Kryeministri Thaçi i dorëzoi Presidentit Sejdiu Raportin vjetor për punën e Qeverisë

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot në një takim pune Kryeministrin Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrat Hajredin Kuqi e Ramë Manaj.Në takim, Kryeministri Thaçi i dorëzoi Presidentit të Republikës Raportin vjetor për punën e Qeverisë gjatë vitit 2008.

Kryeministri Thaçi gjithashtu e njoftoi Presidentin Sejdiu lidhur me çështjet themelore që përmban raporti, me elementet më të rëndësishme për punën e ministrive veç e veç, si dhe për objektivat themelore në kuadër të projektit të rëndësishëm për punën e Qeverisë për vitin 2008.


Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu vlerësoi rezultatet e gjertanishme në punën e Qeverisë, duke ofruar mbështetjen institucionale dhe bashkëpunimin e ngushtë të tij me Qeverinë për të pasur një vit sa më të suksesshëm për rezultate pune në vitin që kemi hyrë.


Në takim po kështu janë nënvizuar edhe sfidat e shumta që mund të kenë institucionet e Kosovës gjatë vitit 2009.