MESAZH I PRESIDENTIT SEJDIU ME RASTIN E 24 MARSIT – PËRVJETORIT TË FUSHATËS SË NATO-s

Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, u ka drejtuar sot qytetarëve të Kosovës një mesazh me rastin e 24 marsit – Ditës së fillimit të fushatës ajrore të NATO-s për mbrojtjen e Kosovës.

Më poshtë po e japim tekstin e mesazhit të Presidentit:

Fillimi i fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve serbe, pra 24 marsi i vitit 1999, paralajmëronte agun e lirisë për popullin e Kosovës, i cili po kalonte nëpër tragjedinë e vet më të madhe. Të keqes së Millosheviqit dhe përkrahësve të tij të shumtë në Serbinë që po zhvillonte luftën e katërt kundër fqinjëve të vet në ish-Jugosllavi po i kundërvihej aleanca më e madhe ushtarake që ka njohur njerëzimi.

Pas pothuaj tetë vjetësh në liri, Kosova është në prag të kurorëzimit të vullnetit të vet për pavarësi e sovranitet.

Lufta e shqiptarëve të Kosovë për liri, demokraci, e pavarësi, në krye të së cilës u vu Presidenti Ibrahim Rugova, bashkë me luftën çlirimtare të UÇK-së, do të kurorëzohen me njohjen ndërkombëtare të vendit tonë.
 
Çështja e Kosovës është tani në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku duhet të marrë zgjidhjen e bekuar për shqiptarët shumicë, por edhe për komunitetet pakicë: pavarësinë e vendit që do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve.

Në këtë përvjetor, u falemi gjithë atyre që ranë në altarin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës, ndërsa u shprehim mirënjohjen tonë miqve tanë, ushtarëve të NATO-s, që na dolën në ndihmë në orët e liga të fushatës së spastrimit etnik e të përpjekjes për gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.