Fjala e Presidentit Fatmir Sejdiu në shënimin e dyvjetorit të vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova

Jemi mbledhur sot, në dyvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, burrit më të madh të Kosovës, themeltarit të shtetit tonë.

E nderuara familje e Presidentit Rugova,
I nderuari PSSP, z. Joachim Ruecker
I nderuari komandant i KFOR-it, Gjeneral Xavier De Marnhac
I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi
I nderuar kryeministër i Kosovës, z. Hashim Thaçi
Të nderuar deputetë, ministra, udhëheqës të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,
Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Zonja dhe zotërinj,

Jemi mbledhur sot, në dyvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, burrit më të madh të Kosovës, themeltarit të shtetit tonë.  Me veprën e tij politike e kulturën demokratike, me devocionin e pashembullt, pothuajse religjioz, me të cilin ka punuar për pavarësinë e Kosovës, Ibrahim Rugova, i zgjedhur kryetar i Kosovës në katër palë zgjedhje, ka qenë dhe mbetet Zoti i kësaj Shtëpie. Trashëgimtarë të kësaj shtëpie jemi të gjithë ne, mbi dy milionë qytetarët e Kosovës, shtetasit e saj. Do të vinë pas nesh të tjerë trashëgimtarë, ndërsa Ibrahim Rugova, në kuptimin politik të fjalës Ati i Kombit tonë, do të mbetet fryma e këtij vendi.

E do puna të përkujtohet se Ibrahim Rugova pati sjellë frymë të re në studimet shqiptare, të dijeve letrare e humaniste shqiptare, në fillim të viteve 1970, para gati katër dekadash. E çoi këtë frymë deri në fund, në dije, në kulturë e në politikë, për të mbetur ai vetë Një dhe i njëjti – aristokrat i fjalës e i sjelljes, fisnik edhe në fushat jo aq fisnike të jetës e të veprimtarisë njerëzore, siç është politika.

Kishte krijuar një Republikë të dijeve letrare deri në moshën 45 vjeçare, ndërsa krijoi Republikën politike të Kosovës në çerekun e fundit të jetës. Kijoi kështu ngrehina kulturore e politike që u rezistuan stuhive barbare ideologjike e gjenocidale. Si e pse? Ai hapi rrugën e udhëhoqi, në kohët kur dukej se shqiptarët dhe Kosova kishin humbur rrugën në muzgun e perandorive ideologjike të Evropës Lindore e të ringjalljes së idesë për Serbinë e Madhe në veri. Ibrahim Rugova e nxori Kosovën prej kaosit në organizim, me rend të brendshëm demokratik e me struktura elementare shtetërore: shkollë, financa, rrjet shëndetësor e social, sistem informimi, madje edhe përfaqësim diplomatik në bërthamë. Propozoi edhe himnin dhe flamurin e Kosovës. E ndoqi i gjithë populli i Kosovës, i madh e i vogël, të mahnitur nga njeriu që punonte qetësisht, po me ngulm, për çështjet e mëdha, teksa fliste qartë e thjeshtë duke argumentuar nevojën për mëvetësimin e Kosovës me rrugë politike e demokratike. Ai kishte thithur dijet e thella e kulturën e pastër në librat e vjetër, në jetën e historinë autentike të shqiptarëve dhe në arealin shpirtëror e kulturor të Perëndimit.

Mbi këto shtresime Ibrahim Rugova ndërtoi edhe kulturën shtetformuese të Kosovës. Njeriu i librave u bë udhëheqës popullor jo me retorikë të zjarrtë patriotike, as nacionalizëm të vrazhdë, po me pastërti të kulluar të idesë për veprim të organizuar, me nacionalizëm të kulturuar mbi vlera tradicionale e moderne. Veprimi dhe organizimi kanë qenë palca kurrizore e aksionit politik të Ibrahim Rugovës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të lëvizjes më të organizuar shtetformuese që kanë pasur shqiptarët në historinë e vet moderne, amën e shtetit të Kosovës dhe, në fund, të pluralizmit e të demokracisë së vendit tonë. Ky veprim i organizuar është ushqyer në kulturën e paqes e të rezistencës, por nuk e ka shtypur frymën e luftës. Sepse, aksioni politik i Rugovës ka qenë vetë lufta totale politike me organizim, i cili, fundja, nuk ka përjashtuar, por ka shtruar rrugën për të mbramen: për luftën me armë për liri e për ekzistencë njerëzore e nacionale. Sepse, siç u pa në rastin e Kosovës, lufta e Ushtrisë tonë Çlirimtare, bashkë me luftën që bëri NATO-ja, qenë në shërbim të paqes e të lirisë, të synimit parësor të udhëheqësit tonë historik, të synimit të fundmë njerëzor universalisht, pas episodesh të shkrurta apo të gjata, të luftës e të mizorisë. Lufta në shërbim të paqes është e pranueshme, thoshte Rugova, kur përpiqeshin t’i atribuonin pacifizimin e përkthyer në një soj ideologjie të dalë boje. Ai nuk u dorëzua kurrë, para asnjë sprove, veç vdekjes, e cila e mori shumë herët, për të na lënë keq në momentet historike për fatet e vendit tonë.

