Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu para Kuvendit të Shqipërisë

Jam i nderuar t’i drejtohem institucionit më të lartë të demokracisë, Juve deputetë të respektuar, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë të Republikës së Shqipërisë.

E nderuara Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zonja Topalli,
I nderuari President Topi,
I nderuari Kryeministër Berisha,
Të nderuar deputetë,
Zonja e zotërinj,
 
Jam i nderuar t’i drejtohem institucionit më të lartë të demokracisë, Juve deputetë të respektuar, përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë të Republikës së Shqipërisë.

Sot jam këtu t’ju flas me kënaqësi të veçantë nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës, shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik.

Kapitulli i rrugës së vështirë të Kosovës, u mbyll më 17 shkurt 2008, kur u bë shpallja e Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës për t’u pasuar nga njohjet ndërkombëtare të shteteve më të fuqishme të botës, si SHBA, shtetet e BE-së dhe vendet tjera anembanë globit.

Mbërritja e aspiratës shekullore për të qenë të lirë, na nxitë të mos shikojmë shumë nga e kaluara, pavarësisht vuajtjeve dhe sakrificave të mëdha. Ne duam të jemi pjesë krijuese e të ardhmes së rajonit, të Bashkimit Evropian, të NATO-s dhe të gjitha proceseve zhvilluese në botën e civilizuar bashkëkohore.

E nderuara Kryetare,
 
Në këta pesë muaj nga Deklarata e Pavarësisë, ne miratuam Kushtetutën, aktin që i vë themelet e shtetit demokratik të Republikës së Kosovës. Kushtetuta inkorporon rekomandimet e Emisarit Ndërkombëtar për Statusin, Presidentit Marti Ahtisari, që dolën mbas një procesi të gjatë dhe të vështirë negociator të koordinuar me miqtë dhe aleatët e Kosovës, në radhë të parë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova deri tani është njohur nga 52 shtete dhe pret njohje të reja. Tashmë  përfaqësuesit diplomatikë të Republikës së Kosovës janë vendosur në dhjetë shtete duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Njohja nga sa më shumë vende të botës ishte dhe mbetet një nga prioritetet e punës së institucioneve tona, të cilat u ndihmuan dhe po ndihmohen edhe nga vendet mike. Zënia e vendit të plotë të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, marrja e statusit të anëtarit në OKB, integrimi në strukturat euro-atlantike dhe në BE janë prioritete të politikës sonë. Jemi të vetëdijshëm se kjo do të marrë kohë dhe do të kërkojë përgjegjësi të vazhdueshme, por po kështu, unë personalisht, institucionet dhe qytetarët e Kosovës jemi thellësisht të përkushtuar që të punojmë për të arritur sa më shpejt këto synime.
 
Ne po punojmë për të siguruar kushte dhe mundësi të barabarta për të gjithë, përfshirë edhe komunitetin serb. Kosova është vend i të gjithë qytetarëve të barabartë.

Ne jemi të inkurajuar me njohjet nga vendet fqinje, Mali i Zi dhe Maqedonia, të bindur se rajoni ynë po qetësohet duke lënë mbas konfliktet dhe dhimbjet, për t’u shndërruar në një hapësirë zhvillimi e bashkëpunimi dobiprurës për të gjithë.

Duam të kultivojmë marrëdhënie të mira e miqësore me të gjitha vendet, në radhë të parë me fqinjët tanë të parë: me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi e Serbinë; me vendet e rajonit e të Evropës, ku ne bëjmë pjesë gjeografikisht dhe kulturalisht.

Pavarësia jonë mbështetet mbi premisën e pranisë ndërkombëtare – misionit të EULEX-it, të udhëhequr nga BE-ja – që do të ketë rol mbikëqyrës dhe ndihmëtar në fusha të sigurisë e të ligjit. Presim që ky Mision të vendoset në tërë vendin deri në dhjetor të këtij viti dhe që përfundimisht çdo pjesë e vendit tonë t’i shtrohet veprimit të ligjit, duke larguar referencat trazuese dhe ndërhyrëse të Beogradit që po vazhdojnë edhe mbas largimit të forcave serbe nga Kosova. Politika destabilizuese e Beogradit nuk i ndihmon as serbët dhe as rajonin.

Prandaj, unë thërras të gjithë liderët e rajonit, sikur edhe institucionet dhe qytetarët, që të bëjmë më shumë që kjo pjesë e Evropës Juglindore të shndërrohet në një shembull paqeje dhe stabiliteti e proseriteti.

