Mbretëria e Bashkuar rikonfirmon mbështetjen e plotë për Kosovën

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi pritën sot Baroneshën Ann Taylor, Ministre për Mbrojtje dhe Siguri Ndërkombëtare e Mbretërisë së Bashkuar.

Presidenti Sejdiu theksoi të kenë marrë konfirmimin dhe përkushtimin, si gjithmonë, të Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e Kosovës dhe veçanërisht mbështetje për zhvillimet e demokracisë, të institucioneve tona, mbështetje të veçantë në fushën e institucioneve të sigurisë dhe përsosjes së tyre, mbështetje të partneritetit të përbashkët në ecje dhe asociim të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, mbështetje në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për Kosovën e pavarur dhe sovrane, si dhe mbështetje dhe ndihmë në procesin e njohjeve të mëtejshme të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu e ka falënderuar Baroneshën Ann Taylor për investimet e pakursyera të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, për rolin e veçantë të forcave të sigurisë të KFOR-it britanik, në rolin e tyre të shkëlqyeshëm në periudha të gjata kohore, dhe për garancinë e veçantë në nxitjen e zhvillimeve tona të mëtejshme.

Ndërkaq, Kryeministri Thaçi tha të kenë prezantuar të arriturat e Republikës së Kosovës, konsolidimin e institucioneve, duke përfshirë Policinë e Kosovës, Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë e Inteligjencës.

“Pavarësia e Kosovës ka sjellë më shumë paqe, stabilitet bashkëpunim rajonal dhe perspektiv evropiane”, tha Kryeministri dhe shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës që shumë shpejt Kosova të bëhet  pjesë e Bashkimit Evropian dhe pjesë e NATO-s.

Baronesha Ann Taylor, Ministre për Mbrojtje dhe Siguri Ndërkombëtare e Mbretërisë së Bashkuar, tha se me Presidentin dhe Kryeministrin kishte biseduar për zhvillimet e fundit këtu në Kosovë, për faktin se gjendja e sigurisë tani është shumë më e mirë sesa që ka qenë para ca kohësh, si dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi në aspektin e ndërtimit të institucioneve civile, në një shoqëri shumetnike.

“Ne jemi shumë të kënaqur që gjatë këtyre viteve kemi pasur mundësinë të ofrojmë nga Britania e Madhe ndihmë në vënien e bazave të këtyre institucioneve dhe jemi shumë të interesuar që të ofrojmë çfarëdo ndihme që mundemi në të ardhmen”, theksoi Baronesha Ann Taylor.

Ajo u shpreh se Mbretëria e Bashkuar është nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe shprehu kënaqësinë e saj që këtë shembull e kanë ndjekur edhe shumë vende të tjera.

“Është e rëndësishme që tani Kosova ka pavarësinë e saj. Megjithatë, ne e dimë se ballafaqimi me një rindërtim të këtillë të institucioneve civile është sfidë e madhe për cilindo vend, prandaj edhe shpesh paraqitet nevoja për ndihmë nga shtetet e tjera. Sidoqoftë, na vjen mirë të dimë për përparimin që është bërë, por edhe kemi kënaqësinë që të përpiqemi të ofrojmë ndihmë dhe këshilla kudo që të mundemi për punën që mbetet për t’u bërë”, tha Baronesha Ann Taylor, e cila për herë të parë po qëndron në vendin tonë.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve për mundësinë e përfshirjes së Forcave të Sigurisë së Kosovës në ndonjë aktivitet ushtarak diku në botë, me ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar, ajo vlerësoi se kemi të bëjmë me ndërtimin e forcave të sigurisë në cilindo vend, kur fillohet nga e para, duhet të kaloni nëpër disa faza dhe mendoj se është relativisht herët për të diçka të tillë në rastin e Kosovës.

Në planin afatgjatë, vijoi Baronesha Ann Taylor, mund të jetë që të bëhen përpjekje që të arrihet një situatë në të cilën, në vend që të jetë importuese e ndihmës, siç ka qenë në të kaluarën, Kosova të arrijë në një situatë që të mund t’u ndihmojë të tjerëve që ballafaqohen me probleme.