Fjala e Presidentit Sejdiu, në akademinë e shënimit të 100-vjetorit të lindjes së Profesorit Selman Riza

I nderuari kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, zotni Besim Bokshi, I nderuari nënkryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Shqipërisë, zotni Myzafer Korkuti, Ministra dhe përfaqësues të pushtetit qendror e lokal, E nderuara familje e prof. Selman Rizës, Të nderuar pjesëmarrës të akademisë solemne kushtuar 100-vjetorit të lindjes së prof. Selman Rizës

Jam i nderuar sonte që flas para një auditori të respektuar, në akademinë solemne kushtuar 100-vjetorit të lindjes së atdhetarit dhe intelektualit të madh, prof. Selman Riza.

Si president i Republikës së Kosovës, isha shumë i nderuar që po më krijohej mundësia që  gjithë veprimtaritë e organizuara për këtë përvjetor, të udhëhequra nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, të mbahen nën përkujdesjen time.

Sonte mund të them me plot gojë se duke iu falënderuar punës së kryetar Bokshi dhe gjithë ekipit të Akademisë, ndihmës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kuvendit Komunal të Gjakovës, ne po kryejmë një pjesë të detyrimit të madh që kemi ndaj kolosit të kulturës dhe të shkencës albanologjike, si dhe atdhetarit e njërit prej ideologëve intelektual, krijuesit të platformës nacional-demokratike për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Profesor Selman Riza gjatë veprimtarisë së tij dha kontribut të shquar shkencor. Ai krijoi qendrën e parë të Studimeve Kosovare në Prizren qysh më 1943; pastaj në vitet ’50-të të shek. XX, ishte organizator dhe studiues në Institutin Albanologjik, duke qenë kështu mbjellës i farës së studimeve albanologjike.

Me plot të drejtë akademik Ismajli shkruan se prof. Riza, bazuar në shkrimet e tij, kishte dy pasione, dy dashuri: Gramatikën dhe Kosovën. Kishte dashurinë për lirinë e mendjes dhe dashurinë për  lirinë e atdheut dhe kombit të tij. Ai vuajti shumë e bëri shumë për këto dy përcaktime ideale, dhe ne sot kemi rastin solemn të themi se të dy dashuritë e tij të vetme të kësaj bote, u fituan dhe u përkasin të gjithë bashkëkombësve të tij. Fitoi liria e mendjes, për të cilën u sakrifikua e vuajti në të gjitha regjimet; fitoi edhe liria e Kosovës, duke pasur frymëzim edhe idealizmën e tij për demokraci, për individ dhe shoqëri të lirë dhe të arsimuar. 

Të nderuar pjesëmarrës,
Në studimet linguistike shqiptare dhe në studimet për gjuhën shqipe, Selman Riza njihet në radhë të parë si albanist me rezultate që i kanë shpënë përpara hulumtimet dhe njohjet për strukturën morfologjike të gjuhës shqipe. Do t’i jemi përherë falënderues se ai hartoi serinë e monografive të veçanta me bazë aktuale dhe zhvillime edhe historike për çështjet themelore të studimeve albanistike, duke vënë edhe bazat e një gramatologjie të tërë për gjuhën shqipe. Nëpërmjet studimeve të tij, gramatologjia shqiptare është shpënë përpara sa i përket modernizimit të mënyrës së studimit, në një anë dhe të përfundimeve, njohjeve të reja për çështje të gramatikës, në anën tjetër.
Po kështu, fushë tjetër e rëndësishme e fokusimit të prof. Rizës është ajo e studimit të zhvillimeve të gjuhës së shkruar dhe historisë së lavrimit të shqipes së shkruar. Studime të tij janë aktuale edhe për çështjet e standardizimit të shqipes, të dalluara me vështrimet  e para teorike qysh më 1944, të cilat ai do t’i thellonte më vonë me hulumtimet e gjera për gjuhën e autorëve të vjetër shqiptarë. Në këtë fushë, Riza njihet si një nga autoritetet më të mëdha.
Selman Riza duhet të respektohet edhe për studimin e gjuhës shqipe në përqasje me gjuhët tjera. Gramatika e tij e serbokroatishtes sot e kësaj dite mbetet e vetmja e shkruar nga një shqiptar dhe e hartuar nga perspektiva e kontrastimit me shqipen.

