Deklaratë e Presidentit Sejdiu në përvjetorin e sulmit terrorist në Kullat Binjake

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, me rastin e gjashtëvjetorit të sulmeve terroriste në Kullat Binjake në Nju-Jork, dha këtë deklaratë:

Në përvjetorin e sulmit terrorist në Nju-Jork, qytetarët e Kosovës rishprehin solidarititin e plotë me SHBA-të dhe aleatët e paqes dhe të demokracisë në botë, të cilët e shpëtuan Kosovën në çastet më të vështira të historisë së saj.

Institucionet dhe mbarë populli i Kosovës, edhe në këtë përvjetor, bashkëndjejnë dhembjen dhe nderimin e thellë për të gjitha viktimat e atij akti brutal, i cili tregoi sërishmi se bota e qytetëruar e demokratike, për fat të keq, ende është e rrezikuar seriozisht nga nxitësit dhe kryerësit e krimit, të cilët nuk kanë asnjë ideal, as etikë, përveç përfitimit dhe mbjelljes së pasigurisë anekënd globit.

Edhe në këtë 11 shtator, vendi ynë i është mirënjohës përjetësisht popullit dhe Qeverisë Amerikane, që dhanë ndihmë vendimtare për Kosovën dhe po vazhdojnë të ndihmojnë për ndërtimin e së ardhmes së saj demokratike si shtet i lirë dhe i pavarur.