Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, në Akademinë përkujtimore për Luan Haradinajn

E nderuar familje Haradinaj, Të nderuar bashkëluftëtarë të Luan Haradinajt, Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të misioneve ndërkombëtare në Kosovë,Zonja dhe zotërinj,

I.
Manifestimet e tilla përkujtimore na e risjellin ndërmend se sa e vështirë, sa e rëndë dhe e dhembshme ka qenë lufta jonë e gjatë për liri. Kauza e lirisë ishte pika orientuese dhe bashkuese e të gjithë shqiptarëve të Kosovës teksa përfyteshin me gjithfarë vuajtjesh, shtypjesh e mizorishë gjatë gjithë shekullit XX.

Me idealin e lirisë flijuan jetën e tyre shumë bijë e bija të Kosovës edhe në luftën e fundit, më 1998 dhe 1999, ndërsa emri i Luan Haradinajt renditet ndër figurat më të spikatura të kësaj lufte, përkrah Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Agim Ramadanit, Sali Çekut e shumë të tjerëve.

Emrat e heronjve dhe të dëshmorëve tanë sot gjenden në librat e në tekstet shkollore, në institucionet e arsimit, në rrugët dhe në sheshet e Kosovës, si dëshmi e së kaluarës sonë, por poaq edhe si shenjë e kujtesës sonë kombëtare, si një kryengritje krenarie kundër pikëllimit që mund të na ligështojë në çaste të tilla pikëllimi.

Për fatin tonë, në kujtesën dhe në historinë tonë, kemi mjaft pika të ndritshme, të cilave mund t’u referohemi gjithmonë, sa herë që të na pushtojë trazimi shpirtëror i nxitur nga ndjenja e dhembjes së madhe për humbjen e njerëzve tanë. Një pikë e tillë pa dyshim që është jeta dhe lufta e Luan Haradinajt, të cilin unë, duke u bazuar në kompetencat që kam si president i vendit, e kam dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës”. Le të shërbejë kjo dekoratë për Luanin edhe si një nderim i veçantë për të gjithë ata luanë të tjerë të luftërave për lirinë e Kosovës, për të gjithë ata atdhetarë e veprimtarë të shquar, të cilët e shkruan përgjithmonë emrin e tyre në panteonin e vlerave të përbotshme të kombit, duke flijuar gjithçka që kishin për kauzën kombëtare dhe lirinë e vendit. E tillë është edhe familja Haradinaj, e cila dha aq shumë për lirinë e Kosovës dhe po vazhdon të japë edhe sot ndihmesën e vet për forcimin e shtetit të pavarur e demokratik të Kosovës.

II.
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore

Më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë. Pa ekzagjeruar aspak, mund të pohojmë lirisht se bota demokratike e përqafoi me një ritëm të panjohur deri më sot shtetin e ri - Republikën e Kosovës. Tridhjetë e tetë vende, nga të gjitha kontinentet e globit, tashmë e kanë njohur zyrtarisht Kosovën, ndërsa shumë të tjera kanë paralajmëruar gatishmërinë për ta njohur.

Ndërkohë, pas kësaj date madhore të historisë sonë, Ditës së Pavarësisë, institucionet e Republikës së Kosovës kanë përfunduar me sukses ciklin e shtetformimit, duke marrë në konsideratë rekomandimet që dolën nga propozimi i Presidentit Ahtisari.

Dhe, tani, synimi ynë parësor është integrimi sa më i shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke e ruajtur dhe duke e thelluar edhe më shumë miqësinë e përhershme dhe të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përputhje të plotë me vizionin e  strategut politik të pavarësisë së Kosovës, Presidentit tonë historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe të bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, heroit të Kosovës, akademik Fehmi Aganit, i cili sot mbush nëntë vjet të shkuarjes në amshim.

Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës kanë besim të fuqishëm se procesi i njohjes së pavarësisë do të vazhdojë me intensitet të njëjtë, sepse nuk ka asnjë arsye për të mos e pasur këtë besim. Shtetet më të përparuara të botës, mike dhe aleate të Kosovës, të cilat na ndihmuan për të arritur pavarësinë, do të na ndihmojnë edhe në procesin e forcimit dhe të njohjes së shtetit tonë nga ato vende që tani për tani po hezitojnë ta pranojnë Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës. E, ndërsa vendi ynë pret njohje të reja, institucionet tona do të punojnë me kapacitetin e tyre të plotë për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë, si kusht për stabilitet të brendshëm të vendit dhe hapje të perspektivave të reja për zhvillim ekonomik dhe progres të përgjithshëm.

III.
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës

Siç e dini, më 15 qershor do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Do të jetë kjo një datë tjetër e rëndësishme e historisë sonë më të re, sepse Kosova, përfundimisht, do të jetojë e do të vetëqeveriset me ligjet e veta, të cilat do të burojnë e do të bazohen në Kushtetutën e saj, në aktin më të lartë juridik, që sublimon vullnetin politik dhe aspiratat e popullit të një vendi.
  
Nga ajo ditë, do të nisë etapa finale e institucionalizimit të pavarësisë së Kosovës, rezultat i flijimeve e sakrificave të pafundme të shumë e shumë brezave të njerëzve të mirë të Kosovës.

E kam thënë edhe më parë, dhe të më lejohet ta përsëris edhe sot, këtu para jush, liria dhe pavarësia e Kosovës do t’u sjellë paqen e përhershme të gjithë pjesëtarëve të kombit: atyre që kanë shkuar në përjetësi dhe prehen në dheun e Kosovës, por edhe bashëkohanikëve e pasardhësve të tyre.

Nga ky vend, ritheksojmë pa ekuivoke se institucionet e Republikës së Kosovës do të kujdesen institucionalisht për t’i nderuar ashtu si e meritojnë të gjithë ata që u flijuan për misionin e shenjtë, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për lirinë e të gjithë qytetarëve të saj. Institucionet demokratike të vendit, subjektet politike dhe të gjithë mekanizmat e  tjerë shtetërorë, do të shpiejnë Kosovën drejt integrimeve euroatlantike, për ta përmbyllur kështu misionin e madh të bashkimit me familjen e madhe të kombeve të lira dhe kthimin në gjirin e vet të natyrshëm perëndimor. Kjo ditë s’do të jetë e largët dhe ne do të punojmë pa asnjë kursim që kjo aspiratë jona legjitime të përmbushet sa më parë!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës!
Ju faleminderit!