Gjermania, Italia, Danimarka, Luksemburgu, Estonia dhe Letonia edhe zyrtarisht konfirmuan njohjen e Republikës së Kosovës.

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, dhe Kryeminstri Hashim Thaçi pritën sot pasdite shefin e Zyrës së Gjermanisë në Prishtinë, z. Carl Albrecht Wokalek, dhe shefin e Zyrës së Italisë në Prishtinë, z. Patrcik Mura, të cilët sollën letrat e njohjes së Republikës së Kosovës nga Gjermania dhe Italia.

Në frymën e bashkëpunimit evropian, siç tha edhe z. Wokalek, ata sollën edhe letrat e njohjes së shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës edhe nga këto shtete: Danimarka, Luksemburgu, Estonia dhe Letonia.

Në konferencën me gazetarë të mbajtur pas këtij takimi, Presidenti Sedjiu dhe Kryeminstri Thaçi ripërsëritën zotimin e institucioneve të Kosovës për të ndërtuar një shoqëri demokratike në frymën e demokracisë perëndimore. Po ashtu, ata u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të jenë pjesë aktive e progresit të përbashkët të vendit.