Fjala e Presidentit Sejdiu në manifestimin e organizuar me rastin e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të LDK-së‏

Gjatë 20 vitesh, tri shkronja, LDK, u bënë shenjë fryme e pune, sakrifice dhe përkushtimi e shqiptarëve në Kosovë dhe në diasporë; u bënë vlera mobilizuese dhe frymëzuese për të gjithë shqiptarët kudo që ishin; po kështu, këto tri shkronja u bënë shenjë njohjeje për botën demokratike – se ishte një vend dhe një popull që kërkonte të drejtën për të qenë pjesë e barabartë e botës së lirë dhe e qytetërimit evroperëndimor, të cili i përkiste përherë shpirtërisht dhe fizikisht

Të nderuar anëtarë, veprimtarë dhe simpatizantë të LDK-së,
Të nderuar nënkryetarë, anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së,

Të nderuar drejtues të partive politike,
Të nderuar ambasadorë të akredituar dhe përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore, të shkencës dhe të kulturës,
Zonja e zotërinj,

Është kënaqësi imja e veçantë që sot, në këtë përvjetor jubilar të 20-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, t’ju drejtohem me këtë fjalë rasti.

Lidhja Demokratike e Kosovës u krijua kur po shuhej një sistem që solli
shumë tragjedi për Kosovën dhe popullin shqiptar, kur po binte sistemi komunist në Evropën Juglindore. Derisa Gjermania dhe bota po e rrënonin Murin e Berlinit, LDK-ja filloi rrënimin e mureve ndërshqiptare, duke shpallur hapur idenë e pavarësisë së Kosovës.

Ditëlindja e LDK-së, 23 dhjetori i vitit 1989, shënon ditëlindjen e demokracisë në këtë pjesë të Evropës dhe të botës. LDK-ja është shenja e parë dhe më e fuqishme e pluralizmit politik në Evropën Juglindore, ajo është nismëtare e shumë proceseve të rëndësishme që ndodhën gjatë këtyre dy dekadave në këtë pjesë të Europës.

Gjatë 20 vitesh, tri shkronja, LDK, u bënë shenjë fryme e pune, sakrifice dhe përkushtimi e shqiptarëve në Kosovë dhe në diasporë; u bënë vlera mobilizuese dhe frymëzuese për të gjithë shqiptarët kudo që ishin; po kështu, këto tri shkronja u bënë shenjë njohjeje për botën demokratike – se ishte një vend dhe një popull që kërkonte të drejtën për të qenë pjesë e barabartë e botës së lirë dhe e qytetërimit evroperëndimor, të cili i përkiste përherë shpirtërisht dhe fizikisht.

Siç e thoshte përherë Presidenti Rugova, LDK-ja, duke qenë në krye të lëvizjes dhe të veprimit politik, ishte shpresë dhe besë për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët.

Njëzet vjet pas themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke i pasur parasysh të gjitha zhvillimet nëpër të cilat kaloi vendi ynë, pa hezitim mund të theksohet se LDK-ja është krijuese dhe jetësuese e platformës sonë politike nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, se ajo e frymëzoi dhe e ndihmoi me tërë potencialin e vet mbijetesën e popullit të Kosovës përballë një mësymjeje të egër të Millosheviqit, që cak final kishte zhbërjen tonë fizike.

LDK-ja, që me themelimin e saj, u bë bartëse e idesë së integrimit qytetar dhe kombëtar, pa parashenja ideologjike. Pa dyshim, një nga burimet kryesore të masivitetit dhe të efikasitetit të saj ishte pikërisht bashkimi i të gjithëve, trajtimi i secilit qytetar me respekt, në mënyrë të barabartë, duke e konsideruar secilin pjesë të rëndësishme të projektit të madh.

Të nderuar pjesëmarrës,
LDK-ja, ishte vetë qenia e shpresës së një populli. Për këtë arsye edhe u afirmua si projekt total për zgjidhjen paqësore të statusit politik të Kosovës. Me vizionin e saj të qartë, LDK-ja nisi dhe organizoi projekte të mëdha që forcuan identitetin shtetëror të Kosovës siç ishin Deklarata e 2 Korrikut 1990, Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, në shtator të vitit 1991, kur për herë të parë u shpreh dhe u vërtetua vullneti politik i popullit në formë plebishitare.  Programi i veprimit politik e nacional i LDK-së me kohë u përqafua nga i tërë populli i Kosovës dhe u bë program politik e nacional i Kosovës.
Nën drejtimin e LDK-së u krijua sistemi i mëvetësishëm qeveritar, sistemi institucional i financimit, i arsimit, i informimit, i shëndetësisë, i sigurisë, i përkrahjes sociale, i sportit, etj. Për herë të parë u bë organizimi i diasporës sonë në Evropë dhe Amerikë brenda një projekti të madh politik shqiptar.
Në realizimin e këtij programi politik, veprimtarët e palodhshëm të LDK-së bartën mbi supet e veta barrën e rëndë të organizimit të jetës institucionale në Kosovë, megjithëse mbi krye u rrinte një pushtues brutal, i cili i arrestonte, i burgoste dhe i torturonte çdo ditë.

