Fjala e Presidentit Sejdiu në ceremoninë e ndriçimit të bredhit të festave të fundvitit

Kosova tashmë po e formëson kulturën e saj shtetërore, nismëtar dhe krijues i së cilës ishte Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Në vazhdën e ruajtjes dhe të thellimit të kësaj kulture të trashëguar, ne po e ndriçojmë sonte këtë bredh duke ridëshmuar se vendi ynë di ta nderojë traditën e vet kulturore, shpirtërore e nacionale, e cila ka themele të fuqishme në qytetërimin evroperëndimor, të cilit shumë shpejt do t’i bashkangjitet edhe de jure.

Të dashur qytetarë,
Zonja e zotërinj
   
I cilësuar si Bredhi i Pavarësisë, ky dru është vendosur çdo vjet nga Presidenti Rugova në këtë shesh, që mban emrin e kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në shenjë të nderimit të festave të fundvitit, Kërshëndellave dhe Vitit të Ri, që në Kosovë kremtohen bashkarisht nga të gjithë qytetarët pa dallim besimi fetar. Ky argument na bën të krenohemi në mënyrë të veçantë, sepse këtë virtyt të lartë do të dëshironin ta kishin edhe shtetet në të cilat të drejtat dhe liritë njerëzore çmohen në shkallën më të lartë.

Vetëm pak ditë na ndajnë nga akti final i mëvetësisë së Kosovës, e cila do të marrë edhe bekimin ndërkombëtar, bekimin e miqve tanë, ShBA-ve, BE-së dhe vendet e tjera të botës demokratike. Prandaj, me fat dhe gëzuar festat e fundvitit!

Prishtinë, 12. XII. 2007

Presidenti i Kosovës,               
Dr. Fatmir Sejdiu