Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, me rastin e ceremonisë së diplomimit të studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë

Gjithmonë ndihem i gëzuar kur gjendem në mesin e të rinjve e sidomos në këso rastesh kur shoh t’i jepni fund një pjese qenësore të studimeve tuaja për të vazhduar me marrjen e përgjegjësive të reja në nisjen e karrierës tuaj të gjatë profesionale.

I nderuar Dr. Chris Hall, Drejtor i Universitetit Amerikan në Kosovë,
I nderuar z. Soren Jessen Petersen, mik i madh i Kosovës,
Ambasador Dell dhe Wailker,
Të nderuar anëtar të Bordit,
Të nderuar profesorë dhe punonjës të Universitetit,
Deputet dhe Ministra,
Të dashur studentë,
Të nderuar familjarë dhe pjesëmarrës të këtij solemniteti të diplomimit,

 

Gjithmonë ndihem i gëzuar kur gjendem në mesin e të rinjve e sidomos në këso rastesh kur shoh t’i jepni fund një pjese qenësore të studimeve tuaja për të vazhduar me marrjen e përgjegjësive të reja në nisjen e karrierës tuaj të gjatë profesionale.

Në 10 vjetët e fundit në Kosovë janë bërë ndryshime në arsimin e lartë, gjithnjë me fokus në përafrimin e kërkesave të dijes dhe tregut të punës. Në këto vjet u bënë shumë ndryshime në fushën e legjislacionit, kurrikulës dhe mjediseve edukative, të cilat krijuan mundësinë e një konkurrence aktive dhe kreative në arsimin e lartë. Sot, jemi më afër standardeve bashkëkohëse duke u bërë pjesë e një tregu ndërkombëtar ku dominon cilësia dhe konkurrenca.

Universiteti Amerikan, ishte institucioni i parë i arsimit të lartë që erdhi me standardin dhe përvojën e studimeve të shkollës amerikane. Ai bashkoi cilësi të larta të punës arsimore dhe kërkimore shkencore të profesorëve, asistentëve dhe studentëve. Kësisoj, shumë ekspertë të rinj nga Kosova dhe rajoni që janë fryt i Universitetit tuaj, janë bërë edhe kontribuues aktivë në zhvillimin e vendit tonë dhe të rajonit. Ndërsa, bashkëpunimi ligjërues vendi dhe ndërkombëtar ka ndihmuar në ngritjen e cilësisë edhe në fushën e mësimdhënies që është proces paralel i zhvillimit të arsimit në Kosovë.

AUK është një shembull i mirë i ndërtimit të partneriteteve aktive. AUK kontribuoi në rritjen e lirisë akademike dhe krijimit të një vizioni të ri se çfarë rezultate mund të japë autonomia akademike në përputhshmëri me përgjegjësinë publike. Duke ofruar studime të cilësisë së lartë, me kuadro që kanë dalë deri tani, të cilëve sot u bashkoheni edhe ju, AUK ka dhënë një kontribut të madh në ngritjen e mirëqenies së vendit tonë.

Si vend me popullsinë më të re në Evropë, ne synojmë të arrijmë nivel më të lartë të vijimit të studimeve të larta nga të rinjtë sepse vetëm kësisoj mund t’i bëjmë ballë sfidave të së ardhmes. Sot, kur më nuk ekzistojnë barrierat që ne si gjeneratë e mëhershme i kemi pasur, duam që të gjithë të rinjtë dhe të rejat tona të bëhen konkurrentë me moshatarët e tyre në Evropë dhe botë. Një popullatë e re dhe e arsimuar mirë do të jetë çelësi kryesor në realizimin e shumë reformave të nevojshme për zhvillimin e vendit tonë. Vetëm me  kuadro të përgatitura me dije bashkëkohore do të mund t’i menaxhojmë vetë shumë projekte, të cilat çojnë në një prosperitet më të mirë për të gjithë. AUK pikërisht po luan rol të madh në krijimin e ekspertëve që do të jenë bartës të projekteve të mëdha të së ardhmes së Kosovës dhe rajonit.

Shpresoj që shumë e shumë të rinj si ju të kenë mundësi të barabarta për të vijuar studimet në një institucion si ky, duke hapur rrugën për të vazhduar përpjekjet në kërkim të zgjerimit të dijes universale, e cila nuk njeh kufij. Presim që edhe ata studentë të cilët po studiojnë në universitetet e botës të vazhdojnë të kthehen, sepse Kosova ka shumë nevojë për ata. Kosova është atdheu i tyre. 

Të dashur studentë,

Sot ka përfunduar një rrugëtim i gjatë për ju dhe nesër fillon një tjetër po aq i rëndësishëm. Unë ju dëshiroj shëndet, fat dhe suksese në karrierën tuaj profesionale duke qenë i bindur se do të jepni kontribut të madh për Kosovën dhe zhvillimin e saj. Juve prindër, ju inkurajoj dhe përgëzoj për investimin që keni bërë në edukimin e fëmijëve tuaj. Suksesi i tyre i treguar është sukses edhe i juaji dhe i gjithë Kosovës.
Urime diplomimin dhe shumë suksese në të ardhmen!
 
Faleminderit!