Shumë veprimtarë të LDK-së dhanë jetën gjatë përpjekjeve të përditshme për t’u qëndruar pranë qytetarëve të vendit, shumë të tjerë morën plagë të rënda, por gjithmonë gjendej një tjetër vullnetar që do ta vazhdonte punën e nisur.

LDK-ja e krijoi, e institucionalizoi dhe e mbajti me përkushtim të papërsëritshëm, gjatë gjithë viteve ’90, frymën e madhe të solidaritetit dhe të dashurisë në mes njerëzve dhe familjeve anekënd Kosovës.

Duke vështruar nga perspektiva e sotme, duket e paimagjinueshme se si u arrit që, në ato kushte të tmerrshme, të ruhej qenia jonë fizike dhe si u arrit të mbahej gjallë fryma e madhe e mosnënshtrimit.

Pa këtë organizim, pa këtë frymë të mahnitshme solidariteti e dashurie, të cilën e stisi dhe e forcoi LDK-ja, do të ishte i pamundur suksesi i përgjithshëm i lëvizjes sonë të madhe për liri e pavarësi.

Prandaj, sot themi se të gjithë ata që vepruan e punuan ag e terr me këtë frymë, për mbijetesën e popullit të Kosovës, ata që lëshuan shtëpitë e tyre për shkollat, për fakultetet dhe për institucionet e tjera, ata që mbështetën pakursyer realizimin e këtij projekti politik, e meritojnë nderimin e përhershëm të brezave.

Të dashur pjesëmarrës të këtij solemniteti,
Zonja e zotërinj,
Sot, në këtë përvjetor solemn, në 20 vjetorin e veprimtarisë së LDK-së, në Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, e ritheksojmë me krenari se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, dr. Ibrahim Rugova punoi në mënyrë të veçantë për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke e vënë për herë të parë Kosovën në agjendë të institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare dhe të qendrave më të fuqishme të vendosjes.
Kancelaritë e kryeqyteteve më të mëdha anekënd botës u hapën për prijësin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, i cili ua shpjegoi me mençurinë, me dijen dhe me maturinë e burrështetasit të parë të Kosovës liderëve botërorë të vërtetën për Kosovën dhe të drejtën e popullit të saj, të vërtetën për krimet e përditshme dhe politikën gjenocidale të aparatit shtetëror serb, ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Presidenti Rugova kishte tërhequr vërejtjen për krimet e mundshme masive shtetërore të regjimit serb të Beogradit. Lufta në vitet 1998-1999 e konfirmoi këtë brengë të tij. Por, thirrja e tij e vazhdueshme për një ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare arriti të fitojë përkrahjen e SHBA-ve dhe Bashkimit Europian, si dhe vendeve tjera demokratike të botës, duke inkurajuar kështu qeveritë e këtyre vendeve perëndimore për një veprim të vendosur ushtarak kundër ushtrisë dhe policisë së Serbisë në Kosovë. Me intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999, ndodhi saktësisht ajo që e kishte kërkuar për një dekadë Presidenti Rugova: u dëbua ushtria dhe policia e Serbisë dhe Kosova u vu në administrim civil dhe ushtarak ndërkombëtar.

Si një lider vizionar, me vlerësimet dhe parashikimet, Presidenti Rugova ishte një hap përpara të tjerëve. Ai kishte dhënë shenjat reale të ardhmërisë sonë edhe duke parashikuar dhe vlerësuar këtë të ardhme.

Të dashur pjesëmarrës të këtij solemniteti të madh,
Presidenti Rugova arriti t’i krijojë miq e përkrahës Kosovës në çdo cep të botës.
Duke pasur fatin dhe përgjegjësinë e madhe që ta trashëgoj Presidentin Rugova në detyrën e tij, unë kam pasur mundësinë që të dëgjoj në zyrën time, po edhe në kryeqendrat e botës, fjalët më të zgjedhura për Presidentin Rugova nga diplomatë të shquar botërorë, nga presidentë e kryeministra shtetesh, që takimet me të ende i kujtojnë si ngjarje të shënuara të karrierës së tyre politike.

