Hilari Klinton: Pavarësia - shpërblesa më e mirë për shtetin dhe qytetarët e Kosovës

“Pavarësia ka qenë shpërblesa më e mirë e shtetit dhe vetë qytetarëve të Kosovës, të cilët janë zhvilluar në një demokraci të re multienike”, theksoi dje sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, dje në Uashington, pas takimit me delegacionin shtetëror të Republikës së Kosovës, të përbërë nga Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skender Hyseni.

“Unë kam përgëzuar presidentin dhe kryeministrin për gjithë progresin e arritur në Kosovë dhe për vitin e parë historik si shtet i pavarur. Është një privilegj i madh dhe nder për të parë të gjitha të arriturat e Kosovës që nga kohët e tmerrshme të represionit dhe luftës vite më parë”, theksoi fillimisht Sekretarja Klinton.


Ajo theksoi se Presidenti dhe Kryeministri, gjatë diskutimeve për situatën ekonomike dhe nevojën për të ofruar një jetë më prosperuese për njerëzit e Kosovës, kanë theksuar vizionin e tyre për një demokraci multietnike dhe për paqe me fqinjët. Ky vizion, shtoi Klinton, është formësuar edhe në vetë flamurin e Kosovës, ku janë simbolizuar përkatësitë e ndryshme etnike, shqiptarët, serbët, romët e të tjerët, që Kosovën e kanë shtetin e tyre.


“Unë u kam thënë që SHBA do të punojnë me partnerët e tyre evropianë dhe do të vazhdojnë mbështetjen e tyre për demokracinë me të re sot në botë. Unë absolutisht ndihem e ngazëllyer t’ju dëshiroj mirëseardhje në Uashington”, tha Sekretarja Klinton.

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, pasi ka shprehur falënderimet e udhëheqjes dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e gjithmonshme dhe të fuqishme që SHBA i kanë dhënë Kosovës, theksoi se “pa rolin e SHBA dhe të aleatëve të përbashkët, Kosova nuk do të ishte në këtë pikë të zhvillimeve të saj pozitive”, duke e quajtur këtë një rol konstant në të gjitha administratat për kohë të gjatë.


“Ne shprehëm në pika të shkurtra zhvillimet e përgjithshme që i ka Kosova, tash kur është bërë një vit i pavarësisë së saj, i gëzimit të qytetarëve të saj, i gëzimeve të fëmijëve të Kosovës. Është një vit i dëshmimit të saj që është shtet demokratik, i të gjithë qytetarëve pa dallime etnie dhe është një vit që ka shprehur në mënyrën më të mirë të mundshme qasjen e saj për të qenë fqinj i mirë me të gjithë fqinjët përreth. Dhe po kështu shprehëm vizionin se Kosova është jetësisht e interesuar që të ecën shpejt në integrimet e saj në BE dhe në NATO. Dhe me një ndjenjë të pashkëputshme të miqësisë me SHBA-të”, vijoi Presidenti Sejdiu. 


Pasi përkujtoi në vijim se Kosova është njohur nga 55 vende të botës, Presidenti Sejdiu u shpreh: “Morëm një konfirmim të fuqishëm për mbështetjen e SHBA-ve për nxitjen edhe të shteteve të tjera për njohjen e Republikës së Kosovës. Mbështetje për zhvillim të shpejtuar ekonomik dhe mbështetje të këtij vizioni që kemi për të qenë vërtet një demokraci reale dhe e kapshme për të gjithë qytetarët dhe perspektivë e të gjithëve.


“Unë gjithmonë them: Zoti e bekoftë Amerikën dhe popullin amerikan. Besojmë plotësisht se presidenti Obama, zonja Klinton, dhe gjithë ekipi i saj do të jenë pranë Kosovës sikur që kanë qenë gjithmonë”, tha Sejdiu.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar gjithashtu se populli i Kosovës është shumë mirënjohës për kujdesin që SHBA ka treguar për popullin e Kosovës dhe do të jetë mirënjohes gjithmonë për popullin amerikan dhe për qeverinë amerikane.


“Jemi shumë krenarë për punën e përbashkët që kemi bërë. Këto ditë shënuam përvjetorin e parë të shtetit tonë, përvjetor që e shënuam me progres, por edhe me sfida”, tha Thaçi. 


