Deklaratë e Ekipit të Unitetit

Me rastin e përfundimit të procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës dhe dorëzimin e raportit të treshes te sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ekipi i Unitetit ka lëshuar një deklaratë të posaçme, në të cilën thuhet:

“Për më shumë se dy vjet si Ekip i Unitetit, që ka përfaqësuar popullin e Kosovës, kemi marrë pjesë në negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës. Bisedimet e fundit të udhëhequra nga treshja ShBA-BE-Rusi, që përfundojnë më 10 dhjetor, nuk kanë sjellë asnjë rezultat të pranueshëm për Beogradin dhe Prishtinën.

Pas tetë vjet paqartësie populli i Kosovës ka nevojë urgjente për qartësi të së ardhmes së vet. Propozimi i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, z. Marti Ahtisari, duke përfshirë edhe rekomandimin e tij për pavarësi të mbikëqyrur, si dhe pakon e masave për mbrojtjen e minoriteteve të Kosovës, ofron një bazë solide për ta çuar Kosovën dhe rajonin drejt një të ardhmeje më të ndritur euroatlantike.

Mbesim të përkushtuar dhe të gatshëm që të marrim obligimet e përfshira në atë propozim. Ne, së bashku me anëtarët e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, synojmë të punojmë në koordinim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për ta zgjidhur statusin e Kosovës. Më herët para treshes kemi bërë një zotim pa kushte për të mos përdorur dhunë, kërcënime apo frikësime. Këtë përkushtim e përsërim sot edhe një herë duke u zotuar se do të bëjmë çdo gjë brenda fuqive tona për të siguruar që situata e sigurisë në Kosovë të mbetet e qetë”.