Hlep: Sllovenia dhe Kosova janë miq të vjetër

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot Ambasadorin e ri të Republikës së Sllovenisë, z. Jožef Hlep, i cili solli letrat kredenciale të emërimit të tij në në këtë detyrë.

“Republika e Kosovës po e përmbyll vitin e parë të pavarësisë së saj. Me gjithë sfidat që kemi pasur, ky ka qenjë një vit i suksesit tonë të përgjithshëm”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot me z. Jožef Hlep, Ambasador i ri i Republikës së Sllovenisë në Kosovë, i cili, me këtë rast, i dorëzoi letrat kredenciale të emërimit.


Duke shprehur miërnjohjen e përhershme të institucioneve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës për mbështetjen e pakursyer të Sllovenisë në përpjekjet e gjata të vendit tonë për liri e pavarësi, Presidenti Sejdiu tha se bashkëpunimi në mes dy vendeve do të thellohet dhe do të intensifikohet në të gjitha fushat.


Po ashtu, ai vlerësoi mënyrën se si Sllovenia i është qasur dhe e ka realizuar procesin e integrimeve euroatlantike, i cili mund të shërbejë si një model i mirë edhe për Kosovën, në synimet e saj për integrim sa më të shpejtë në institucionet ndërkombëtare, veçmas në Bashkimin Evropian dhe në NATO.


Ndërsa, Ambasadori slloven, z. Jožef Hlep, theksoi se ndihej shumë krenar që do të përfaqësonte vendin e tij në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës.

“Sllovenia dhe Kosova janë miq të vjetër, ndaj besoj se detyra ime këtu do të jetë e lehtë, sepse këtë do ta mundësojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes dy vendeve tona”, tha z. Hlep, i cili pohoi se do të angazhohet me tërë potencialin e tij që këto marrëdhëniet të forcohen edhe më shumë në të ardhmen.