Kosova, prioritet i Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s 

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi me z.Andres Fogh Rasmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, ka shtruar idenë e pjesëmarrjes së kosovarëve në operacionet e ndryshme të NATO-s.

“Bashkë me kryeministrin, paralelisht me dhënien e vlerësime të përgjithshme që kemi, shtrova edhe idenë që, në partneritet të ardhshëm, të shikohet mundësia edhe e prezencës së njerëzve të Kosovës në operacione të rëndësishme të paqes dhe stabilitetit dhe ato që NATO-ja di t’i bëjë në mënyrën më të mirë të mundshme. Është çështje e vlerësimeve dhe zhvillimeve që do t’i kemi në kohët që vijnë para nesh”, theksoi Presidenti Sejdiu.
Gjatë takimit Presidenti Sejdiu dhe kryeministri i Republikës, z.Hashim Thaçi, e kanë njoftuar z.Rasmussen me zhvillimet në Kosovë dhe e kanë falënderuar atë për ndihmën e pakursyeshme, mbështetjen e fuqishme që NATO ka dhënë dhe po jep për shtetin e ri të Kosovës, në ndërtimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe të mbrojtjes së integritetit të vendit.
Ai gjithashtu ka theksuar edhe ndihmën e NATO-s “në projekte të rëndësishme, që Kosova të ndihet gjithmonë atdhe i të gjithë qytetarëve të saj dhe mbështetjen e rëndësishme të ndërtimit të mekanizmave edhe institucionalë, por veçanërisht atyre të sigurisë në Kosovë në kohën që ne kemi pranë vetes”.
“E  falënderuam për këtë ndihmë dhe përkushtim të madh. Kemi parasysh qëndrimin e veçantë të prezencës së NATO-s në Kosovë për ndërtimin edhe të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kemi parasysh politikat e përbashkëta, po ashtu vlerësimet pozitive të ecjes e stabilitetit dhe të qëndrueshmërisë së Kosovës si vend i gjithë qytetarëve si vend sovran dhe kemi parasysh përkushtimin në mbështetje të vizionit tonë për të pasur Kosovën të anëtarësuar nesër në NATO, duke pasur parasysh edhe një lëvizje të rëndësishme pozitive në përmbushje të kritereve edhe  të vendeve tjera të rajonit për të qenë anëtarë të NATO-s”, theksoi më tej Presidenti Sejdiu.
Sejdiu po kështu ka falënderuar z.Rasmussen për rolin që ka pasur në detyrën e mëhershme dhe prezencën e tij të shpeshtë në Kosovës dhe angazhimet në detyrën e tanishme me përgjegjësinë e veçantë që ka si Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z.Andres Fogh Rasmussen kas theksuar se siguria në Kosovë nuk do të cenohet nëse reduktohen trupat e NATO-s, të pranishme në vend.
Ai tha se i ka dhënë një prioritet Kosovës në detyrën e tij si sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
“Fakti që unë kam vendosur të vij në Kosovë vetëm pak ditë pasi kam marrë detyrën e re në krye të NATO-s, tregon qartë se unë i kam dhënë Kosovës prioritet të lartë në mandatin tim”, tha Rasmussen.
Duke folur për reduktimin e numrit të pjesëtarëve të KFOR-it, Rasmussen tha se ky proces reflekton përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë, ndërkohë që precizoi se reduktimi do të bëhet në vitet në vijim.
Rasmussen tha se vendimi për reduktim të trupave është i kushtëzuar, që do të thotë se reduktimi do të bëhet në pajtim me përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes së sigurisë. “Ne nuk do të marrim ndonjë vendim që do të mund të ketë ndikim negativ për sigurinë në Kosovë. Ne do ta bëjmë të qartë se çfarëdo vendimi është i bazuar në këshilla ushtarake të besueshme si dhe pas një vlerësimi politik për situatën”, tha sekretari Rasmussen.
Ai gjithashtu theksoi përkushtimin e NATO-s për të ndihmuar zhvillimin e vazhdueshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sekretar i Përgjithshëm  i NATO-s ka folur edhe për procesin e integrimeve euro-atlantike të vendeve të rajonit tonë. Sipas tij, integrimi i vendeve të Ballkani në strukturat euroatlantike do të krijonte stabilitet të qëndrueshëm. Rasmussen tha se në vizionin e tij ka mbështetjen e këtyre vendeve për të përmbushur kriteret e nevojshme për integrim.
“Vizioni im i qartë është të sigurojmë një perspektivë euroatlantike për të gjitha vendet në Ballkan, për Kosovën dhe gjithashtu edhe për Serbinë. Mendoj që kjo do të ndihmojë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në këtë pjesë të Evropës, nëse i sigurojmë për një perspektivë evropiane. Gjithashtu edhe kjo është e kushtëzuar. Vendet kandidate, pavarësisht a flasim për BE apo NATO duhet të plotësojnë kriteret e domosdoshme, përfshirë edhe zgjidhjen paqësore të kontesteve kufitare dhe të mbrojnë të drejtat e minoriteteve”, theksoi z.Andres Fogh Rasmussen, Sekretar i Përgjithshëm  i NATO-s.