Fjala e Presidentit të Kosovës Dr Fatmir Sejdiu në shënimin e Ditës Botërore të Popullsisë

Institucionet e vendit do të punojnë me përkushtim që Kosova të zhvillohet dhe të ketë prosperitet të hovshëm në mënyrë që sa më parë të bëhet pjesë e barabartë e familjes së vendeve të zhvilluara evropiane.

E nderuar shefe e Zyrës së UNFPA-së, zonja Bologa,
E nderuar  zëvendës ministre e shëndetësisë,  zonja Mustafa,
Të nderuar pjesëmarrës,


Është kënaqësi për mua t’iu drejtohem në shënimin e Ditës Botërore të Popullsisë që sivjet po e shënojmë për herë të parë në Kosovën e pavarur e të njohur ndërkombëtarisht.

Sot, kur e shënojmë këtë ditë, ne e theksojmë përkushtimin tonë, të institucioneve të Kosovës,  për dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për të jetuar të lirë, si e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës sonë të miratuar së fundi.

Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në promovimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave, duke pasur parasysh  edhe përmirësimin e shëndetit, luftimin e varfërisë  dhe në veçanti fuqizimin e gruas në shoqëri, si dhe ngritjen e arsimimit dhe zhvillimit në përgjithësi. Gëzimi i të drejtës për jetë të shëndoshë dhe shanse të barabarta është e drejtë e secilit njeri pa dallim gjinie, race,etnie, religjioni  a moshe.

Sot kur po e shënojmë Ditën Botërore të Popullsisë, më lejoni të theksoj rolin e Fondit për Popullsi të Kombeve të Bashkuara - UNFPA, e cila që nga viti 1999 si një agjenci udhëheqëse në lidhje me shëndetin riprodhues në Kosovë, ka luajtur një rol të çmueshëm në përmirësimin e  kushteve bazike shëndetësore për gratë dhe për foshnjat e sapolindura.
Kosova, për pasojë të të kaluarës së saj të vështirë, është ballafaquar me një varg sfidash në të gjitha fushat e jetës, prandaj edhe  në  fushën e shëndetit riprodhues.

Mortaliteti maternal është një shqetësim për shoqërinë kosovare, prandaj redukimi  i tij mbetet një preokupim parësor institucional. Zvogëlimi i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së popullatës është objektiv që synohet të arrihet nëpërmjet zhvillimit dhe ngritjes së kualitetit të shërbimeve shëndetësore sipas standardeve bashkëkohore.

Fillimi i shëndetshëm i jetës mbetet prioritet i parë i politikave shëndetësore, ndërsa është bërë një kornizë e mirë politike e legjislative për shëndetin riprodhues, veçanërisht me tri ligjet që drejtpërdrejt prekin çështjet e lidhura me shëndetin riprodhues. Rregullimi i shëndetit riprodhues është shumë kompleks dhe kërkon qasje shumëdimenzionale dhe multisektoriale.  Kjo është kuptuar dhe mund të themi se reflektohet edhe në politikat e legjislacionin e tanishëm të Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë e ka komponentën reproduktive  të përfshirë në Strategjinë Shëndetësore të Kosovës, ndërsa sfidat mbesin në përgatitjen  e kapaciteteve, në planifikimin dhe alokimin e resurseve për të implementuar këtë strategji, si dhe për të vënë në jetë ligjet e aprovuara nga Parlamenti, që kanë të bëjnë  me  shëndetin riprodhues.

Forcimi i kapaciteteve institucionale për qasjen, kualitetin dhe ofrimin e shërbimeve të shëndetit riprodhues, vazhdon të mbetet prioritet, sikur edhe forcimi i kapaciteteve institucionale për mbledhjen, analizën dhe zbatimin në praktikë të të dhënave mbi popullsinë. Përdorimi i të dhënave për popullsinë është i rëndësishëm për politikat dhe programet për të redukuar varfërinë dhe për të siguruar mirëqenien shëndetësore të të gjthë qytetarëve.
Me këtë rast duhet theksuar se fatkeqësisht Kosova për një periudhë të gjatë prej deceniesh nuk ka pasur një regjistrim të popullsisë. Regjistrimi i popullsisë tashmë është vendosur si prioritet nga Qeveria, duke pasur parasysh rëndësinë jetike që ka ky proces për zhvillimin e shumanshëm të Kosovës. Përmbushja e këtij prioriteti do të mundësojë krijimin e një baze të qëndrueshme statistikore, që do të lehtësojë dukshëm hartimin e politikave zhvillimore të vendit.

Të nderuar të pranishëm,
Më lejoni të theksoj se si një shtet i ri,  ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar të thellojmë kontributin dhe investimin në shëndetin riprodhues,  të punojmë në përmbushjen e Synimeve të Zhvillimit te Mileniumit (MDG’s), si dhe të standardeve të përfshirjes sociale të BE-së.

Institucionet kosovare janë të përkushtuara të krijojnë kushte optimale për një familje të shëndoshë. Posaçërisht do të ketë kujdes për shëndetin e popullatës së re, që në Kosovë përbën shumicën e popullsisë.

Institucionet e Kosovës do të angazhohen që të krijojnë kushte sa më të mira për çiftet e reja, që të kenë mundësi të krijojnë familje të shëndoshë dhe të kenë mundësi të dedikojnë burimet e tyre për edukimin dhe shëndetin e çdo fëmije, në të mirë të familjes, të shoqërisë dhe të vendit.

Ne jemi të vetëdijshëm se para nesh ende mbeten sfida të shumta jo vetëm në fushën e shëndetësisë, të cilat me një angazhim të shtuar dhe me përpjekje të përbashkëta, si dhe të mbështetur në vazhdimësi nga miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, do të arrijmë t’i përballojmë me sukses. E themi këtë në ditën kur në Bruksel nën organizimin e Komisonit Evropian po zhvillohet Konferenca e Donatorëve për Kosovën, për të ndihmuar financiarisht zhvillimin ekonomik dhe social të vendit tonë.

Kosova si një vend i pavarur, do të sigurojë kushte për investime  dhe do të ketë mundësi më të mëdha për zhvillimin dhe përparimin e vet më të hovshëm ekonomik e social.

Institucionet e vendit do të punojnë me përkushtim që Kosova të zhvillohet dhe të ketë prosperitet të hovshëm në mënyrë që sa më parë të bëhet pjesë e barabartë e familjes së vendeve të zhvilluara evropiane.

Ju falemnderit!