Kohët e fundit janë vënë në pah edhe interesimet e Rizës për çështje më të përgjithshme për studime linguistike, duke pasur në bazë gjithnjë bindjet e tij për teorinë e filozofisë së njohjes.

Kontributi i prof. Rizës vërtet është shumështresor. Studiuesit kanë vlerësuar lart angazhimin e tij të gjerë në fushën e krijimit të termave të rinj për fushat e ndryshme të dijes, pjesëmarrjen  në hartimin e fjalorëve të ndryshëm terminologjikë në vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar. Ky fond i kontributit të tij sot na shërben neve që të kuptohemi dhe të shprehemi saktë  për shumë çështje publike, shkencore dhe intelektuale përgjithësisht.

Duke respektuar vlerësimin e  studiuesve për prof. Rizën, mund të theksohet se studimet e tij ishin ndihmesë e rëndësishme për zhvillimin e dijeve për gjuhën shqipe dhe për gjuhësinë, për emancipimin e përgjithshëm të këtyre dijeve në zhvillimet shqiptare të shek. 20 dhe në integrimin e përgjithshëm në rrjedhat e dijeve përkatëse linguistike.  

Vlerësoj se ne të gjithë duhet prore të mësojmë nga këmbëngulësia dhe përkushtimi kritik i prof. Rizës.

Janë shkencëtarët, studiuesit, e veçmas gjuhëtarët, që ende shumë do të lëvrojnë thesarin e rezultateve të veprës së prof. Rizës.

Përkushtimi ynë institucional do të jetë pa hezitim, për të ndihmuar që një vepër kaq e pasur, të shkëlqejë e plotë në dritën e dijeve albanologjike.
Ky 100-vjetor i lindjes së prof. Selman Rizës, na jep detyrim veçmas neve që kemi përgjegjësinë publike dhe politike, për të punuar në krijimin e kushteve shumë më të mira për hulumtime shkencore, për të vënë në vend meritor synimet, projektet, rezultatet dhe kontributin e personaliteteve tona të shquara intelektuale dhe kulturore.

Gjatë veprimtarive të organizuara në këtë 100-vjetor në  Kosovë dhe në Shqipëri, sigurisht që do të hidhet ende më shumë dritë në jetën dhe veprën e prof. Rizës.

Po kështu, nga nesër të gjithë do të ndjehemi më të përgjegjshëm se u krye amaneti i Profesorit të Nderuar, që e la për të gjallë - të prehet përgjithmonë në vendlindjen e tij, në Gjakovë, në Kosovë, të cilën u detyrua ta braktisë që fëmijë dhe ta mbajë peng sa të jetë gjallë.

Ai tash e tutje do të ketë vlerësimin dhe kujdesin e merituar të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.     

Të nderuar pjesëmarrës,
Meritat e prof. Selman Rizës janë shumëdimensionale dhe të jashtëzakonshme. Presidenti historik i Kosovës  dr. Ibrahim Rugova, më 17 qershor 2005 e nderoi prof. Selman Rizës me Medaljen e Artë të Lidhjes së  Prizrenit, për kontributin e dhënë në fushën e studimeve albanologjike, në arsim, si dhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Duke pasur në vëmendje dhe respekt jetën, shkëlqimin e  përhershëm  të punës dhe veprës, unë si president i Republikë së Kosovës, kam vendosur që prof. Selman Rizën me rastin e 100-vjetorit të lindjes, ta dekoroj me Medaljen e Artë të Lirisë.
Ju faleminderit!