Mesazhi i Presidentit Sejdiu me rastin e zgjedhjeve në balotazh të 13 dhjetorit

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Këtë të diel, më 13 dhjetor, në vendin tonë organizohet balotazhi i zgjedhjeve për kryetarë të 21 komunave të Republikës së Kosovës. Kështu, edhe do të përmbyllet procesi zgjedhor për pushtetin lokal, i pari pas pavarësisë së vendit.

Këto zgjedhje janë të rëndësisë së veçantë për Republikën e Kosovës, sepse janë organizuar nga institucionet vendëse, me monitorim dhe përkrahje ndërkombëtare.

Më 15 nëntor, Kosova ka kapërcyer në mënyrë të suksesshme një sprovë të madhe dhe kjo është meritë e të gjithë atyre që ishin të përfshirë në këtë proces – e qytetarëve pa dallime etnie, e subjekteve politike dhe e institucioneve të tjera, të cilat punuan për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të para lokale në shtetin tonë sovran dhe të pavarur.

Këto zgjedhje kanë forcuar imazhin e mirë të proceseve elektorale të organizuara pas luftës në Kosovë, si dhe kanë ridëshmuar vizionin e Kosovës për artikulimin e vlerave më të larta demokratike.

Ndaj, si president i vendit, ju ftoj që edhe këtë të diel të dilni në vendvotime dhe të përcaktoni me votën tuaj se kush do t’ju prijë në katër vjetët e ardhshme në komunën tuaj.

Duke votuar ju ndikoni drejtpërdrejt në cilësinë e qeverisjes së mirë dhe të jetës në komunën tuaj!

Urime dhe fat!