Imecs: Hungria angazhohet për bashkëpunim të gjithanshëm me Kosovën

Shefi i Zyrës Hungareze në Prishtinë, Zoltan Imecs, i ka përcjellë sot Presidentit Sejdiu urimet e Qeverisë së Hungarisë për rizgjedhjen president i vendit. Me këtë rast, ai ka shprehur sërish gatishmërinë e Hungarisë për ta thelluar në të gjitha fushat bashkëpunimin me Kosovën, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik.

Sa i përket çështjes së statusit të Kosovës, z. Imecs ka theksuar se Hungaria konsideron se plani i Ahtisarit është zgjidhja e vetme për Kosovën.

“Paqja dhe stabiliteti janë interes i të gjitha vendeve të rajonit dhe ne mendojmë se pikërisht ky plan krijon mundësinë që rajoni të ketë një të ardhme më të mirë për të gjithë”, theksoi Zoltan Imecs.

Ndërsa, Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, e ka siguruar diplomatin hungarez Imecs se Kosova e pavarur do t’i respektojë me përpikmëri të gjitha të drejtat e garantuara të komuniteteve pakicë, ashtu siç parashihen edhe në propozimin e Presidentit Ahtisari.

“Kosova synon të jetë vend i pavarur dhe i integruar në strukturat euroatlantike, kurse të gjithë qytetarët e saj do të jenë të barabartë përpara ligjit”, theksoi Presidenti Sejdiu, i cili e falënderoi shtetin hungarez për ndihmën e vazhdueshme dhënë Kosovës dhe qasjen e drejtë për zgjidhjen e statusit.