Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu në takimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën

I nderuari z. Feith,Të nderuar anëtarë të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën dhe vëzhgues nga BE-ja dhe NATO-ja,

Më lejoni t’ju përshëndes në emër të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës, duke ju falënderuar thellësisht ju dhe vendeve tuaja për njohjen e Republikës së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Po ashtu, shprehim falënderimet tona për mbështetjen e pazëvendësueshme që i keni dhënë dhe po i  jepni Kosovës në proceset më të rëndësishme që ajo i ka përjetuar dhe i ka përmbyllur bashkë me ju, siç është procesi i pavarësimit të vendit dhe zhvillimeve të tij si shtet sovran dhe demokratik.

17 shkurti i vitit 2008 paraqet momentin më të rëndësishëm në përmbylljen e një procesi të gjatë dhe jo të lehtë që ka pasur populli dhe institucionet e Kosovës dhe që po kështu shënon hyrjen e Kosovës në një epokë të re të zhvillimeve me përparësitë dhe sfidat që ka çdo shtet sovran dhe i pavarur në lindjen e tij.

Dua t’ju them se Kosova mbetet e përkushtuar në përmbushjen e zotimit të saj për t’u zhvilluar si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të saj duke pasur një respekt të veçantë dhe kujdes për komunitetet pakicë.

Siç jeni në dijeni, më 15 qershor ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akti më i lartë juridik i vendit. Mbi bazë të kësaj kushtetute dhe të Propozimit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, Parlamenti i Kosovës i ka miratuar dhe unë i kam dekretuar të gjitha ligjet që lidhen me implementimin e projektit Ahtisaari, si dhe një sërë ligjesh të tjera që janë pjesë komplementare e këtij procesi.

Prandaj, duke pasur parasysh këtë objektiv, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara thellë që kjo periudhë të përshkohet me një qasje jashtëzakonisht dinamike për zbatimin në praktikë të këtyre politikave.

Të nderuar pjesëmarrës,

Jemi të vetëdijshëm se në këtë kohë gërshetohen edhe shumë zhvillime të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me proceset e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën. Para disa ditësh, Sekretarit i Përgjithshëm i OKB-së ka inicuar procesin e rikonfigurimit të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, përkatësisht të UNMIK-ut, që ne e shohim si proces përmbyllës të kësaj pranie duke e konsideruar si një mision që ka dhënë kontributin e tij të madh në rimëkëmbjen e Kosovës nga viti 1999 e këtej. Prandaj, bartja e plotë e kompetencave në institucionet e Republikës së Kosovës, dhe në EULEX, në fushat që ky mekanizëm do t’i mbulojë sipas Propozimit të Ahtisaarit, do të shënjojë mbarimin e sukseshëm të këtij misioni. Ndërkohë, institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ushtrimin e këtyre kompetencave në përputhje të plotë me dispozitat kushtetuese dhe në bashkëpunim me prezencën e re ndërkombëtare, përkatësisht ICO-në dhe EULEX-in.

Republika e Kosovës tashmë është njohur nga 43 shtete anëtare të OKB-së dhe nga shumica dërmuese e shteteve të Bashkimit Evropian. Duke ju shpehur mirënjohjen tonë për mbështetjen e deritanishme në këtë proces, mbesim të bindur se qeveritë e vendeve tuaja do të na përkrahin edhe më tutje, në mënyrë që Kosova të njihet nga sa më shumë vende për të mundësuar anëtarësimin e saj në mekanizmat dhe në institucionet ndërkombëtare.

Konsiderojmë se njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës nga shtetet e rajonit përfundimisht do të krijonte stabilitet të qëndrueshëm në këtë pjesë të Evropës Juglindore dhe do të kultivonte edhe më tej marrëdhëniet e mira bilaterale mes Kosovës dhe këtyre vendeve. Ne jemi zotuar dhe do të punojmë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira me vendet fqinje dhe për relaksimin e raporteve ndërshtetërore me Serbinë. Por, Kosova është e vendosur që të ruajë sovranitetin e saj shtetëror dhe nuk do të pranojë kurrfarë dialogu me Serbinë për çështje që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës dhe që tashmë janë përmbyllur. Po kështu, ne i bëjmë thirrje qeverisë serbe që ta ndalë presionin ndaj qytetarëve serbë të Kosovës dhe të mos i pengojë ata që të bëhen pjesë aktive e jetës politike dhe shoqërore në vendin tonë.

