Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu në përvjetorin e tretë të shkuarjes në amshim të Presidentit Historik, Ibrahim Rugova

Jemi mbledhur sot për të përkujtuar e për të nderuar Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

E nderuara Familje Rugova,
I nderuari Kryeministër Thaçi,
I nderuari Kryetar i Parlamentit të Kosovës, z. Krasniqi,
I nderuar Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, z. Faith
I nderuar shefi i Misionit EULEX, z. Ive de Kermabon
Të nderuar ministra e deputetë të Kosovës,
Të nderuar kryetarë komunash dhe përfaqësues të jetës politike, shkencore, kulturore e fetare,
Zonja dhe zotërinj,  


Jemi mbledhur sot për të përkujtuar e për të nderuar Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, i futur në politikë nga bota e dijes dhe e kulturës, Rugova shpejt doli në krye të lëvizjes sonë të madhe për pavarësinë e Kosovës. Ai e emancipoi mendimin politik, e legalizoi dhe e institucionalizoi vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran. Rugova u pranua si përfaqësues autentik i Kosovës në të gjitha zyrat e mëdha në Evropë e në Amerikë, edhe pse vendi që ai përfaqësonte nuk njihej në mënyrë zyrtare. Ai e krijoi në mënyrë brilante pushtetin moral në një kohë kur Serbia ushtronte pushtetin e hekurt policor e ushtarak në Kosovë. 


Rugova inspiroi dhe kultivoi disiplinë e kulturë shtetërore. Ai e bëri Kosovën me shumë miq, në një kohë kur Kosova mbahej nën rrethimin e hekurt. Sot, pa hezitim mund të konstatojmë se ndikimi i filozofisë së tij politike i ka kapërcyer kufijë e vendit, kështu që krahasimi me figura që shënuan epoka, si Gandi, Martin Luter Kingu, Uashingtoni etj., kurrsesi s’është çështje rasti.

Zonja dhe zotërinj,
Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,


Ibrahim Rugova është njeriu e politikani me të cilin identifikohet Kosova moderne. Ai qe një prijës, një prijës politik, po njëkohësisht edhe një bartës e krijues i një fryme, një njeri që bëri epokë, duke u shndërruar në simbol të saj. Rugova, njeri me një natyrë të brishtë poeti e intelektuali, u bë zëri i kërkesës së popullit të Kosovës për liri, demokraci e pavarësi. Një zë i fuqishëm që nuk ndryshoi asnjëherë. Të folurit e tij me kohë u dendësua. Ai u bë i qartë dhe konkret, ashtu siç e kishte vizionin. Ndaj, parashikimi e proklamimi i tij parësor: Kosova e pavarur, e inkuadruar në Bashkimin Evropian e në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bë me kohë formula e artikulimit politik të synimeve të lëvizjes sonë të madhe për liri e pavarësi. Një platformë politike e kondensuar në disa fjalë, një program politik e nacional që i bashkoi të gjithë shqiptarët e Kosovës në rezistencën e tyre dhjetëvjeçare kundër shtypjes e dhunës sistematike, në solidaritetin e papërsëritshëm me njëri-tjetrin.


Ibrahim Rugova, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i Republikës së Kosovës, doli i pari në dy palë zgjedhje nacionale e presidenciale të mbajtura në Kosovën e viteve ’90. Ato zgjedhje ishin referendum i përsëritur i përcaktimit për pavarësi, kurse mbështetja e madhe që i jepej dr. Rugovës shprehte pajtimin e popullit të Kosovës me vizionin që ai udhëhiqte. Prijësi dhe populli që e përkrahte kishin arritur një ujdi, çështja e Kosovës të zgjidhej me mjete politike e paqësore. Në një Ballkan të kapluar nga flakët e luftës, Rugova thërriste për pajtim, urtësi e durim dhe pikërisht për këtë qëndrim bota e admironte. Fitoren ai e synonte me mjete diplomatike, ndonëse e njihte shumë mirë frymën heroike të etnisë që i takonte. Ndaj, ai inicoi edhe krijimin e strukturave të mbrojtjes së Kosovës.


