FJALA E PRESIDENTIT TË KOSOVËS, Dr. FATMIR SEJDIU, NË KUVENDIN E KOSOVËS

Kam nderin të jem sot me ju në këtë shqyrtim për fazën e fundit të vendosjes së statusit të Kosovës, në të cilën tashmë kemi shkelur. Dorëzimi, të premten e kaluar, i pakos së Presidentit Ahtisaari, të cilën ai e ka quajtur Propozim Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, nis fazën e fundit, e shpresojmë të shkurtër, të përmbylljes së statusit të Kosovës. Pas leximit të kujdesshëm që i kemi bërë individualisht dhe si Ekip i Unitetit, mund të përfundojmë me siguri të madhe se pakoja e Ahtisaarit Kosovën e çon në pavarësi dhe sovranitet.

Gjatë 15 raundeve të bisedimeve në Vjenë dhe shumë kontakteve e konsultave në ndërkohë, delegacionet dhe ekipet e Kosovës kanë bërë një punë të madhe dhe të mundimshme me qëllim të formësimit të këtij dokumenti të rëndësishëm, i cili përcakton të ardhmen e vendit tonë.
 
Pakoja, në tërësinë e saj, është e pranueshme për Ekipin Negociator, e unë jam i bindur edhe për popullin e Kosovës. Gjatë këtyre ditëve, Ekipi i Unitetit së bashku me Grupin Politik Strategjik dhe ekipet e tjera profesionale, po analizojnë në hollësi dokumentin për të parë se ku mund të përmirësohet. Të gjitha propozimet për përmirësimet e mundshme nuk kanë për qëllim dhe nuk do ta vënë në dyshim pakon si tërësi. Do të jemi plotësisht të gatshëm që të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me Presidentin Ahtisaari dhe ekipin e tij. Për këtë arsye, Ekipi i Unitetit i ka konfirmuar Presidentit Ahtisaari pjesëmarrjen e Kosovës në konsultimet e mëtejme në Vjenë, sipas kërkesës së tij. Në këto konsulta  do të diskutojmë me hartuesit e këtij dokumenti për aspekte të caktuara të pakos me qëllim të përsosjes së mëtejme të këtij dokumenti i cili Kosovën duhet ta bëjë shtet funskional. Vërejtjet tona assesi nuk kanë për qëllim dhe nuk synojnë rihapjen ose rinegociimin e pakos si tërësi.
 
Të nderuar deputetë,
Zonja dhe Zotërinj:
 
Dokumenti që kemi para nesh është version parafinal e jo dokument inicial. Për këtë arsye jemi të bindur se nuk duhet të rihapet për negociata të mëtejme, por vetëm të korrigjohet në segmente të caktuara, për aq sa është e mundshme.
 
Ekipi i Unitetit, siç e ka theksuar edhe në deklaratën e vet menjëherë pas pranimit të pakos më 2 shkurt, është i bindur se procesi ndërkombëtar i zgjidhjes së statusit të Kosovës, të cilit po i prin Presidenti Ahtisaari, do të përmbyllet së shpejti  me bërjen e Kosovës shtet të pavarur, me të gjitha garancat e duhura për komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë edhe komunitetin serb.
 
Kosova shtet, në kufijtë e saj aktualë, me një pushtet funksional, ekonomi tregu, demokraci pluraliste, me të drejtat dhe garancat për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, është zgjidhja e vetme e qëndrueshme për statusin e Kosovës. Prandaj, ne jemi të bindur se Presidenti Ahtisaari, në raportin e tij final të cilin do t’ia dorëzojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, përkatësisht Këshillit të Sigurimit, do të japë rekomandim të qartë për pavarësi për vendin tonë. Propozimi duhet të jetë eksplicit dhe të mos lërë dilema as politike e as juridike për të ardhmen e Kosovës.
 
Deputetë të nderuar,
Zonja dhe Zotërinj:
 
Kosova dhe populli i saj po i kalojnë çastet e fundit dhe vendimtare në ndërtimin e të ardhmes së vet. Optimizmin për një të ardhme të lumtur dhe prosperuese, ne dhe qytetarët e Kosovës e mbështesim në përcaktimin tonë të fuqishëm për stabilitet dhe paqe me  të gjithë fqinjët tanë dhe në vendosmërinë tonë për integrim të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Është poashtu përcaktim i fuqishëm i popullit të Kosovës që të vazhdojë të kultivojë marrëdhënie të veçanta dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Populli i Kosovës është i bindur se koha e luftërave në këtë pjesë të Evropës ka përfunduar një herë e mirë dhe zgjidhjen  e të gjitha problemeve e sheh vetëm me rrugë dhe mjete paqësore, e kurrsesi me dhunë. Dhuna tashmë, jemi të sigurtë, është e huaj dhe e kaluar për popullin paqedashës të Kosovës.
 
Me qëllim të përmbylljes sa më të shpejtë të fazës finale, do të vazhdojmë të punojmë të gjithë së bashku duke bashkëpunuar ngushtë me miqtë dhe partnerët kryesorë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Askush nuk duhet të ketë as më të voglin dyshim se Kosova, me resurset e mëdha natyrore dhe humane që ka, do të dijë të ndërtojë një shtet të qëndrueshëm, i cili pokështu do të kontribuojë për stabilitetin e rajonit dhe më gjerë.
 
Kosova tashmë është në prag të hyrjes në familjen e kombeve të lira dhe demokratike. Zyrtarizimi i statusit të Kosovës si shtet i pavarur do të heqë edhe pengesat e fundit për rimëkëmbje dhe shtim të përshpejtuar ekonomik të vendit tonë.
 
 
Të nderuar deputetë,
Zonja dhe Zotërinj:
 
Populli i Kosovës ka arsye të plotë që të ardhmen e vet ta shohë me optimizëm, sepse garancë për këtë është, përpos propozimit të Presidentit Ahtisaari, përcaktimi i fuqishëm i popullit të Kosovës për të qenë i lirë dhe i pavarur dhe pjesë e botës demokratike. Për këtë, populli i Kosovës ka dhënë prova të fuqishme gjatë historisë së vet, e sidomos gjatë dy dekadave të fundit.
 
Shqyrtimi i sotëm i këtij dokumenti të rëndësishëm në Kuvendin e Kosovës është edhe një kontribut shumë i vlefshëm për realizimin përfundimtar të vizionit tonë të përgjithshëm për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.