Institucionet e Republikës së Kosovës do t’i bashkërendojnë veprimet me praninë e re ndërkombëtare si dhe mekanizmat e sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së integritetit territorial dhe shtrimit të autoritetit juridik në mbarë Kosovën. Në këtë kontekst, ripërsërisim fuqishëm se Kosova nuk mund të jetë vend i eksperimenteve politike, e aq më pak vend në të cilin mund të ushtrojnë pushtet strukturat paralele ilegale që nxiten, krijohen dhe ndihmohen nga Serbia. Prandaj, edhe një herë u bëjmë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të mos bien pre e manipulimeve politike të zyrtarëve të caktuar serbë që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe mbajtjen pezull të së ardhmes së rajonit.

Për fat të keq, që nga demonstrimet e dhunshme të 17 marsit, si pasojë e të cilave u plagosën shumë pjesëtarë të KFOR-it dhe policë ndërkombëtarë, ndërsa një ushtar ukrainas u privua nga jeta, nuk janë duke funksionuar pikat doganore në pjesën veriore të vendit. Përveç humbjeve të mëdha ekonomike, që arrijnë deri në 15 milionë euro në muaj, mosfunksionimi i shërbimit doganor në këta kufij e ka shndërruar këtë zonë në një hapësirë të krimit ekonomik të papenguar. Për ne kjo gjendje është tërësisht e papranueshme, ndaj kërkojmë fuqimisht kthimin e kontrollit, rendit dhe zbatimin e ligjit në këto pika doganore.

Të nderuar pjesëmarrës,
Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vetëdijshme për sfidat që i kemi para vetes, dhe në veçanti ato që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe integrimin e Kosovës në mekanizmat ekonomikë ndërkombëtarë. Shumë shpejt do të mbahet konferenca e donatorëve për Kosovën dhe ne presim të marrim një mbështetje të gjithanshme, e cila do të na ndihmojë në procesin e konsolidimit ekonomik të vendit dhe vazhdimin e forcimit të institucioneve demokratike, me theks të veçantë në sundimin e ligjit. Qeveria e Republikës së Kosovës, me ministritë përkatëse, ka detajuar projektet të cilat do t’i paraqesë në këtë konferencë. Ne besojmë se jetësimi i tyre do t’i jepte shtytje të fuqishme zhvillimit dhe përparimit të Republikës së Kosovës si një shtet i qëndrueshëm ekonomikisht dhe politikisht.

Si pjesë e zotimeve tona që i kemi dhënë lidhur me implementimin e Pakos së Ahtisaarit, para pak ditësh kam mbajtur një takim nismëtar me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile nga të gjitha komunitetet pakicë të Kosovës për të diskutuar themelimin e Këshillit Konsultativ për Komunitete, i cili do të veprojë në kuadër të Zyrës së Presidentit të Kosovës. Siç e kam thënë edhe në atë takim, ne jemi thellësisht të përkushtuar që të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjitha komunitetet, në mënyrë që brengat e tyre t’i adresojmë për zgjidhje në institucionet komunale dhe qendrore të vendit.

Institucionet e Kosovës po punojnë intensivisht për themelimin e të gjithë organizmave të tjerë që përbëjnë themelet e shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës, e njëra ndër to është Forca e Sigurisë e Kosovës, e cila do të ndërtohet dhe do të funksionojë sipas parametrave të NATO-s, anëtare e së cilës synon të bëhet sa më parë. Ne do t’i marrim të gjitha veprimet e nevojshme edhe për ndërtimin e mekanizmave të tjerë të sigurisë dhe për përmbushjen e të gjitha zotimeve tona në përputhje me Propozimin e Ahtisaarit, mirëpo nuk do të pranojmë asnjë veprim që bie ndesh me të.

Integrimi i plotë i Kosovës në mekanizmat euro-atlantike është synim parësor yni. Do të punojmë me përkushtim të thellë për përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme për arritjen e këtij objektivi, që së shpejti edhe Kosova të jetë faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit jo vetëm në rrafshin rajonal, por edhe në atë ndërkombëtar. Krahas ecjes së vendosur drejt integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO, jemi këmbëngulës për ruajtjen dhe thellimin e miqësisë së veçantë dhe të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të BE-së e të botës demokratike, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme për vendin tonë.

Ju faleminderit!