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj dite përkujtimore,

Ibrahim Rugova, po të flasim tani me fjalorin politik të ditës, është udhëheqës sui generis në Evropë: njeri që u vu në krye të ndërmarrjes më të madhe të një populli – të ndërmarrjes për ndërtimin e shtetit – mbi bazë të një filozofie krejt të veçantë politike për këtë pjesë të kontinentit tonë. U quajt Kolos i Brishtë, Gandi i Ballkanit a i  Evropës. Ka qenë kolos, po jo i brishtë. Ka qenë Ibrahim Rugova i Kosovës, i papërsëritshëm në të gjitha aspektet.

Të vijmë tani te situata e ditës sonë, që përmbledh shekullin tonë jetësor e ekzistencial: pavarësia e Kosovës. Ibrahim Rugova dhe pavarësia e Kosovës janë dy anët e medaljes me një emër të thjeshtë: Shteti i Kosovës. Lëvizja për emancipim politik të popullit të Kosovës është e lidhur me projektin jetësor të Rugovës. Ai mbylli sytë sot dy vjet pak para se të realizohej plotësisht ky projekt, që u bë popullor, teksa mbante emrin e Rugovës. E kishte parë të realizueshëm Ai, kur të tjerët e kishin vështirë ta shihnin prej malit të madh të pengesave që duheshin kaluar, rrugës së vështirë e sakrificave që duheshin bërë.

Në një ditë krejt të afërt të këtij viti ne do ta rishpallim pavarësinë e Kosovës në bashkëpunim me miqtë tanë, me ata miq që kishte krijuar Ibrahim Rugova dhe populli i Kosovës që ndoqi rrugën e tij me disiplinë, këmbëngultësi e devocion. Presim pastaj, menjëherë, njohjen ndërkombëtare të pavarësisë nga një numër i konsiderueshëm i vendeve në Evropë, në Amerikë, e në kontinente të tjera.

Çfarë shteti të Kosovës po krijojmë? Nëse jo në versionin ideal të Rugovës, sepse realiteti shpesh e mund idealitetin e vizionarëve, shteti më i ri në Evropë e në botë do të ndërtohet mbi themelet që kishte vënë Presidenti Rugova me Republikën e Kosovës, të ngjyer me sakrificën e brezave e gjakun e rreth 15.000 kosovarëve që ranë në altarin e lirisë në fund të mileniumit të kaluar, para më pak se një dekade. Kjo Kosovë është shtëpi e të gjithëve, e shqiptarëve shumicë dërmuese dhe e të gjitha pakicave, me paqe të brendshme e raporte miqësore me fqinjtë, pjesë e Unionit Evropian dhe NATO-s dhe me marrëdhënie speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky ishte vizioni i Rugovës para se të ishte bërë projekt konkret sot.

Vetë Presidenti Ibrahim Rugova udhëhoqi Ekipin e Unitetit të Kosovës në fillimet e procesit ndërkombëtar për përcaktim të statusit të Kosovës në nëntorin e vitit 2005. Dy vjet më vonë, në fund të nëntorit të vititi 2007, kjo punë mbaroi me procesin shtesë të bisedave për statusin e Kosovës, si vazhdim të procesit të nisur nga Presidenti Ahtisari, tani nën autoritetin e Grupit të Kontaktit, udhëhequr nga treshja ndërkombëtare: Union Evropian-SHBA-Rusi.

Kemi ardhur tani aty ku Presidenti Ibrahim Rugova e dinte se do të vijmë herët a vonë: tek njohja e drejtpërdrejtë e pavarësisë së Kosovës nga vende të Unionit Evropian e SHBA në radhë të parë, por edhe të vendeve të tjera veç e veç nga i gjithë globi tokësor, nga Lindja e Perëndimi, nga Jugu e Veriu.

Prandaj, kërkesa e përsëritur e Ibrahim Rugovës për njohjen ndërkombëtare kumbon sot fuqishëm në veshët e të gjithëve, jo si një frazë e thatë e formale, por si kushtrim për veprimin final në përmbyllje të punës për pavarësinë e Kosovës.

E nderuar familje Rugova,
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj dite përkujtimore për Rugovën,

Kosova do të gjendet së shpejti në hartën politike të botës, në gjirin e kombeve të lira. Synimi madhor i prijësit tonë historik dhe i popullit të Kosovës do të jetë realizuar. Kështu, njerëzit e vendit tonë nga të gjitha shtresat – nxënës e studentë, punëtorë e nëpunës shteti, qyetarë të zakonshëm, komuniteti i biznesit dhe establishmenti politik – do t’i hyjnë një aksioni të ri: ta bëjmë Kosovën shtet të fortë, të zhvilluar ekonomikisht e kulturalisht, ku secili do të bëjë punën e vet duke kryer një punë të thjeshtë, jomisionare në shikim të parë, pa shpatën e Demokleut mbi kokë. Sepse, statusi i pazgjidhur dhe i panjohur ndërkombëtarisht ka qenë një shpatë e tillë për të gjithë, në radhë të parë për sigurinë fizike dhe shpirtërore të qytetarëve, tani të shtetasve të Kosovës.

Ibrahim Rugova, heroi i Kosovës, jetën  e shkurtër dhe veprën e madhe e të përjetshme të të cilit po e nderojmë sot në këtë ditë përkujtimore, do të ishte i lumtur për vete dhe për të gjithë ne po ta mbërrinte këtë ditë për të gjallë të vet.

Prandaj, President i dashur, i falemi Veprës Tënde! I falemi përjetë kujtimit për Ty!

Ju falemnderit!

Presidenti i Kosovës
Dr. Fatmir Sejdiu