Fjala e Presidentit Sejdiu në darkën tradicionale për korin diplomatik

Zonja e zotërinj, kam nderin e veçantë që sonte të jem mikpritës i darkës tashmë tradicionale për korin diplomatik në Kosovë, të cilën e kishte inicuar paraardhësi im në detyrën e Presidentit, njeriu që pa dyshim do të mbetet në historinë tonë si themeluesi i shtetit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Të nderuar pjesëmarrës,
Mbi të gjitha dhe para së gjithash të nderuar anëtarë të Korit Diplomatik në Prishtinë,
Zëvendëspërfaqëuses i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Larry Rossin,
Komandant i KFOR-it, Gjeneral Xavier De Marnhac,
Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi
Të nderuar Zëvendëskryeministra,
Të nderuar përfaqësues politikë e shoqërorë të Kosovës,

Zonja e zotërinj, kam nderin e veçantë që sonte të jem mikpritës i darkës tashmë tradicionale për korin diplomatik në Kosovë, të cilën e kishte inicuar paraardhësi im në detyrën e Presidentit, njeriu që pa dyshim do të mbetet në historinë tonë si themeluesi i shtetit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Viti 2007 nuk shënoi realizimin përfundimtar të ëndrrës dhe të përcaktimit tonë për pavarësi. Megjithatë viti që sapo lamë pas mbaroi me bindjen pothuajse universale në bashkësinë ndërkombëtare se pavarësia e Kosovës është e paevitueshme dhe se procesi ndërkombëtar për statusin e Kosovës (Procesi i Ahtisarit bashkë me angazhimet shtesë të prira nga Treshja), që kishte zgjatur 2 vjet të plota, kishte përfunduar.

Në këta dy muajt e fundit ne bëmë ripërtëritjen e institucioneve të Kosovës mbi bazë të zgjedhjeve të 17 nëntorit. Më në fund, javën e kaluar, ne, udhëheqësit e pushtetit demokratik u zgjodhëm me procedura parlamentare në detyrat tona me përgjegjësi të lartë, si President, Kryeministër me gjithë kabinetin qeveritar, Kryetar e Kryesi e Kuvendit.

Presim që viti 2008, më saktë muajt e dimrit të këtij viti, të ngrohin zemrat e kosovarëve që kanë jetuar e punuar ditë për ditë, muaj për muaj e vit për vit, tashmë për dekada të tëra, për një synim të madh: pavarësinë e Kosovës.

Një pjesë e madhe juaja, diplomatë të nderuar e di shumë mirë se në vitet e pasluftës, urimet për të gjitha festat tona: kalendarike, fetare e kombëtare, i kemi përmbyllur me një dëshirë: urojmë që herën tjetër këtë apo atë kremte ta festojmë në shtetin tonë të pavarur. Dhe njëmend, besoj fuqishëm se të gjitha këto festa herën tjetër do t’i festojmë me pavarësi.

Kur të festojmë do t’ju kemi ju këtu, diplomatë të nderuar, bashkë me përfaqësues të tjerë të lartë nga vendet tuaja. Kështu, në mes miqsh si ju, ne do të riafirmojmë ekzistencën tonë, identitetin tonë të veçantë, por edhe identitete komplementare që shtrojnë rrugën tonë të integrimeve në komunitetin euro-atlantik.

Para dhe krahas kësaj, ne kosovarët, shumica shqiptare, por edhe pakicat, duke përfshirë edhe serbët, do të nisim rimëkëmbjen tonë sociale e ekonomike.

Kosova ka përjetuar ndihmën bujare të vendeve tuaja në kohët tona më të rënda, por edhe në këto vite të rimëkëmbjes fillestare të jetës sonë nga hiri i luftës. Ne kemi nevojë ende për ndihmë, ekonomike e politike, që të mund të qëndrojmë në këmbët tona sigurt dhe prej fillimit. Prania ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë, e paraparë me Projektin Ahtisari, do të jetë e mirëseardhur ndër të tjera edhe për këtë qëllim.

Këtë vit, bashkë me pavarësinë, do të nisim edhe punën e madhe të përfaqësimit të Kosovës në botë përmes hapjes së përfaqësive diplomatike apo formave të tjera.                                            

"Unë do të vazhdoj të insistoj dhe të punoj për njohjen e drejtpërdrejtë më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, çfarë do t'i shpejtonte proceset e brendshme demokratike e ekonomike dhe do të qetësonte këtë pjesë të Europës e të botës si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. Është vullnet politik i popullit një Kosovë e pavarur, demokratike e paqësore e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA", kështu pati thënë fjalë për fjalë Presidenti Ibrahim Rugova në pritjen si kjo para tri vjetësh, në po këtë ambient, në sallën tjetër.

Fjalët e tij kumbojnë fuqishëm edhe sot, sepse, siç po shihet, aty po vijmë: tek njohja e drejtpërdrejtë e pavarësisë së Kosovës, të cilën do ta rishpallim, tani në bashkërendim me aleatët tanë, me përkrahësit e rrugës së vetme të drejtë e të pashmangshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Të nderuar diplomatë, të nderuar ambasadorë, pres përkrahjen tuaj në këto javë e muaj historike për vendin tonë.

Nëse e zgjata pak, kjo është se kam ndjenjën e fuqishme se po shohim lindjen historike të shtetit të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës. Kjo pa ndihmën e bekimin tuaj nuk bëhet. Prandaj, ju faleminderit që më parë!

Gëzuar!

Presidenti i Kosovës
Dr. Fatmir Sejdiu