese e vendeve të Bashkimit Evropian dhe nga shtatë vende të G8-tës.

Ndërkohë që Republika jonë pret njohje të reja, institucioneve tona, sidomos pas miratimit të Kushtetutës, iu krijuan mundësitë që të punojnë me tërë kapacitetin e tyre për ta përmirësuar mirëqenien e qytetarëve tanë, për ta ngritur standardin e përgjithshëm të jetës në vend dhe për të siguruar që në shtetin tonë, të gjithë qytetarët do t’i gëzojnë të drejtat e veta, do të trajtohen njësoj para ligjit dhe do të kenë mundësi të barabarta për të pasur një të ardhme të prosperuar.

Jetësimi i idealit suprem të bërjes së shtetit të Kosovës na obligon që edhe në të ardhmen, si gjithnjë deri më tani, të tregojmë durim, maturi qytetare dhe institucionale, me qëllim që integrimi në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë të arrihet sa më shpejt.

Në këtë ditë të rëndësishme u shprehim mirënjohjen tonë delegatëve të Kuvendit të 2 Korrikut, të cilët, së bashku me lëvizjen politike demokratike të asaj kohe, në kushte tepër të rënda, me vendimet e tyre të guximshme i hapën Kosovës rrugën e saj të mëvetësisë.