Fjala e Presidentit Sejdiu në konferencën rajonale me temë “Reformimi i Prokurimit Publik në Ballkanin Përëndimor - Sfida kryesore dhe prioritetet për ndryshim”

Kjo konferencë po mbahet në një kohë të rëndësishme të proceseve tona historike dhe zhvillimore. Pas pavarësisë së vendit tonë, ne jemi jetikisht të interesuar për ndërtimin e një shteti demokratik, ligjor dhe ekonomikisht të zhvilluar.

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj konference,

Ju përshëndes të gjithëve dhe ju dëshiroj sukses në këtë konferencë mjaft të rëndësishme,

I nderuari Kryetar i Parlamentit, z. Krasniqi,
 
I nderuari z. Duli,

Kjo konferencë po mbahet në një kohë të rëndësishme të proceseve tona historike dhe zhvillimore. Pas pavarësisë së vendit tonë, ne jemi jetikisht të interesuar për ndërtimin e një shteti demokratik, ligjor dhe ekonomikisht të zhvilluar.

Për ne është e mirëseardhur kjo konferencë, sepse Prishtina, si kryeqytet i Republikës së Kosovës, po fillon të marrë atributet e një qendre të rëndësishme, ku diskutohen çështje me peshë për shtetin, siç janë edhe këto të prokurimit publik.

Kosova është një shtet, i cili sa po ka fituar pavarësinë, me shumë probleme zhvillimore dhe sociale, me qëndrueshmëri akoma të pamjaftueshme buxhetore, për shkak të zhvillimit të ulët ekonomik, por me nevoja të mëdha për ndërtime infrastrukturore dhe forcim të shërbimeve publike, si parakusht për tërheqje të investitorëve të brendshëm dhe të jashtëm dhe për përmirësimin e standardit të popullsisë.

E gjithë kjo na obligon që të jemi shumë të kujdesshëm në shfrytëzimin e parasë publike dhe që shfrytëzimi i kësaj paraje të japë efekte sa ma të larta të mundshme.  

Jemi të interesuar që fondet tona buxhetore t’i shfrytëzojmë në mënyrën më racionale, sidomos për investime kapitale, por edhe për mallra dhe shërbime, në mënyrë që përfitimet publike nga këto fonde në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe shërbime publike në tërësi të jenë sa më mëdha për komunitetin.

Rëndësi të veçantë do t’u kushtojmë edhe ndërmarrjeve publike, të cilat janë korporatizuar dhe për të cilat Kuvendi i Republikës së Kosovës ka nxjerrë ligj të veçantë. Ne do ta shtojmë përgjegjësinë e anëtarëve tanë të bordeve në këto ndërmarrje, në mënyrë që të realizojmë një qeverisje efikase korporative, nisur nga planifikimi i shfrytëzimit të aseteve deri te realizimi efikas dhe ligjor i investimeve në shumë fusha jetike, energjetikë, ujë, ngrohje, telekomunikacion, hekurudhë etj.

Ne u jemi mirënjohës vendeve donatore, të cilat treguan vullnet të lartë për të mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës në këtë periudhë të fillimit të ndërtimit të shtetësisë së saj. Si president do të kërkoj që të jemi shumë përgjegjës në shfrytëzimin e këtyre fondeve në mënyrë që ato të japin efektet e tyre dhe të arsyetojmë para tatimpaguesve të miqve tanë kontributet që ata dhanë për ndërtimin e Kosovë.

Njëri nga problemet kyçe që kërkon vëmendjen tonë të veçantë është zhvillimi më i shpejtë ekonomik. Për këtë zhvillim lypset të intensifikohen investimet publike dhe të rritet efiçenca e këtyre investimeve.

Efiçenca e investimeve publike varet në masë të madhe nga efikasiteti i prokurimit. Përvojat e deritanishme flasin për mangësi në proceset e prokurimit, flitet edhe për mangësi dhe ndërlikueshmëri të panevojshme ligjore, të cilat këtë proces e stërgjatin dhe e bëjnë joefikas për të realizuar me kohë investimet. Buxheti i Kosovës, përkundër kapacitetit shumë të ulët, vite me radhë po shënon suficit si pasojë e mosefikasitetit të investimeve publike.

Prokurimi, po ashtu, është bërë njëra nga fushat më të atakuara, e cila, nëse nuk organizohet dhe kontrollohet mirë, lë mundësi për abuzim të fondeve publike. Ne jemi deklaruar qartë për mostolerancë ndaj shkeljes së ligjit, prandaj është detyrë edhe e këtij tubimi që të kontribuojë që të ndërtohet sa më mirë prokurimi, si ana ligjore, po ashtu edhe ajo procedurale, në mënyrë që të rritet përgjegjësia e gjithë akterëve që veprojnë me fonde publike.  

Si president i Kosovës jam i interesuar që vendi im të zhvillojë bashkëpunim të ngushtë me vendet fqinje dhe me vendet e tjera evropiane, që bashkërisht të angazhohemi në tejkalimin e të gjitha problemeve të cilat e ngarkojnë këtë fazë të tranzicionit kah një shoqëri demokratike.

Urime dhe sukses!