Deklaratë e përbashkët e Presidentit dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës lidhur me Raportin e Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-Moon për vendosjen e EULEX-it

Kemi marrë në dijeni se sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka lëshuar raportin e tij për Kosovën dhe se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të takohet për ta shqyrtuar këtë raport.

Raporti mbulon, mes tjerash, të ashtuquajturin plan ‘gjashtë pikësh’ të Kombeve të Bashkuara.
 
Në deklaratën e 18 nëntorit, institucionet e Republikës së Kosovës e kanë bërë të qartë pozicionin e vet për gjashtë pikat dhe refuzimin e këtij dokumenti në tërësi. Të njejtin qëndrim refuzues e kemi edhe sot.
 
Kemi marrë në dijeni se refuzimi i gjashtë pikave nga ana e Kosovës është pasqyruar, përkatësisht përfshirë, në raportin e sekretarit të përgjishëm, ashtu si edhe Deklarata jonë e qartë se mirëpresim vendosjen e EULEX-it në tërë Kosovën, dhe do të punojmë për të lehtësuar atë vendosje.
 
Përgjigjja jonë ndaj raportit të sekretarit të përgjithshëm mbetet e njejtë. Jemi të bindur se nuk mund të lejohet implementimi i gjashtë pikave në çfarëdo mënyre që shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës. U bëjmë thirrje miqve tanë, zëri i të cilëve është dëgjuar tashmë qartë në mbrojtje të sovranitetit tonë, të sigurojnë se masat që ndërmerren për lehtësimin e vendosjes së EULEX-it të bëhen në koordinim dhe konsultim të plotë me institucionet e Republikës së Kosovës.
 
Kemi besim të plotë në miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara, në Bashkimin Europian dhe NATO, ashtu siç kemi thënë përherë. Jemi shumë të interesuar të shohim vendosjen e EULEX-it në tërë Kosovën mbi bazë të parimeve të paraqitura në Deklaratën tonë të përbashkët të 18 nëntorit, si garanci për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Kërkojmë nga Bashkimi Europian të nisë vendosjen e EULEX-it posa të jetë e mundshme nga aspekti operacional.
 
Ky është një moment në të cilin nevojitet një qasje e qetë dhe e vendosur. Çfarëdo përgjigje tjetër vetëm sa do t’i kënaqte ata të cilët dëshirojnë të provokojnë Kosovën dhe të na shohin duke vepruar në mënyrë të padinjitetshme. Nuk do t’ua japim atë kënaqësi.
 
Do të vazhdojmë të punojmë me miqtë dhe partnerët tanë për të arritur qëllimin tonë të përbashkët – vendosjen e EULEX-it në tërë Kosovën. Kërkojmë përkrahje nga i gjithë spektri politik dhe shoqëria civile në Kosovë gjersa shkojmë para me kryerjen e detyrës sonë.