“Kemi fituar 55 njohje dhe besoj të kemi njohje të reja. Kemi instaluar qeverisjen e mirë, transparente, efektive, multietnike. Po ndërtojmë rend demokratik, Kosovën si atdhe për të gjithë qytetarët e saj me të drejta të afirmuara për minoritarët. Në të ardhmen e afërt presim që Kosova të jetë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore”, theksoi Kryeministri Thaçi.


Po ndërtojmë shtetin tonë duke respektuar integritetin territorial të Kosovës. Pavarësia e Kosovës ka sjellë edhe më tepër paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë evropiane, vijoi ai.


“Në emër të Qeverisë edhe një herë shprehim mirënjohjen dhe respektin më të lartë për mbështetjen për Kosovën. Unë ju falënderoj për qëndrimin e juaj, të Presidentit Obama. Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA do të jenë gjithmonë të shkëlqyeshme. Kosova dhe populli i saj përulen përball Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit të saj”, theksoi z. Thaçi.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me verdiktin e dhënë sot në Gjykatën e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, e cila e liroi si të pafajshëm ish-kryetarin e Serbisë, Millutinoviç, Presidenti  Sejdiu tha se dëshiron të besojë gjithmonë në verdiktet e Gjykatës ndërkombëtare. 


Por, shtoi ai, gjithmonë, çdo lëndë duhet të studiohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci kanë ndodhur krime të panumërta. Dhe ato krime janë bërë prej njerëzve që kanë udhëhequr atë politikë për vrasjen e tyre, që ne e quajmë për Kosovën, vrasës me paramendim total”.

“Gjithmonë është dikush që është në krye, por gjithmonë janë bashkëpunëtoret e tyre që i planifikojnë politikat e tilla gjenocidale. Krahas viktimave që ka pasur Kosova, ka edhe një numër të madh, rreth 2000 veta që u mungojnë familjeve të tyre, të cilat nuk e dinë se ku janë ata. Për një popull, për një vend, për familjet e atyre që nuk janë, prehja kryesore është drejtësia”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Në vijim Sekretarja Klinton ka folur sërish për përkrahjen amerikane për Kosovën. “Duke qenë që Kosova është një shtet i lirë, dhe deri më tani janë tre administrata, duke filluar nga administrata e bashkëshortit tim, Klinton, Bushit dhe tani e Obamës, ne vazhdojmë t’i qëndrojmë pranë Kosovës dhe ta mbështesim atë që të punojmë me vendin tuaj”, tha Klinton.


Ne jemi shumë të lumtur që 55 shtete të botës e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur edhe inkurajojmë që gjithë të tjerët  ta bëjnë një gjë të tillë. Është në interesin  e shteteve kudo në botë që ta njohin këtë demokraci të re dhe ta mbështesin atë, theksoi Klinton. 


Unë, vijoi ajo, admiroj mënyrën se si Presidenti dhe Kryeministri kanë punuar me gjithë sfidat të cilat kanë qenë të ndërlidhura me integritetin territorial, në kufijtë e juaj dhe në marrëdhëniet me fqinjët e juaj, posaçërisht karshi Serbisë. Mendoj se ka qenë ky një qëndrim i qetë, i matur dhe kjo ka bërë që Kosova të përfitojë admirim dhe të çmohet si e tillë kudo në Evropë dhe më gjerë.


Derisa po përballemi me këto probleme, ne mendojmë se do të punojmë me Kosovën dhe do të vazhdojmë që të ndihmojmë Kosovën që të zgjidhë problemet dhe sfidat e mbetura me të cilat përballet.

“Mendoj se pavarësia ka qenë shpërblesa më e mirë e shtetit dhe vetë qytetarëve të Kosovës, të cilët janë zhvilluar në një demokraci të re multienike. Presidenti më tha diçka që nuk e dija më parë, që që nga pavarësia, as edhe një serb i vetëm nuk e ka braktisur Kosovën dhe në fakt ka pasur ta ardhur të tjerë që janë kthyer”, përfundoi sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton.

Delegacioni i lartë shtetëror i Republikës së Kosovës, i përbërë nga Presidenti Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Jashtëm Skender Hyseni, të shoqëruar edhe nga i ngarkuari më punë i Republikës së Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ka zhvilluar një varg takimesh me zyrtarë të lartë të administratës së SHBA, si dhe me përfaqësues diplomatikë të shteteve të ndryshme, të akredituar në SHBA, në procesin e lotimit për njohjen e shtetit të Kosovës.


Ata po kështu kanë marrë pjesë në kremten e përvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, të organizuar dje në Uashington, ndërsa ditëve në vijim do të kenë edhe një varg takimesh në SHBA.