Irlanda njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Irlandës, z. Ahern Dermot T. D, u ka shkruar një letër Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, me anë të së cilës i ka njoftuar ata se Irlanda e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe vendos marrëdhënie diplomatike jorezidente me Kosovën.

Më poshtë po e japim në tërësi tekstin e kësaj letre:

I nderuari President Sejdiu,

Po ju shkruaj për t’iu përgjigur letrës suaj të datës 17 shkurt 2008, me të cilën ju dhe Kryeministri z. Hashim Thaçi më njoftuat për deklaratën e Kuvendit të Kosovës për pavarësi dhe në të cilën ju keni bashkangjitur edhe tekstin e plotë të deklaratës. Qeveria e Irlandës ka kënaqësinë të kuptojë se kjo deklaratë e vë Kosovën në përkushtim të implementimit të plotë të të gjitha obligimeve që përmban Plani Gjithëpërfshirës i të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara z. Martti Ahtisaari. Qeveria e Irlandës fuqishëm ka përkrahur Propozimin Ahtisaari dhe mirëpret këtë përkushtim të qartë e të parevokueshëm, i cili është njohur edhe nga ministrat e jashtëm të BE-së në takimin e 18 shkurtit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme dhe Marrëdhënie me Jashtë.

Kam nderin t’ju informoj që, duke marrë parasysh vendimin e marrë nga Kuvendi i Kosovës dhe rekomandimet e Këshillit të Bashkimit Evropian, Qeveria e Irlandës ka marrë vendim, më 28 shkurt 2008, të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe të vendosë marrëdhënie diplomatike jorezidente nëpërmjet Ambasadës sonë në Hungari.

Shpresoj në zhvillimin e marrëdhënieve të afërta e miqësore midis dy qeverive tona popujve tanë.

Sinqerisht,
Dermot Ahern T.D.