Mesazh i Presidentit Sejdiu me rastin e 7 Shtatorit - Ditës së Kushtetutës së Kosovës të miratur në Kaçanik, më 7 shtator 1990

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu përgëzoi qytetarët e vendit me rastin e 7 Shtatorit, 18-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në Kaçanik.

Tekstin e këtij mesazhi po e japim në vijim:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Me rastin e 7 Shtatorit, në 18-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në Kaçanik, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.

7 Shtatori i vitit 1990 shënon një ditë të rëndësishme në historinë tonë më të re. Atë ditë u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila pasoi shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë më 2 Korrik të po atij viti. Bashkë me Referendumin për pavarësi, këto dy akte i vunë themelet e shtetit të Kosovës.

Kjo datë sivjet merr peshë të veçantë, sepse kremtohet në Rpublikën e pavur dhe sovrane të Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shumë vende të tjera të botës liridashëse e demokratike.

Kushtetuta e Kaçanikut mbetet në themelet e përpjekjeve për jetësimin e shtetit të Kosovës, si dhe bazament për ndërtimin e jetës demokratike të vendit. Më 15 qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila jetëson parimet dhe vlerat demokratike të popullit të Kosovës, të proklamuara fuqishëm edhe në Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990.

Prandaj, në këtë ditë të shënuar, e kujtojmë me respekt të veçantë sakrificën dhe përkushtimin e deputetëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, të cilët në rrethana të jashtëzakonshme e miratuan këtë akt dhe i vunë themelet e shtetësisë së Kosovës.