Madhështinë e filozofisë politike të LDK-së e kanë përshëndetur shumë burrështetas të respektuar anekënd botës, ashtu si edhe madhështinë e personalitetit të dr. Ibrahim Rugovës. Së fundi, më 1 nëntor 2009, Presidenti Klinton, gjatë takimit që pata me të, minuta të tërë të bisedës sonë ia kushtoi pikërisht Presidentit Rugova dhe përshtypjeve nga takimet me të në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Rugova ka qenë miku më i dashur i tij në Shtëpinë e Bardhë, tha Presidenti Klinton, ndërsa guri i çmuar që kishte marrë nga ai me kohë ishte pagëzuar Guri i Rugovës.

Duke e njohur mirë etnokulturën nacionale dhe duke i rinxjerrë në pah cilësitë më të mira të etnisë që i përkiste, Presidenti Rugova e shndërroi në rit të zakonshëm dhurimin e gurëve të çmueshëm dhe të kristaleve për miqtë e Kosovës.

Me këtë tregohej nderimi për mikun dhe vendin të cilin ai e përfaqësonte, si dhe tregohej se pushtimi i Kosovës kishte ndodhur pikërisht për këto pasuri që Zoti ia ka falur Kosovës.

Të nderuar të pranishëm,
Zonja e zotërinj,

Lidhja Demokratike e Kosovës pati fatin e madh që të ketë më gjirin e vet njerëz me vizion, me atdhedashuri dhe humanizëm të rrallë, si Fehmi Agani, Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Sali Çeku, Latif Berisha, Agim Hajrizi, Shaban Manaj, Ukë Bytyçi, Ismet Rraci, Smajl Hajdaraj, Xhavit Ahmeti, Bardhyl Çaushi, e shumë të tjerë. Të gjithë këta nuk janë me ne sot fizikisht. Por, të gjithë këta jetojnë me nderimin tonë të përhershëm dhe të mbarë Kosovës, sepse jetuan dhe vepruan me nder për Kosovën, për paqen, lirinë dhe dashurinë mes njerëzve. Ata ishin të LDK-së dhe të Kosovës dhe të tillë do të jenë përgjithmonë.

Pa dyshim, humbja e një numri kaq të madh prijësish e veprimtarësh eminentë, ndër vite, ka qenë një goditje e rëndë për LDK-në. Por, me udhëheqjen e urtë të Presidentit Rugova dhe me strukturën e saj të organizuar mirë, LDK-ja arriti që të përballojë shumë sfida, duke ruajtur dhe duke kultivuar frymën e saj të përhershme të veprimit e të mendimit politik.
Megjithatë, goditja më e rëndë dhe më e dhimbshme për LDK-në qe humbja e Presidentit Rugova, i cili ndërroi jetë më 21 janar 2006. Njeriu që e projektoi idenë e pavarësisë, nuk arriti ta priste atë. Njësoj si Moisiu biblik, i cili i priu popullit të tij drejt Tokës së Premtuar, pa arritur vetë të shkelte në të. Rugova i priu Kosovës në kohët e saj më të vështira, por nuk pati fatin ta priste ditën e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Por, ai pati një ëndërr, pati një qëllim nga i cili nuk hoqi dorë kurrë.

Të dashur anëtarë dhe dashamirës të LDK-së,
Kosova e lirë, e pavarur dhe demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe miqësia e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte motoja e mendimit dhe e veprimit politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të liderit të saj dr. Ibrahim Rugova. Edhe sot, pas njëzet vjetësh, ky është vizioni themelor i LDK-së për të ardhmen e vendit. Duke parë se ky vizion yni i përhershëm tashmë është bërë qëllim i përbashkët i të gjitha subjekteve politike dhe i vetë institucioneve të vendit, s’kemi si të mos ndihemi krenarë që gjatë gjithë këtyre viteve ne i qëndruam besnik dhe vepruam në realizimin e këtij vizioni.
Njerëz të lirë, në shtetin sovran, të pavarur dhe demokratik – ky ishte vizioni i LDK-së për Kosovën, ky ishte vizioni i themeluesve të saj, i ndërtuar dhe i udhëhequr nga lideri ynë historik, nga kolosi i lirisë, intelektuali i madh dhe i urtë, dr. Ibrahim Rugova.

Sot, jemi të lumtur të theksojmë, se idealet e LDK-së, idealet e Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe të të gjithë bashkëmendimtarëve e bashkëpunëtorëve të tij të shumtë janë bërë realitet; liria e arritur me sakrifica qindvjeçare po forcohet dita-ditës, pavarësia e Republikës së Kosovës është njohur dhe po vazhdon të njihet gjerësisht nga bota, ndërsa demokracia në vend, po funksionon dhe po zhvillohet bashkë me institucionet e krijuara me votën e lirë të sovranit - popullit të Kosovës.

