Fjala e U.D. të Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi në ceremoninë e diplomimit të rekrutëve të FSK-së

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së dytë të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila u mbajt në Ferizaj.

Në vijim po e sjellim fjalën e mbajtur nga z.Krasniqi me këtë rast:

I  nderuar Ministër Mujota,

I nderuari komandanti Frocës së Sigurisë, gjeneral Selimi,

I nderuari komandant i KFOR-it, gjenerali Buhler,

Ushtarë dhe oficerë të Forcës së Sigurisë dhe të KFOR-it

Zonja dhe zotërinj,


Kam ardhur sot këtu, midis jush, në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së dytë të rekrutëve të FSK-së, për vitin 2010, gjithsesi i lumtur dhe, s’kam pse ta fsheh, me një ndjenjë mburrjeje e krenarie.

Pavarësisht faktit nëse ju drejtohem me epitetet rekrutë, rishtarë, rioshë, Ju që sot jeni pjesëtarë meritorë, të përgatitur e të dinjitetshëm të subjektit të FSK-së, subjekt që ka identitet shtetëror të Republikës së Kosovës, të atdheut tonë të dashur.

Sot ju jeni të përgatitur të bëni pararojën e sukseseve të lavdishme të gjeneratave që sakrifikuan për lirinë e këtij vendi, që artin e ushtarit e mësuan drejtpërdrejt në frontet e luftës për jetë a vdekje.

Nën sigurinë e forcës e të gatishmërisë suaj sot edhe ëndrrat e fëmijëve tanë janë më të qeta e pa ankthe. Edhe kur bie tërmet e zjarr, edhe kur vërshon uji i madh, të gjithë ne, ndihemi më të sigurt me ju.

Ne nuk e patëm komoditetin e mësimit të këtij arti e të kësaj shkathtësie fizike e psikike në auditorë me ngrohje, pajisje e mjete të sofistikuara.

Jemi thellësisht të ndërgjegjshëm se as gjenerata e juaj nuk i pati e nuk i ka ende të gjitha ato që duhen, por, po ashtu dëshmuat se mund t’i përballoni edhe vështirësitë që na i nxjerr jeta e rrethanat përpara, që ritmi i zhvillimit tuaj më se një herë u desh ta përballojë aritminë e kohës, që javën ta bëni ditë, që muajin ta bëni javë e vitin muaj.

Ne, bashkë me ju, do të bëjmë ç’është e mundur që gjeneratat që vijnë ta kenë më të lehtë rrugën e zhvillimit.

Gatishmëria e juaj për të qenë në shërbim sigurie për popullin nuk na le asnjë dyshim. Përkundrazi, na mbush me besim e shpresë të ligjshme.

Po e mbyll përshëndetjen time me urimin më të mirë për ju, bij të popullit, pjesëtarë të të gjitha etnive të Kosovës sonë të dashur, me dëshirën për suksese dhe përparime në të gjitha fushat e jetës.