Mesazh i Presidentit Sejdiu me rastin e festës së Krishtlindjes

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i përgëzoi besimtarët katolikë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Krishtlindjes, duke u shprehur atyre urimet më të përzemërta. Në këtë mesazh të Presidentit Sejdiu thuhet:

“Qytetarë të dashur të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj

Krishtlindja është dita e madhe e lindjes dhe e forcimit të besimit në Zotin. Ajo shënon ditën e paqes mes Zotit dhe njerëzimit, mes njerëzve dhe popujve të mbarë botës.

Meqenëse Kosova ndodhet në prag të përmbylljes së procesit të gjatë të mëvetësisë së saj, urojmë që festat e ardhshme t’i presim me njohjen edhe de jure të shtetin tonë të dashur, Kosovës së pavarur.

Gjithashtu, urime të përzemërta u shprehim komandantëve dhe ushtarëve të KFOR-it/NATO-s, përfaqësuesëve të UNMIK-ut dhe të OSBE-së, si dhe përfaqësive diplomatike në Prishtinë.
Urime dhe fat!

Prishtinë, 24 dhjetor 2007               

Me respekt,
Presidenti i Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu