Ligjërata e Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiut, mbi zhvillimet dhe perspektivën në Kosovë në Unionin e Oksfordit

I nderuari Kryetar i Unionit të Oksfordit, z. Dray, Të nderuar studentë të kolegjeve të Universitetit të Oksfordit, Anëtarë të shquar, Zonja dhe zotërinj, Kam nderin të flas sot, si President i Republikës së Kosovës, para kësaj audience të mrekullueshme dhe para kësaj shoqërie prestigjioze të debatit, e cila ka qenë nikoqire e liderëve të mëdhenj botërorë. Me kënaqësinë më të madhe shfrytëzoj këtë rast që ta ofroj një pasqyrë të përgjithshme të të arriturave dhe sfidave me të cilat përballet vendi më i ri në botë.

Sot, Kosova është vend i pavarur dhe sovran i njohur nga 62 vende në mbarë botën dhe me njëzet (20) ambasada në katër kontinente. Kosova është, vërtetë, shembulli më i mirë i një investimi të madh që është bërë nga bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vendet e Bashkimit Evropian. Ajo përbën rrëfimin më të mirë që hedh poshtë të gjitha parashikimet se ‘pas pavarësisë, Kosova do të jetë vend i kaosit, mosrespektimit të të drejtave të njeriut dhe atyre etnike, apo vend i një kaosi të madh, anarkie e kontrabande’. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Përkundrazi, gjatë këtyre njëzet (20) muajve të pavarësisë, Kosova ka demonstruar pjekuri dhe zhvillim të madh si shtet. Ajo ka miratuar kushtetutën e saj, akt që vë themelet e shtetit tonë demokratik, ndërsa ka themeluar Forcën e Sigurisë, Agjencinë e Inteligjencës, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin Kombëtar të Sigurisë.

Kushtetuta në vete ngërthen rekomandimet e Të Dërguarit Ndërkombëtar për Statusin e Kosovës, Presidentit Martti Ahtisaari, dhe ofron garanci për të gjitha komunitetet, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, fetare apo gjinore. E tërë korniza ligjore, e cila tashmë është miratuar dhe po zbatohet, nxit pjesëmarrjen aktive të tyre si qytetarë të barabartë të Kosovës.

Megjithëkëtë, nëpërmjet miratimit të ligjeve të veçanta, ne i kemi kushtuar vëmendje edhe më të madhe nxitjes së pjesëmarrjes së komuniteteve pakicë në nivelet e vendimmarrjes, duke u garantuar atyre ulëse të rezervuara në parlament dhe në qeveri, numër ulësesh ky disa herë më i madh se përqindja e tyre në kuadër të strukturës së përgjithshme të popullsisë.

Qëllimi ynë është që ta dëshmojmë, edhe njëherë, përkushtimin tonë për ta ndërtuar një Kosovë të lirë dhe demokratike, në të cilën të gjithë qytetarëve u ofrohen mundësi të barabarta.

Sfidë në vete mbeten një pjesë e qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët hezitojnë të integrohen më tej për shkak të ndikimeve destruktive të Beogradit, të cilat kanë vazhduar gjatë tërë periudhës së pasluftës. Unë ia tërheq vëmendjen tërë bashkësisë ndërkombëtare që ta nxitë Beogradin t’i inkurajojë pozitivisht këta qytetarë. Kosova është atdheu dhe e ardhmja e tyre, ndërsa atyre duhet t’u ofrohet rasti që t’i japin trajtë kësaj të ardhmeje.

Si rast kryekëput sui generis, Kosova vazhdon të mbetet rast  sui generis edhe përderisa i ngrit kapacitetet e institucioneve demokratike dhe përderisa ngritet si vend demokratik dhe sovran. Pavarësia jonë mbështetet në parimin e pranisë ndërkombëtare, EULEX-it, i cili ka rol mbështetës në sferat e sigurisë dhe të sundimit të ligjit. Populli dhe institucionet e Kosovës e kanë mirëpritur praninë e EULEX-it dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë me të për ta siguruar funksionimin e duhur të pushtetit ligjor në mbarë Kosovën.

Prania e BE-së do t’i ndihmojë Kosovës që ta realizojë më shpejt prioritetin e saj më kryesor – integrimin e saj në Bashkimin Evropian. Muajin e kaluar, Komisioni Evropian paraqiti Raportin e progresit për Kosovën për vitin 2009, i cili përvijoi përparimin e arritur dhe çështjet që Kosova duhet t’i zgjidhë.

Është tejet e rëndësishme që Kosova ka ruajtur stabilitetin e saj dhe ka bërë, mes tjerash, një përparim në funksionalizimin e institucioneve të saj qeverisëse dhe në avancimin e korpusit të saj ligjor. Krahas kësaj, Kosova ka arritur ta ruajë stabilitetin e përgjithshëm të saj, duke krijuar mundësi për përforcimin e mëtejmë të këtij komponenti kyç.

Mirëpo, ne jemi të vetëdijshëm edhe për të metat që e kanë penguar përmbushjen më të shpejtë të kritereve për anëtarësim. Si i tërë rajoni, as Kosova nuk është imune ndaj korrupsionit, funksionimit të dobët të pushtetit ligjor apo krimit të organizuar. Megjithatë, ne e dimë se përkushtimi ynë i thellë për ta garantuar funksionimin e pushtetit ligjor në mbarë Kosovën do të triumfojë mbi këto sfida.

Edhe zhvillimi ekonomik mbetet sfidë në vete dhe kjo është shprehur edhe në Raportin e progresit. Kosova ka krijuar një kornizë ligjore të mirë, e cila i ka kontribuuar konkurrencës së brendshme të sistemit bankar; bruto prodhimi vendor i Kosovës është rritur për një shkallë modeste prej 5.4%, ndërsa investimet publike janë shtuar për 194%. Të ardhurat për kokë banori në Kosovë ende mbesin 1700 euro. Më e lartë se ajo e vendeve evropiane, shkalla e papunësisë mbetet në 40% dhe më së shumti prek të rinjtë, ndërsa investimet në sektorin privat kanë shënuar një rënie prej 10%. Këto investime duhet të shtohen, krahas mekanizmave për konkurrencë më të lartë.

E njëjta vlen edhe për nevojën e nxitjes së krijimit të ndërmarrjeve të vogla dhe mesme. Sidoqoftë, mbështetje e madhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës ka qenë anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore në fillim të këtij viti.

Pasuri e madhe që mund të ndihmojë në zhvillimin e Kosovës është edhe popullata e saj e re, më e reja në Evropë. Më shumë se 50% e popullatës janë më të rinj 27 vjeç. Por, ne duhet t’u ofrojmë atyre më shumë mundësi për shkollim dhe punësim. Jemi të përkushtuar që ta bashkëpunojmë ngushtë me këta të rinj dhe me sektorin privat dhe që planprogramet mësimore t’i harmonizojmë me kërkesat e tregut të punës. Unë jam i bindur se, shumë shpejt, këta të rinj do të jenë të aftë të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre brenda Bashkimit Evropian.

Ne po ashtu e mirëpresim dokumentin tjetër, Studimin e Komisionit Evropian, i cili ka për qëllim identifikimin e sfidave drejt integrimit dhe ofrimin e mekanizmave për trajtimin e këtyre sfidave, në mënyrë që Kosova të mund t’i jap shtysë zhvillimit të saj shoqëroro-ekonomik. Në këtë aspekt, unë mirëpres propozimin e Komisionit Evropian për t’i sjellë qytetarët tanë më afër atyre të Bashkimit Evropian me anë të një dialogu për vizat me Kosovën si dhe vlerësimin e këtij komisioni se një marrëveshje për tregtinë do t’ia jepte shtysë Kosovës drejt përmbushjes së kritereve ekonomike.

Ne mbesim me shpresë se Kosova do të jetë së shpejti dhe përfundimisht pjesë e procesit të garantimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe se Kosovës do t’i ofrohet qasje në tregun evropian. Megjithatë, Kosovës i duhet një udhëzues i qartë për përmbushjen e standardeve të domosdoshme për liberalizimin e vizave si dhe një mbështetje e vazhdueshme në plotësimin e kritereve ekonomike.

Kosova po ashtu ka dëshmuar seriozitetin përkitazi me bashkëpunimin me vendet fqinje, duke i kontribuar kështu paqes dhe stabilitetit të përgjithshëm në rajon. Ne e dimë se paqja dhe stabiliteti në rajon, të cilat do t’i kontribuonin mirëqenies së përgjithshme në Evropë e më gjerë, bazën e kanë në krijimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet fqinje, që për ne paraqesin një zotim afatgjatë. Unë i bëj thirrje Bashkimit Evropian që të kërkojë nga Serbia ta luajë një rol konstruktiv në iniciativat e tilla për bashkëpunim rajonal, meqë, për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur deri më sot.

Ne besojmë fuqishëm se e ardhmja e Kosovës është në BE, siç është edhe ajo e mbarë rajonit, dhe që ky vizion të bëhet realitet, vendet e rajonit duhet më parë t’i zgjidhin çështjet midis tyre. Shembull i mirë në këtë kontekst është nënshkrimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufijve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë muajin e kaluar si dhe vënia e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Unë besoj se vënia e marrëdhënieve diplomatike  me Malin e Zi do të pasojë së shpejti. Kjo ta mbyllë ciklin e vënies së marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe vendeve të rajonit, me përjashtim të Serbisë, me të cilën ne jemi shumë të interesuar dhe të përkushtuar që të vëmë marrëdhënie të njëjta. 

Zonja dhe zotërinj,
Pas dy jave, Kosova do t’i mbajë zgjedhjet komunale të saj. Këto do të jenë zgjedhjet e para që do të organizohen dhe drejtohen nga autoritetet e Kosovës. Meqë janë të tilla, ne po bëjmë ç’është e mundur që botës t’i dëshmojmë se Kosova mund t’i mbajë zgjedhjet e para të saj si është më së miri, si vend sovran dhe demokratik. Duke u bazuar në autoritetin që më është dhënë me kushtetutë, unë u kam bërë thirrje të gjitha komuniteteve pakicë që të dalin në votime gjatë këtyre zgjedhjeve, në mënyrë që t’i japin trajtë mirëqenies dhe së ardhmes së tyre. Kosova ka përkushtimin e fuqishëm që ta respektojë vullnetin e secilit qytetar.

Të gjitha këto zhvillime janë qenësore për suksesin tonë dhe do t’na ndihmojnë ta përshpejtojmë rrugëtimin tonë për në BE dhe NATO.
Ju falënderoj për vëmendjen tuaj dhe ju falënderoj që ma keni ofruar mundësinë që t’jua paraqes një pasqyrë të të arriturave dhe sfidave me të cilat ballafaqohet Kosova.