Deklaratë për media e Presidentit të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 30 gusht 2016 - Sulmi kundër institucionit më të lartë politik në vend, Kuvendit të Republikës së Kosovës, ishte një sulm terrorist dhe kjo formë e veprimit politik është e papranueshme dhe e patolerueshme.

Dhuna politike nuk do të ketë vend në shoqërinë dhe Kosovën tonë të re, të cilën me shumë sakrificë e kemi ndërtuar.
 
I mbështes organet e rendit që të jenë të pakompromis në ndjekjen e të gjithë atyre që cenojnë në çfarëdo forme shtetin e Kosovës.
 
Për punën e tyre ato meritojnë mirënjohje nga të gjithë ne.
 
Edhe qytetarët e Kosovës meritojnë vlerësim të lartë për pjekurinë e treguar, sepse ata vazhdimisht kanë kundërshtuar dhunën si formë të veprimit politik.
 
Gjithashtu, ftoj të gjitha subjektet politike që të mos bëhen pjesë e retorikës së dhunës dhe t’i lënë interesat e ngushta politike, por të bashkohen për të mirën e përgjithshme të Republikës së Kosovës.