Letonia vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ka marrë një letër nga Ministria e Punëve të Jashtme e Letonisë, nëpërmjet së cilës njoftohet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve.

Në letër ndër të tjera thuhet:

Ministria e Punëve të Jashtme
Republika e Letonisë

Riga, 10 qershor 2008

Ministria e Punëve të Jashtme e Letonisë shpreh komplimentet e saj për Zyrën e Presidentit të Kosovës.

Duke shprehur pajtimin tonë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, Ministria e Punëve të Jashtme e Letonisë ka nderin t’ju njoftojë se kjo letër, si dhe ajo të cilën e keni dërguar ju, përbëjnë marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Letonisë dhe Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Letonisë shpreh bindjen se vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve do të jetë në të mirë të njerëzve të tyre dhe do të promovojë bashkëpunimin bilateral, sikur edhe vlerat e paqes dhe demokracisë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Letonisë shfrytëzon rastin t’i shprehë edhe një herë Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës konsideratat e saj më të larta.