Mesazh urimi i Presidentit Sejdiu me rastin e Bajramit të Madh

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u ka dërguar një mesazh urimi të gjithë qytetarëve dhe besimtarëve të besimit islam me rastin e festës së Bajramit të Madh. Në mesazhin e Presidentit thuhet:

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,

Festën e Bajramit të Madh po e kremtojmë për herë të parë në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës. Në këtë ditë feste, shprehim nderimin tonë për të gjithë ata që me agjërim kanë kaluar një muaj nën shenjën e adhurimit të Zotit, nën shenjën e mirësisë dhe të përulësisë, të sakrificës e të gjendjes pranë njëri-tjetrit.

Duke e përsëritur falënderimin tonë të gjithmonshëm për miqtë tanë, që na u gjetën në orët më të liga të historisë, ritheksojmë vendosmërinë tonë për forcimin dhe sundimin e rendit dhe të ligjit në shtetit tonë, për krijimin e një mjedisi të qetë e stabil, në mënyrë që brezave të ardhshëm t’u krijojmë kushte më të mira për jetë dhe prosperitet në atdheun tonë të shtrenjtë.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!

Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu