Mesazhi i Presidentit Sejdiu në nëntëvjetorin e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s për lirinë e Kosovës

Në nëntëvjetorin e ditës së fillimit të fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë e në Serbi, 24 marsit, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, u është drejtuar me një mesazh qytetarëve të vendit. Tekstin e këtij mesazhi po e japim më poshtë:

Qyetarë të nderuar të Republikës së Kosovës

Më 24 mars 1999, Aleanca më e fuqishme ushtarake në historinë së njerëzimit, NATO-ja, e nisur nga ideja humane për shpëtimin e popullit të Kosovës kur këtij i kanosej gjenocidi dhe zhbërja fizike, i filloi sulmet ajrore kundër forcave serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Sivjet, kjo datë e rëndësishme e historisë moderne të Kosovës, e gjen vendin tonë me ëndrrën e përmbushur të shumë e shumë brezave - me Republikën e pavarur e sovrane të Kosovës, tashmë të njohur zyrtarisht nga vendet më të mëdha të demokracisë botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet kryesore të Bashkimit Evropian, si dhe shumë shtete të tjera anekënd globit.

Duke e kujtuar këtë datë të rëndësishme të historisë sonë më të re, ne nderojmë kujtimin e të gjithë atyre që u flijuan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Në këtë ditë të shënuar, ne e kujtojmë me pietetin më të lartë burrështetasin e parë të Kosovës, Presidentin tonë historik dr. Ibrahim Rugova. Me udhëheqjen dhe vizionin largpamës të tij, vendi ynë krijoi kulturën shtetformuese dhe struktura shtetërore në rrethana pothuajse të pamundshme. Duke ndjekur politikën e tij bëmë miq në shumë anë të botës, të cilët i dolën në ndihmë Kosovës në orët më të liga të barbarisë që përjetoi vendi ynë në fund të shekullit të kaluar.
 
Në këtë ditë, në nëntëvjetorin e 24 marsit të vitit 1999, i kujtojmë me nderim të veçantë të gjithë luftëtarët e lirisë të Kosovës, luftëtarët e UÇK-së, emblemë e së cilës u bë Komandanti Adem Jashari, një organizim ushtarak në rrethana krejt të veçanta në kulmin e rezistencës totale të popullit të Kosovës kundër okupimit serb. Do t’u jemi mirënjohës për jetë e mot oficerëve e ushtarëve të vendeve të NATO-s që morën pjesë në aksionin 78-ditësh për të ndalur agresionin ushtarak e paraushtarak të Serbisë kundër popullit të Kosovës.

Në këtë ditë të shënuar, ne u shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë SHBA-ve, BE-së dhe të gjitha vendeve të tjera të botës demokratike, që e ndihmuan Kosovën atëherë kur popullit tonë i kanosej shfarosja dhe që po e ndihmojnë edhe sot në procesin e konsolidimit shtetëror e demokratik, në përqafimin ndërkombëtar të Republikës sonë, që është parakusht për integrimet e mëtejshme të Kosovës në familjen e gjerë euroatlantike.

Zoti e bekoftë NATO-n!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj!