Kërkohet njohja nga shtetet e Komunitetit të Karaibeve

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe Ministri i Jashtëm, Skender Hyseni kanë takuar sot në Nju-Jork edhe përfaqësuesit e vendeve të Karikom-it (Komuniteti i shteteve të Karaibeve), nga të cilat kanë kërkuar që ta njohin sa më parë pavarësinë e Republikës së Kosovës, si dhe ta kundërshtojnë prerazi projektrezolutën që Serbia ka paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nëse ajo hidhet në diskutim.

“Pavarësia e Kosovës është dëshmuar si faktor përcaktues i paqes dhe i stabilitetit në rajon, duke i bërë të dështojnë të gjitha prognozat e këqija të atyre që e kundërshtonin pavarësinë e vendit tonë”, tha Presidenti Sejdiu, i cili ka ripërsëritur faktin se Republika e Kosovës tashmë është njohur nga 70 vende anekënd botës dhe se mendimi i GJND-së ka hequr të gjitha dilemat që ndokush mund të ketë pasur sa i përket ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në këtë takim, Presidenti ka thënë po ashtu se, Serbia vetë ka kërkuar mendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa tash paraqet një projektrezolutë që bie tërësisht në kundërshtim me mendimin e kësaj Gjykatës.