Delegatët e Kuvendit të 2 korrikut 1990 janë pjesë e rezistencës dhe e ndërtimit të shtetësisë së Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu sot priti delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët më 1990 shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut. Presidenti Sejdiu e vlerësoi 2 korrikun e vitit 1990 si një ditë të veçantë për Kosovën në historinë e saj të re dhe shprehu respektin e tij për Kuvendin e Republikës së Kosovës që me 2 korrik 1990 miratoi Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë e vendit.

 “Ka qenë moment i kthesës së madhe në rrethana shumë të vështira, një moment i përgjigjes së veçantë të institucionit më të lartë përfaqësues të vendit për të thënë fjalën e vet karshi gjithë asaj që i kurdisej Kosovës për zhbërje si dhe ishte artikulim i vullnetit politik të qytetarëve të saj.

Dhe janë punët e mëdha të mëvonshme që janë bërë me organizimin e referendumit të vitit 1991, me marrjen e një vendimi të veçantë një rezolutë për definimin e plotë të qenies së  Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran si Republikë dhe vendime e tjera që nuk ka qenë lehtë të merren edhe jashtë vendit”, theksoi Presidenti.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu tha se mban respektin për të gjithë njerëzit, edhe të gjallët edhe ata që janë në amshim, që kanë qenë pjesë dhe kanë dhënë kontribut për ndërtimin dhe ecjen e suksesshme të Kosovës si dhe pjesë e rezistencës dhe pjesë e ndërtimit të shtetësisë së saj.

Ndërsa, kryetari i legjislaturës së atëhershme të Kuvendit të Kosovës, Iljaz Ramajli, duke e falënderuar Presidentin Sejdiu për pritjen, tha se Presidenti me ftesën që ka bërë sot e ka kthyer kujtesën në një kohë të historisë më të re të Kosovës kur është përcaktuar orientimi kushtetues juridik për Kosovës shtet sovran dhe të pavarur.

Ai gjithashtu e falënderoi Presidentin Sejdiu për premtimin e tij se do të angazhohet për rregullimin e statusit të deputetëve të kësaj përbërjeje, si dhe e vlerësoi qëndrimin e Presidentit Sejdiu për realizimin në proces, të vendimeve të Presidentit  historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova që kanë të bëjnë me dekorimin e deputetëve të kësaj përbërjeje.

I pyetur për procesin zgjedhor në Republikën e Shqipërisë, Presidenti Sejdiu zgjedhjet në Shqipëri i vlerësoi si një hap tepër të rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë atje.

“Asnjëherë nuk është preferenca se cila parti politike duhet të fitojë sepse është çështje e elektorëve të Republikës dhe ata besoj se e kanë bërë rrugën më të mirë të mundshme se kujt duhet t’ia japin mandatin”, theksoi Presidenti.