Të nderuar deputetë,

Më lejoni në këtë rast solemn, që në emrin tim dhe të qytetarëve të Kosovës t’ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për ndihmën e madhe dhënë nga Shqipëria në të gjitha periudhat, që nga pavarësia e saj.

Ndjehemi të lumtur, se në këtë ndihmë ishit të gjithë bashkë, pozitë dhe opozitë, institucione dhe qytetarë. Mikpritja në Shqipëri në periudhën e luftës, është vetëm një nga rrezet e arta të humanitetit, dëshmi e traditës dhe virtyteve të larta të të qenit pjesë  e vlerave civilizuese.

Tashti ka ardhur koha që Kosova dhe Shqipëria si dy vende të lira dhe sovrane të pasurojnë dhe zgjerojnë edhe më shumë bashkëpunimin në të gjitha fushat. Përbashkësitë në planin kultural dhe arsimor, besoj do të njohin progres  të fuqishëm në vitet e ardhme.  Projektet e përbashkëta hulumtuese-shkencore që i përkasin identitetit nacional, do të pasurohen, për të reflektuar vlerat tona krijuese të së kaluarës dhe të së tashmes, duke bartur mesazhin  e dijes edhe për brezat  që vijnë.

Kjo vizitë e jona në Shqipëri, është edhe një inkurajim i veçantë për zhvillimin e bashkëpunimit të gjithanshëm që është duke u shtrirë në përmasa reale dhe me interes dypalësh. Kosova  e sheh Shqipërinë si një nga vendet më  strategjike për bashkëpunim dhe realizim të projekteve të përbashkëta dhe të mëdha ekonomike, nisur nga agrokultura, minierat, energjetika, turizmi, tregtia etj.

Vlerësoj se rimëkëmbja e plotë e Kosovës dhe Shqipërisë do të bëhet vetëm duke vënë në lëvizje potencialet njerëzore dhe resurset ekonomike, duke pasur institucione demokratike e plotësisht funksionale që do të mbështesin iniciativën dhe kreativitetin zhvillimor.

Dua të përmend me këtë rast, si tepër të rëndësishëm projektin e ndërtimit të  rrugës Durrës-Kukës, arterien e fuqishme të Kosovës për të pasur qasje në Detin Adriatik dhe në Mesdhe. Edhe institucionet e Kosovës po punojnë që pjesa e autostradës Kukës-Merdar, të fillojë sa më parë, në mënyrë që kjo arterie të bëhet një lidhje jo vetëm për vendet tona, por për gjithë rajonin dhe më gjerë.

Duke pasur parasysh synimin dhe perspektivën e zhvillimit sa më të shpejtë të vendeve tona, më lejoni të shfrytëzoj rastin që sot, poashtu, të përgëzoj Shqipërinë për të arriturat në procesin e anëtarësimit në NATO, si dhe hapat e rëndësishëm drejt anëtarësimit sa më të shpejtë dhe të plotë në BE.
 
E nderuara zonja Kryetare,
Të nderuar deputetë,
 
Ne realizuam projektin më të madh që kishin synim breza të tërë, një projekt që sot simbolizohet edhe me emrat e dy personaliteteve të mëdha - me dr. Ibrahim Rugovën, liderin shpirtëror dhe politik  të pavarësisë dhe Adem Jasharin, heroin legjendar. Por, ne kemi përpara sprova të mëdha, jo pak të vështira, për ta bërë Kosovën shtet plotësisht funksional, të qëndrueshëm politikisht e ekonomikisht, të sigurt për të gjithë qytetarët, pjesëtare të respektueshme të kombeve të lira në Evropë e në botë.

Ne e kemi vullnetin që ta bëjmë Kosovën një vend të zhvilluar, të lirë dhe demokratik. Ky vullnet është moto e  popujve që kanë në shpirt lirinë dhe respektin për të gjithë, në këtë botë sa diferente, po kaq edhe me pajtueshmëri vizionesh.

Shqipëria dhe Kosova si dy shtete evropiane janë pjesë reale dhe e fuqishme e këtij vizioni, që njejtësohet me liri, paqe dhe zhvillim.

Kosova dhe Shqipëria, sikur gjithë vendet e lira dhe demokratike, kanë një rrugë të përbashkët dhe në këtë rrugë për të mirën e qytetarëve dhe vendeve tona, ende kemi shumë për të bërë. 

Ju falemnderit!
 
Presidenti i Republikës së Kosovës
Dr. Fatmir Sejdiu