Kroacia dhe Kosova - të vendosura për të ardhmen euroatlantike të rajonit

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për politikë të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit intensiv me të gjitha vendet e rajonit, me të cilat synon të integrohet së bashku në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati sot në Stamboll të Turqisë, me homologun e tij kroat, z. Stjepan Mesiq.

Presidenti Sejdiu dhe Presidenti i Republikës së Kroacisë, z. Mesiq, të cilët patën sot fjalimet kryesore në kuadër të Forumit Ekonomik Euroaziatik, theksuan domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit në mes të dyja vendeve. Ata u zotuan se do t’i nxisin qeveritë përkatëse për të punuar me angazhim të shtuar, në mënyrë që qytetarët e Kosovës dhe ata të Kroacisë sa më parë të mund të udhëtojnë pa viza nga njëri vend në tjetrin. 


“Qytetarët e Kosovës lëvizin lirshëm dhe pa regjim vizash në disa vende të rajonit, si në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Maqedoni, dhe ne jemi shumë të interesuar që këtë mundësi atyre t’ua ofrojë edhe Republika e Kroacisë”, tha Presidenti Sejdiu, duke e falënderuar Presidentin Mesiq për politikën e drejtë dhe parimore që ka pasur vazhdimisht shteti kroat dhe ai si president në raport me Kosovën. 


“Kosova dhe Kroacia kanë shumë përjetime të përbashkëta, sidomos në fundshekullin XX dhe ne nuk mund ta harrojmë mbështetjen që ky vend mik ka dhënë vazhdimisht për Kosovën”, vijoi Presidenti Sejdiu. Po ashtu, ai theksoi se rajoni ynë, me krijimin e një zone të lirë të tipit mini-shengen, do të jepte një shembull të posaçëm se tashmë është gati për të aderuar në familjen e vendeve të lira e demokratike euro-perëndimore.


“Ne në Kosovë na gëzojnë sukseset dhe të arriturat tuaja, ndaj besojmë se anëtarësimi juaj dhe i Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, është një hap tepër i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajon”, tha Presidenti Sejdiu, i cili vlerësoi se edhe Forca e Sigurisë e Kosovës, e cila po formohet sipas kritereve të NATO-s, një ditë do të jetë e gatshme t’i kontribuojë stabilitetit rajonal dhe më gjerë. 


Ndërkaq, Presidenti i Kroacisë, z.Stjepan Mesiq, rikonfirmoi vullnetin e plotë të vendit të tij për thellimin e marrëdhënieve të përgjithshme me Kosovën. 


“Përveç në rrafshin politik, ku do të keni përherë përkrahjen e diplomacisë kroate, ne kemi mundësi të shumta që të punojmë së bashku me ju për të mirën e qytetarëve tanë dhe të gjithë rajonit”, tha Presidenti Mesiq, duke veçuar shembullin e mirë të shqiptarëve të Kroacisë, kryesisht me prejardhje nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët janë integruar tërësisht në jetën shoqërore dhe institucionale të këtij vendi dhe janë një urë lidhëse në mes dy vendeve tona. 


Gjatë këtij takimi, të dy presidentët diskutuan hapur për shumë çështje me interes për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit. Në këtë kontekst, ata u pajtuan plotësisht se veprimet e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës janë të dëmshme për të gjithë, e në rend të parë për vetë pakicën serbe, një pjesë e së cilës, fatkeqësisht, vazhdon të manipulohet për qëllime politike nga Beogradi zyrtar.
“Ne kemi ndjekur një politikë të matur, por insistojmë se fajtori kryesor për trazirat në veri të Kosovës është Beogradi, i cili po i nxit ekstremistët të shkaktojnë dhunë”, tha Presidenti Sejdiu. Bashkimi Evropian dhe bota demokratike përgjithësisht, vijoi Presidenti Sejdiu, duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se derisa nuk i ndal aktet destabilizuese ndaj vendeve fqinje, nuk mund të mendojë se do t’i hapen dyert e integrimeve. “Sa kohë që kjo të mos i thuhet hapur, Serbia do të vazhdojë të shkaktojë problem në rajon”, pohoi Presidenti Sejdiu. Megjithatë, tha ai, institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura që të punojnë për krijimin e kushteve për kthimin e të gjithë qytetarëve të zhvendosur në pronat e veta, pa dallim etnie, sepse Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë, që u ofron siguri dhe mundësi të njëjta të gjithë atyre që duan dhe janë të gatshëm ta ndërtojnë të ardhmen e vet në Kosovë.