Rugova synonte ruajtjen e substancës fizike të popullit të tij të kërcënuar, ndaj ndoqi me konsistencë udhën e humanizmit e të lirisë njerëzore universale. Kjo filozofi politike i krijoi Kosovës shumë miq në botë, të cilët, në momentin vendimtar, e kuptuan dhe e mbështetën kauzën së lirisë së Kosovës. Miqtë me të cilët na afroi kaq shumë Presidenti Rugova janë edhe sot këtu me ne. Kjo besëlidhje me ta është jetike për Kosovën dhe për të ardhmen e saj, ashtu siç ishte më 1999, kur Kosovës iu zgjat dora e shpëtimit në orën më të muzgët të historisë sonë, kur popullit të Kosovës po i kanosej zhbërja. 


Të nderuara zonja e zotërinj,


Presidenti Ibrahim Rugova na la një trashëgimi të begatshme politike, një testament politik, i cili njëkohësisht është edhe vizioni i këtij vendi për të ardhmen. Sot, në trevjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit Rugova, mund të pohojmë se vizioni i tij politik për Kosovën shtet të lirë, sovran e demokratik është përmbushur. Kosova po i afrohet përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë, e cila tashmë është njohur nga 54 shtete demokratike anekënd globit. 


Republika e Kosovës ka shprehur zotimin e saj se do të punojë me përkushtim për arritjen e standardeve të kërkuara për integrim sa më të shpejtë në strukturat euroatlantike. Ky zotim është përfshirë edhe në Kushtetutën moderne të vendit, në të cilën kanë gjetur vend mbi 40 ligje që dalin nga Propozimi Gjithëpërfshirës i Presidentit Ahtisari. Pa dyshim, kjo paraqet një cilësi të veçantë për vendin tonë, i cili po bëhet model i garantimit kushtetues të të drejtave dhe lirive për të gjithë qytetarët pa dallim kombi a besimi. Ndërkohë, institucionet e Republikës së Kosovës, të ndihmuara si përherë nga vendet tona mike, ShBA-ja, BE-ja dhe vendet e tjera demokratike e liridashëse, po punojnë me tërë potencialin që numri i njohjeve të rritet. Ne besojmë se brenda një afati të shkurtër Kosova do të jetë anëtare e institucionevetë rëndësishme monetare ndërkombëtare, siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Sivjet, bashkë me buxhetin e rritur të Republikës së Kosovës, me ndihmën shumë të mirëseardhur nga Konferenca e Donatorëve të Kosovës dhe me punën e biznesit privat, anëtarësimi në këto institucione do të jetë një nxitje më shumë për progresin dhe stabilitetin e përgjithshëm ekonomik, i cili është kusht i rëndësishëm edhe për paqen dhe harmoninë sociale në vend.


Fare në fund, më lejoni të theksoj se vepra jetësore intelektuale e politike e Ibrahim Rugovës, këtij njeriu të madh të Kosovës dhe të frymës humaniste moderne, po përjetësohet çdo ditë në Republikën e tij të pavarur e sovrane, të cilën ai e ideoi me mençuri, urtësi dhe këmbëngulje të jashtëzakonshme. Duke e forcuar shtetin e ri të Kosovës ne i shprehim mirënjohjen tonë të gjithmonshme Presidentit historik Ibrahim Rugova. Duke i nderuar miqtë e tij të shumtë kudo në botë, ne e ruajmë dhe e forcojmë atë trashëgimi të madhe që na ka lënë Ai, e cila është emblema më e mirë e Kosovës së sotme, të ardhshme dhe të përjetshme.

Zoti e bekoftë Presidentin Rugova!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!
Zoti i bekoftë miqtë tanë të mirë!