Fjala e Presidentit Sejdiu në manifestimin solemn kushtuar 12 Qershorit – Ditës së Lirisë

Ju kam ftuar sot që së bashku të shënojmë Ditën e Lirisë së Kosovës - 12 Qershorin. Kjo datë e rëndësishme e historisë sonë simbolizon fundin e shtypjes së popullit të Kosovës nga një regjim brutal dhe agun e shpresës për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit tonë të dashur.

I nderuar kryeministër Hashim Thaçi,

I nderuar Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith,

I nderuar shef i EULEX-it, Ive de Cermabon,

Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë të misioneve ndërkombëtare në Kosovë,

Të nderuar ministra, deputetë dhe përfaqësues të pushtetit lokal,

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,


Ju kam ftuar sot që së bashku të shënojmë Ditën e Lirisë së Kosovës - 12 Qershorin. Kjo datë e rëndësishme e historisë sonë simbolizon fundin e shtypjes së popullit të Kosovës nga një regjim brutal dhe agun e shpresës për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit tonë të dashur.

Edhe në këtë përvjetor, ne përulemi para kujtimit për të gjithë ata që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Po kështu, ne ripërsëritim falënderimin tonë të përhershëm për të gjitha vendet që na ndihmuan në ditët më të vështira të historisë sonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian, si dhe të gjitha vendet e tjera, të cilat duke ndërhyrë në Kosovë, jo vetëm që e shpëtuan popullin e Kosovës nga rreziku i zhbërjes fizike, por hapën një kaptinë të re në historinë e Aleancës Veriatlantike dhe të botës mbarë.

Shpëtimi i popullit të Kosovës nga gjenocidi i forcave të Millosheviqit, pa dyshim, paraqet veprimin më të madh që ka ndërmarrë bota demokratike në emër të humanizmit dhe të lirisë.

Ndërhyrja në Kosovë shënoi fundin e një regjimi kriminal dhe lindjen e një epoke të re për gjithë këtë pjesë të Evropës Juglindore, tradicionalisht të trazuar nga konfliktet dhe apetitet hegjemoniste.

Republika e Kosovës është njohur nga 69 shtete anekënd botës. Kemi krijuar një diplomaci të re dhe solide, e cila po e përfaqëson me përgjegjësi vendin tonë në botë. Ndërkohë, përpjekjet tona dhe të miqve tanë për sigurimin e njohjeve të reja nuk kanë reshtur asnjëherë. Së këndejmi, ne presim që rezultatet e gjithë këtij angazhimi të shihen shpejt, mbase që pas publikimit të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Siç e kemi theksuar më se njëherë, argumentet e Kosovës për pavarësinë janë të fuqishme dhe ne presim që mendimi i kësaj gjykate t’i heqë përfundimisht dilemat e vendeve që ende po hezitojnë ta njohin shtetin më të ri në botë – Republikën e Kosovës.

Me gjithë vështirësitë normale që e karakterizojnë një shtet të porsalindur, në tablonë e saj të përgjithshme, Kosova ka qenë dhe mbetet një rrëfim suksesi. E tillë do të mbetet edhe në të ardhmen dhe ne jemi të vendosur që të ballafaqohemi pa hezitim me të gjitha dukuritë e liga, të cilat e prishin imazhin e vendit. Në këtë kontekst, lufta kundër korrupsionit ka mbështetjen tonë të plotë, ndaj inkurajojmë institucionet e drejtësisë që ta luftojnë pa kompromis çdo akt apo veprimtari që bie ndesh me ligjin.

Gjithashtu, institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara të nxisin konkurrencën e lirë, si dhe të krijojnë një mjedis tërheqës për investitorët e jashtëm, të cilëve u garantojmë sigurinë e plotë të kapitalit të tyre.

Kosova, shtet i lirë dhe sovran, atdhe i dashur i të gjithë qytetarëve të saj, anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, ka qenë, është dhe do të mbetet motoja e të gjitha angazhimeve tona politike e shtetërore.

Të bindur se do të kemi edhe më tej përkrahjen e vendeve tuaja, ne besojmë fuqishëm se Kosova do t’i plotësojë të gjitha standardet që kërkohen për aderim në këto institucione, por edhe në institucionet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare, duke përfshirë edhe vetë OKB-në.

Ky është vizioni i vetëm i popullit dhe i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ne nuk do të ndalemi deri në jetësimin e plotë të tij.

Si për koincidencë, ky takim yni po ndodh në ditën kur e gjithë bota ka drejtuar sytë drejt Afrikës së Jugut, ku sot solemnisht fillon ngjarja me e madhe sportive e botës – Kampionati botëror në futboll. Me këtë rast, uroj që kombëtaret tuaja në këtë garë, t’ju dhurojnë sa më shumë suksese dhe paraqitje të mira.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës

Zoti ju bekoftë Ju të gjithëve

Ju faleminderit që jeni bashkuar sot me ne!

Shëndet dhe fat!