FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DR. FATMIR SEJDIU, NË SEANCËN SOLEMNE TË MIRATIMIT TË KUSHTETUTËS SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Para dy ditësh, pas certifikimit nga ana e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, z. Pieter Faith, të Projekt-kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe prezantimit e nënshkrimit solemn nga ana e Komisionit Kushtetutes, të cilin e kam mandatuar muaj më parë, kemi kërkuar nga Kuvendi i Republikës që sot, në seancë solemne dhe të jashtëzakonshme, të miratohet akti më i lartë juridik i shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës – Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Prishtinë, 9 prill 2008

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi,
I nderuari Kryeministër i Kosovës, z. Hashim Thaqi,
I nderuari Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, z. Faith,
Të nderuar ambasadorë dhe udhëheqës të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar deputetë dhe ministra të Republikës së Kosovës,
Të nderuar anëtarë të Komisionit Kushtetues,
Zonja dhe Zotërinj:

Në vazhdën e zhvillimeve jashtëzakonisht të rëndësishme dhe historike për Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare nga një numër i madh vendesh të botës demokratike, dita e sotme po kështu shënon një moment të veçantë në përmbylljen e ciklit të shtetndërtimit të Kosovës.

Para dy ditësh, pas certifikimit nga ana e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, z. Pieter Faith, të Projekt-kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe prezantimit e nënshkrimit solemn nga ana e Komisionit Kushtetutes, të cilin e kam mandatuar muaj më parë, kemi kërkuar nga Kuvendi i Republikës që sot, në seancë solemne dhe të jashtëzakonshme, të miratohet akti më i lartë juridik i shtetit sovran dhe të pavarur të Kosovës – Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Ky dokument, me peshën e vetë të veçantë, sa mund të quhet me të drejtë përmbyllje e procesit shtetndërtues të Kosovës, po kaq, në të njëjtën kohë, në bazament të qëndrueshëm formal dhe juridik dhe esencial e fut Kosovën në rrafsh të ri të zhvillimeve shtetërore, politike dhe juridike. Kushtetuta e Republikës së Kosovës në po të njëjtën kohë hap horizontin dhe mundësinë tonë për përballje me sfidat e shumta që do të kapërcehen duke e dëshmuar fuqishëm qëndrueshmërinë e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovë, të cilat edhe në rrugën e deritanishme kanë dëshmuar seriozitetin dhe këmbëngulësinë për veprim të sukseshëm në realizimin e interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës si projekt i ofruar para jush ka dy dimensione të rëndësishme që e përcjellin gjithë strukturën e saj të brendshme duke u shtruar si gërshet i sukseshshëm i parimeve më të rëndësishme të ndërtimit të kushtetutave bashkëkohëse, por edhe si vëmendje e posaçme kushtuar pozitës së individit dhe qytetarit të Republikës së Kosovës mbi bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare.

Të nderuar deputetë:

Komisioni Kushtetues në këtë projekt ka arritur që suksesshëm të bëjë inkorporimin e zotimeve themelore që institutcionet e Kosovës, pra ky Kuvend si sovran i popullit, kanë dhënë në relacion me dokumentin më të rëndësishëm të procesit ndërkombëtar për statusin e Kosovës - Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari.

Andaj, garancitë e dhëna për pozitën e komuniteteve pakicë shprehin po kështu qëndrimin e qartë të institucioneve të Kosovës për zbatimin e tyre në jetën praktike si pjesë e dëshmisë dhe e përkushtimit të qytetarëve të shumicës, por edhe vetë institucioneve për ndërtimin e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur - si atdhe i të gjithë qytetarëve pa dallim etnie.

Kjo është qasja fundamentale që Kosova ka ndaj njerëzve të saj duke hapur me këtë paralelisht horizontin e ri të qasjes së vet për ta shpejtuar hapin drejt procesit të integrimeve euroatlantike, gjithmonë duke pasur parasysh parimin se larmia shumetnike e një vendi dhe respekti i veçantë ndaj pakicave paraqet begati në vlera dhe përmasa universale dhe që sjell respektin e ndërsjellë në botën demokratike.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, thënë më së thjeshti, është çelësi themelor mbi të cilin do të mbështeten zhvillimet e mëvonshme edhe të ndërtimit, edhe të funksionimit të institucioneve demokratike të Kosovës dhe të zbërthimit të veprimtarisë së tyre në një korpus të veçantë mbështetës legjislativ që duhet të pasohet me numër të pandërprerë të ligjeve që mbulojnë dhe rregullojnë të gjitha fushat e jetës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, bashkë me ligjet që do të derivohen nga kjo Kushtetutë, do të jetë garancia kryesore e ndërtimit të Kosovës si shtet i mirëqenies ekonomike, i cili do të zhvillohet edhe më tej në përputhje me parimet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë e të drejtë. Me miratimin e kësaj Kushtetute dhe ligjeve bazike që promovojnë këto parime dhe investimet e jashtme, do të hapen mundësi të reja për shfrytëzimin e potencialeve që Kosova i ofron dhe për hyrjen e saj në Evropë si shtet i qëndrueshëm ekonomikisht. Mbi bazën e këtyre parimeve dhe duke pasur parasysh ndërtimin e gjithë strukturës institucionale përgjegjëse për zbatimin e tyre, Republika e Kosovës do të kapërcejë më shpejt edhe rrugën drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Të nderuar deputetë:

Në këtë ditë solemne, dua të shpreh konsideratat e mia më të larta për punën e suksesshme që ka bërë Komisioni Kushtetues, për nivelin e lartë të bashkëpunimit të ndërsjellë që kanë pasur përfaqësuesit e të gjitha partive politike dhe shoqërisë civile duke rezultuar me një gërshetim të mirë të ideve dhe ekspertizës së të gjithë anëtarëve, duke dëgjuar gjithashtu edhe zërin e qytetarëve të Republikës së Kosovës gjatë periudhës së konsultimeve publike për tekstin e Projekt-kushtetutës.

Gjithashtu, shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time për përkrahjen e parezervë të ekspertëve ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zyra Civile Ndërkombëtare dhe të gjitha shtetet mike të Kosovës, të cilët njëjtë sikur edhe në të gjitha fazat e mëhershme të rëndësishme për vendin tonë, na mbështetën edhe në përgatitjet për këtë akt të shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.

Përfundimisht, ju uroj juve, të nderuar deputetë, dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që kemi privilegjin t’i takojmë kësaj gjenerate që po miratojmë aktin më të lartë juridik të shtetit më të ri të botës, pas sakrificave të brezave të shumtë për këtë ditë të rëndësishme.

Ju faleminderit!