MESAZHI I PRESIDENTIT SEJDIU DREJTUAR QYTETARËVE ME RASTIN E FESTËS SË VITIT TË RI

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, u është drejtuar qytetarëve të vendit me një mesazh urimi për Vitin e Ri 2009. Më poshtë po japim thekse të zgjedhura nga ky mesazh, i cili do të jepet i plotë nga tri televizionet nacionale të Kosovë, RTK, RTV 21 dhe KTV:

Qytetarë të dashur të Republikës Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

 
Viti 2008 hyri në histori si Viti i Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kjo ëndërr e ky përcaktim yni i hershëm u realizua më 17 shkurt 2008, ditën kur Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli pavarësinë dhe sovranitetin e vendit tonë. Kjo ditë e bekueme dhe viti 2008 do të mbeten përherë shenjë reference dhe identiteti e shtetit të Kosovës.
Sot ne jemi zot në vendin tonë. Paqja, dinjiteti dhe mbarësia dikur ishin lutje, ndërsa tani janë realitet yni.
Në këtë fundvit, shpreh falënderimet më të thella për gjithë atë që dhanë qytetarët e vendit tonë të dashur, kudo që janë, në Kosovë, në Evropë, në Amerikë dhe në botë.
Me respekt të thellë e kujtim të përhershëm edhe në këtë natë, të nderojmë dëshmorët dhe familjet e tyre. Të mendojmë për më të dashurit që na mungojnë dhe që e deshën mbi të gjitha lirinë e ardheut.
Vendi ynë deri tani është njohur nga 53 shtete anekënd botës. Bota demokratike e liridashëse e pranoi dhe po e pranon shtetin tonë të ri.
Vendet aleate vazhdojnë të qëndrojnë me ne, duke na dhënë forcë për përballimin e sfidave të shumta me të cilat ballafaqohemi në këtë proces  shtetndërtimi. Mbështetja e tyre është jetike dhe ne e ritheksojmë mirënjohjen tonë të thellë për të gjitha ato vende që na u gjetën pranë edhe në çastet më të liga të historisë, po edhe në ditët e gëzimit të lindjes së shtetit tonë të ri. 
Ndonëse të gjithë e dimë se pavarësia është çështje e ekzistencës sonë, asnjëherë nuk kemi pohuar se me shpalljen e saj përnjëherësh do të marrin fund vështirësitë tona politike, ekonomike e sociale. 

Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se fqinji ynë verior, Serbia, do të vazhdojë të na provokojë dhe të punojë kundër nesh kurdo e kudo që t’i jepet mundësia. Mirëpo, jemi po ashtu të vendosur që retorikës së ashpër të Beogardit zyrtar t’i përgjigjemi me ofertën tonë të sinqertë për frymë të re bashkëpunmi e fqinjësie të mirë në mes dy vendeve tona sovrane, në mënyrë që rajoni ynë, më në fund, të shmanget nga politika e konfrontimit me njëri-tjetrin dhe ta përmbyllë me sukses procesin e pakthyeshëm të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
 
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
 
Viti që po e lëmë na dha kënaqësinë se u krijuan biznese të reja, u shënua rritje ekonomike, u ndërtuan shumë rrugë e shkolla, që po  zgjerojnë faqen e perspektivës së qytetarit tonë. Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se na duhet ende shumë punë që qytetari ynë të jetë më i pasur dhe më i lumtur. Duhet të bëjme ende më shumë në arsim, shkencë, kulturë e shëndetësi. Të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët. T’u jemi më afër dhe të investojmë më shumë për fëmijët dhe të rinjtë.

Në aspektin ekonomik, besojmë që Qeveria e vendit, së bashku me institucionet, organizatat dhe me bizneset, do të punojnë edhe më shumë për t’i përballuar sfidat e shumta, me të cilat mund të ndeshemi vitin që vjen, aq më tepër kur kriza ekonomike ka prekur edhe vendet më të fuqishme të globit.

Njëherësh, jemi të bindur se secilin cent të ndihmës së ofruar nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën, nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vendet e tjera, institucionet tona do ta shfrytëzojnë me përgjegjësi të lartë, në mënyrë që ato mjete të japin rezultate të prekshme për ekonominë e vendit dhe për përmirësimin e jetës së çdo qytetari.  

Në këtë çast kremteje, i bëj thirrje gjithë shoqërisë sonë që të jetë më afër njerëzve që u duhet ndihma, të cilët kanë nevojë për përkrahje, dashuri, dhe kujdes. Dora e ndihmës për këtë shtresë të qytetarëve tanë duhet të jetë përherë e zgjatur, që edhe ata të kenë mundësinë e qasjes dhe të kontributit të tyre në zhvillimet e përgjithshme të shoqërisë sonë.

Bashkëqytetarë të Republikës së Kosovës, uroj që viti 2009 t’ju sjellë ju dhe familjeve tuaja dashuri, mbarësi dhe paqe.   

Në fund, më lejoni që si President i vendit, i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, brenda e jashtë atdheut tonë të dashur, t’u shpreh edhe një herë urimet e mia të përzemërta!

Gëzuar Viti i Ri 2009! 

Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu