Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës Dr. Fatmir Sejdiu me rastin e Shënimit të 9 majit - Ditës së Evropës

I nderuari Kryetar i Kuvendit z. Krasniqi,I nderuar z. Rucker,Të nderuar përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tij në Kosovë z. Feith dhe z. Davidi,Të nderuar zv/Kryeministra Kuçi dhe Manaj dhe përfaqësues tjerë të institucioneve të vendit e të misioneve diplomatike,Zonja dhe Zotërinj,

I nderuari Kryetar i Kuvendit z. Krasniqi,
I nderuar z. Rucker,
Të nderuar përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tij në Kosovë z. Feith dhe z. Davidi,
Të nderuar zv/Kryeministra Kuçi dhe Manaj dhe përfaqësues tjerë të institucioneve të vendit e të misioneve diplomatike,
Zonja dhe Zotërinj,   

Kur në vitin 1950 me idenë e Ministrit Schuman u vu themeli i asaj që tani quhet Bashkim Evropian, parimet mbi të cilat u ndërtua ky bashkëpunim ishin paqja dhe solidariteti midis shteteve dhe popujve të Evropës. Edhe pse ishte e qartë se integrimi i plotë evropian nuk do të realizohej shpejtë, shtetet ishin përcaktuar drejt bashkëpunimit për një të ardhme më të mirë evropiane duke ndërthurur këto vlera që reflektohen në çdo sferë të zhvillimit të BE-së edhe sot, e që paraqet një ndër shembujt më të mirë të prosperimit të shteteve dhe promovimit të vlerave bashkëkohëse edhe më gjerë, në kontribuim të paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe në botë.

Në vazhdën e procesit të tij të zgjerimit, Bashkimi Evropian i ka hapur de fakto Kosovës rrugën për antarësim në momentin e njohjes së pavarësisë së saj nga shumica e shteteve anëtare. Mbështetja e gjërë e këtyre shteteve, që ka qenë e pranishme gjatë gjithë procesit e që kulmoi me procesin e njohjes, i hap rrugën perspektivës së zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës dhe me përkrahjen e saj ndihmon realizimin e përcaktimit tonë për integrim, që padyshim përbën qasjen tonë themelore për zhvillim dinamik si shtet demokratik. Në anën tjetër, hyrja e Kosovës në Bashkimin Evropian do të thotë krijim i shanseve të reja për avancim dhe mundësi për të konsoliduar vlerat tona të lirisë, demokracisë dhe respektimit të të drejtave dhe lirive njerëzore e të komuniteteve pakicë. Bashkërendimi i këtyre vlerave në linjë me standardet dhe vlerat bashkëkohëse ndërkombëtare esencialisht do t’i kontribuojë njëlloj paqes dhe stabilitetit të përgjithshëm. Gjithë këto vlera janë të vendosura në parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe shprehin përkushtimin tonë themelor për realizimin praktik të tyre.

Dua të theksoj se edhe deri tani Kosova ka dëshmuar gatishmërinë, punën dhe seriozitetin e saj në përmbushjen e kritereve të përgjithshme që janë në përputhshmëri të plotë me standardet evropiane. Megjithatë, Kosova është poashtu e vetëdijshme se nga ky proces dalin përgjegjësi të shumta e kritere që duhet përmbushur. Por, duhet thënë se realizimi i objektivit mbështetet plotësisht në përkushtimin e plotë të institucioneve të vendit dhe të shoqërisë tonë për t’i përmbushur këto kritere që hapin perspektivën për zhvillimin tonë të mëtutjeshëm.

Kyçja jonë në procesin e integrimit në BE dhe më gjerë, krahas punës sonë do të presë mbështetjen e gjithë miqve tanë siç ka qenë investimi i tyre i gjatë në rindërtimin e Kosovës. Është me rëndësi që ky përkushtim njihet dhe vazhdon të mbështetet edhe nga njohjet që sa vijnë e i shtohen shtetit të pavarur të Kosovës duke dëshmuar kësisoj seriozitetin tonë për të bashkëpunuar me gjithë vendet e botës demokratike në kontribut të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të përgjithshëm. Ndërkaq Kosova është e vetëdijshme se paqja dhe stabiliteti në rajon që pastaj do t’i kontribuonin mirëqenies së përgjithshme në Evropë dhe më gjerë, mbështeten edhe në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me gjithë shtetet fqinje, përcaktim ky që Kosova ka marrë që kohë.

Zonja dhe Zotërinj,
Le të kujtojmë sot nismën e gjithë këtij projekti të bashkëpunimit dhe integrimit evropian si shembull historik të asaj se si arrihen qëllimet madhore falë bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë midis vendeve në familjen e madhe të kombeve të lira. Pokështu, le të jetë kjo një ditë kur ne i kujtojmë vetes dhe i dëshmojmë botës se afirmimi i vlerave tona ka perspektivën e vet drejt integrimit në strukturat euro-atlantike për të cilën është punuar gjatë. Vetëm një Evropë e bashkuar në të cilën vazhdon të mbizotërojë paqja në marrëdhëniet midis shteteve mund të sjellë paqë, stabilitet dhe prosperitet të përgjithshëm për Evropën dhe për botën.

Zonja dhe Zotërinj,
Në këtë kryqëzim vlerash e idenitetesh, Kosova po e rigjen vendin e vet politik në Evropë duke kujtuar se kulturalisht e shpirtërisht kemi qenë këtu prej fillimeve, herët në antikë. Sot Kosova është e gatshme të lëvizë fuqishëm në drejtim të forcimit të bashkëpunimit të saj me BE-në dhe kështu më shpejt të kapërcejë rrugën për antarësimin e saj në BE dhe NATO.

Ju faleminderit!