Deklaratë e Presidentit Sejdiu me rastin e njohjes së Republikës së Kosovës nga Mali i Zi dhe Maqedonia

Njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga dy vendet fqinje, Mali i Zi dhe Maqedonia, është një akt shumë i rëndësishëm, që do ta thellojë edhe më tepër bashkëpunimin tonë shumë të mirë me këto dy vende, si dhe do të ndikojë në forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës besojnë fuqishëm se njohja e pavarësisë sonë nga këto dy vende fqinje do të ndikojë drejtpërdrejt në përshpejtimin e procesit të integrimit të vendeve tona në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Synimet e përbashkëta për punën e suksesshme të  institucioneve demokratike, për fqinjësi të mirë dhe për integrimet euroatlantike janë themelet më të shëndosha për marrëdhëniet tona në të ardhmen.

Republika e Kosovës është e përkushtuar t’i mbajë zotimet që ka dhënë për garantimin e plotë të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të saj. Në këtë kontekst, theksojmë se përvoja e Malit të Zi dhe e Maqedonisë për krijimin e institucioneve demokratike dhe për arritjen e standardeve ndërkombëtare do të jetë shumë e dobishme për ne.

Po ashtu, dua t’ju njoftoj se unë sot kam pasur biseda të veçanta dhe shumë të përzemërta me Presidentit e Malit të Zi, z. Filip Vujanoviç dhe me Presidentin e Maqedonisë, z. Branko Cërvenkovski, të cilëve në emrin e popullit të Kosovës, të institucioneve të saj dhe në emrin tim u kam shprehur mirënjohjen dhe falënderimin tonë për njohjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Në këto biseda unë ua kam ripërsëritur atyre vullnetin tonë të plotë për marrëdhënie edhe më të gjithanshme të bashkëpunimit të mirë fqinjësor, sepse konsiderojmë se kjo është udha më e drejtë për t’i çuar përpara proceset demokratike në vendet tona dhe për ta shkurtuar rrugën tonë drejt integrimeve euroatlantike.

Mbase si koincidencë tjetër e mirë, sot u publikua lajmi se Presidenti Marti Ahtisari ka marrë çmimin “Nobel” për paqe. Duke i shprehur urimet tona për kët mirënjohje prestigjioze, por pa dyshim më se të merituar, ritheksojmë se Republika e Kosovës do t’i jetësojë me përpikëri zotimet që ka dhënë në procesin ndërkombëtar të pavarësisë së vendit tonë dhe se do të shndërrohet në një vend model të respektimit të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie, race a besimi.

Ju faleminderit!