Porse, edhe në një ditë të bukur, solemne si kjo e përvjetorit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, na duhet të tregojmë përmbajtjen tonë, urtësinë dhe pragmatizmin politik që e kemi pasur gjatë këtyre dy dekadave të veprimtarisë së madhe politike e kombëtare.

Pra, unë dua që sot të tërheq vëmendjen tuaj kah sfidat që na presin në të ardhmen, e që nuk janë të pakta. Zhvillimi ekonomik i vendit, krijimi i vendeve të reja të punës, veçmas për të rinjtë, afrimi i arsimit tonë nacional me arsimin evropian, rimëkëmbja dhe fuqizimi i kapaciteteve energjetike dhe minierave të pasura të Kosovës, punimi i tokës sonë të bereqetshme dhe prodhimi i kulturave të shumta që jep ajo, fuqizimi dhe modernizimi i shëndetësisë, kujdesi social për të moshuarit, për pensionistët, invalidët e luftës dhe familjet e tyre, si dhe për shtresat e tjera jo të pakta që jetojnë buzë zgripit social janë vetëm disa nga çështjet e shumta që duan zgjidhje, në mënyrë që shteti ynë i ri, Republika e pavarur dhe sovrane e Kosovës të ecë sigurt drejt së ardhmes së vet të pakthyeshme euroatlantike.

Jam i sigurt se LDK-ja ka potencial politik, njerëzor e profesional, ka vullnet, dije dhe kompetencë për të dhënë formulën e nevojshme për zgjidhjen e këtyre çështjeve të rëndësishme. Padyshim që LDK-ja e cila pati vizion të qartë për dhjetëvjeçarët e kaluar, e ka vizionin edhe për dhjetëvjeçarët e të ardhmes së Kosovës demokratike, të zhvilluar dhe të integruar në Evropë. Ndaj, kam bindjen e besimin e plotë se LDK dhe njerëzit e saj, do të vazhdojnë përpara, sikundër deri më sot, sepse janë ata që krijuan dhe i dhanë shtat luftës politike për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe janë ata që në një Kosovë me jetë plurale politike e demokratike, do t’i japin vlerë betejës sonë të përbashkët për ta shndërruar Republikën e Kosovës në një vend të mirëfilltë demokratik ku sundon rendi dhe ligji, në një vend të dashur për të gjithë qytetarët e saj pa dallime etnie, në një vend të integruar sa më shpejt në strukturat euroatlantike.

Dua të vlerësoj lart, me këtë rast, përcaktimin themeltar të LDK-së si parti e traditës demokratike në Kosovë, por, njëkohësisht edhe si parti e vizionit të qartë të së ardhmes së vendit tonë.

Sot në këtë përvjetor të 20-të, duhet çmuar shumë përkushtimin e LDK-së për të qenë gjithmonë parti e hapur, e ideve dhe veprimeve të guximshme; parti moderne që ofron mundësi të mëdha për lidership, për realizimin e potencialeve të gjeneratës së re, me energji e ide të reja. Duhet çmuar shumë krijimin e hapësirave gjithnjë më të mëdha për të rinjtë që e ndjejnë LDK-në si parti e së ardhmes së tyre evropiane, parti moderne e qendrës së djathtë, me vend tashmë të nderuar ndër Partitë Popullore Evropiane.

LDK-ja ka qenë dhe do të mbetet parti e vlerave të mëdha nacionale e evropiane, sepse të këtillë na e ka lënë Presidenti Rugova dhe të tillë e duan qytetarët e Republikës së Kosovës.

Të dashur pjesëmarrës të këtij solemniteti të madh,
Për mua si President i vendit, është kënaqësi e veçantë që pata rastin t’ju drejtohem me këtë fjalë, në këtë solemnitet unikat të skenës sonë politike, në njëzetvjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila që nga krijimi i saj ishte dhe mbeti një lëvizje e madhe dhe e urtë e luftës për liri, pavarësi dhe demokraci.

Prandaj, në këtë moment solemn, kur po shënojmë të arriturat dhe sukseset njëzetvjeçare të LDK-së dhe të vendit tonë, le të urojmë të gjithë bashkë për suksese të mëtejme në realizimin e vizionit për të ardhmen evropiane të Kosovës sonë të dashur!
Shëndet, fat dhe suksese të gjithëve që jetojnë dhe punojnë me idealet dhe vizionin e Kosovës evropiane!

Gëzuar ky përvjetor i madh!
Gëzuar festat e fundvitit të gjithëve!
Urime dhe suksese!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!