Lauka: Kosova dhe Shqipëria janë model i bashkëpunimit në Rajon

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti ambasadorin e parë të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Islam Lauka, i cili solli letrat kredenciale të emërimit.

“Republika e Kosovës do t’i jetë përherë mirënjohëse Republikës së Shqipërisë për mbështetjen e madhe që na ka dhënë në proceset e përbashkëta që kemi kaluar”, tha Presidenti Sejdiu gjatë takimit me Ambasadorin e parë të Shqipërisë në Kosovë, z. Islam Lauka.

Presidenti Sejdiu, edhe në këtë takim, përsëriti kërkesën e tij për thellimin dhe nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit të gjithanshëm në mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke potencuar veçanërisht domosdonë e zyrtarizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve, pa pasaporta, akt ky që do të ridëshmonte shpirtin e vërtetë evropian të shqiptarëve dhe synimin e tyre për të qenë sa më parë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në proceset e mëdha të integrimeve euroatlantike.

Ndërsa, Ambasadori Islam Lauka rikonfirmoi vendosmërinë e Republikës së Shqipërisë për të mbështetur Kosovën në të gjitha aspektet në proceset që, siç tha ai, tashmë kanë marrë udhë, pavarësinë, përpjekjet për integrimet euroatlantike dhe për afirmimin e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, i cili një ditë do të ketë vendin e vet edhe në OKB.

“Janë të gjithë mundësitë që marrëdhëniet tona të jenë model i bashkëpunimit për tërë rajonin, sepse ne kemi vetëm gjëra që na bashkojnë”, tha Ambasadori Lauka.