Kosova dhe Kroacia zgjerojnë fushat e bashkëpunimit

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti sot në takim z. Davor Vidish, drejtor i Departamentit për Evropën Juglindore në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë.

“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Kroacisë janë shumë të mira dhe këto marrëdhënie janë duke u përmirësuar nga dita në ditë. Biseduam për nevojën që institucionet e Kosovës të mësojnë nga përvoja e rrugës së integrimeve që ka ndjekur Kroacia në drejtim të Bashkimit Evropian”, theksoi në një prononcim për media pas takimit Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.

“Njëkohësisht”, shtoi ai, “biseduam edhe për përvojën dhe praktikën që ka pasur Kroacia në bisedimet me palën serbe, të cilat bisedime do të zhvillohen në të ardhmen mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

“Treguam gatishmërinë që marrëdhëniet më Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë të kenë ngritje në të gjitha fushat e jetës, si nga ato politike, institucionale, por edhe ekonomike. Ne jemi të vetëdijshëm se fuqia e Republikës së Kroacisë sa i përket zhvillimit ekonomik dhe mundësive për të investuar në Kosovë është e madhe dhe do të krijojmë hapësirë që investitorët nga Kroacia të investojnë në Kosovë. Kjo do të jetë një fushë e ngritjes së marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona”, theksoi z.
Krasniqi.

Nga ana e tij, z. Davor Vidish, drejtor i Departamentit për Evropën Juglindore në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë, theksoi fillimisht se me Kosovën është i lidhur edhe emocionalisht, pasi ka drejtuar Zyrën e Kroacisë në vendin tonë në vitet 2007-2008, pra në periudhën kur Republika e Kosovës e shpalli pavarësinë dhe kur Republika e Kroacisë e njohu Kosovën.

Z.Vidish tha në vijim se ndodhet në Kosovë me një delegacion të Ministrisë së Jashtme të Kroacisë, për t’u njoftuar me zhvillimet në vendin tonë, por edhe për të përcjellë përvojat e Kroacisë dhe për të parë se cilat përvoja të Kroacisë në rrugën drejt integrimit evropian mund t’u ndihmojnë institucioneve të Kosovës.

“Pas Bosnjës dhe Shqipërisë, Kosova ka mbetur e vetmja jashtë Listës së Bardhë të Shengenit. Ne jemi këtu për të parë se ku mund të ndihmojë Kroacia me lobim për kapërcimin e kësaj gjendjeje”, tha z. Vidish.

“Jemi shumë të interesuar që Kosova të jetë anëtare dhe të jetë pjesë e të gjitha iniciativave regjionale, iniciativa që mbulojnë këtë pjesë të Evropës”, theksoi z. Vidish.

I pyetur lidhur me nevojën që në bisedimet e paralajmëruara mes Kosovës dhe Serbisë, përveç Bashkimit Evropian të jetë e përfshirë edhe SHBA, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi theksoi: “Ne jemi të vetëdijshëm se mbi bazën e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme, bisedimet me Kosovës dhe Serbisë duhet t’i lehtësojë Bashkimi Evropian, por jemi të vetëdijshëm se për të qenë këto bisedime më të lehta dhe më të suksesshme, një kontribut të pazëvendësueshëm do ta jepnin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konsiderojmë që për të qenë edhe më të lehta dhe më të besueshme dhe më të suksesshme këto bisedime, si ndërmjetësues, si lehtësues, do të ishin edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian edhe përfaqësuesit e SHBA-ve”.

Edhe z.Vidish foli rreth bisedimeve të pritshme mes Kosovës e Serbisë. “Para së gjithash, me rëndësi është që të ndihmohet që këto bisedime të fillojnë, por, flas nga përvojat tona në raportet me Serbinë, në përfundim janë me rëndësi bisedimet bilaterale, për të zgjidhur çështjet e përditshme”, tha ai.

“Ideja jonë për stabilitetin e gjithë rajonit është që procesi i integrimeve euroatlantike të përfundojë në gjithë rajonin. Ne do të ishim të gëzuar që një ditë të gjitha vendet e kësaj pjese të botës të jenë anëtare edhe të Bashkimit Evropian edhe të NATO-s”, tha z.Vidish.

I pyetur të komentojë një deklaratë të ministrit të jashtëm serb, cili e fajëson Kosovën për bllokimin e nisjes së procesit të bisedimeve, z.Krasniqi tha se ka qenë Serbia ajo që ka penguar procesin e bisedimeve dhe në asnjë rast nuk ka qenë Kosova.

“Ju e dini që Serbia në shumë takime rajonale, por edhe të nivelit evropian, kur kanë qenë përfaqësuesit e Kosovës ata i kanë lëshuar takimet”, theksoi z.Krasniqi, duke shtuar se Kosova në asnjë moment nuk ka qenë kundër bisedimeve me palën serbe.

“Kosova edhe ashtu ka qenë në bisedime me palën serbe për të pagjeturit, për regjistrat civilë dhe regjistrat kadastralë, por këto bisedime kanë qenë në të kaluarën më të vështira. Ne duhet të fillojmë, por duhet të fillojmë nga këto bisedime që janë më të lehta. Me një fjalë, Kosova në asnjë kohë dhe asnjë fazë nuk ka qenë kundër bisedimeve me palën serbe”, tha Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.