Arrin letra zyrtare e njohjes së Republikës së Kosovës nga Kosta Rika

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, ka marrë letrën zyrtare të njohjes së Republikës sonë shtet i pavarur dhe sovran nga Kosta Rika, të cilën e ka nënshkruar z.Bruno Stagno Ugarte, Ministër i Punëve të Jashtme i këtij vendi. Më poshtë po e japim tekstin e kësaj letre:

Shkëlqesia Juaj,

Kam nderin t’ju adresohem juve duke iu referuar letrës suaj të datës 17 shkurt 2008, në të cilën më keni njoftuar me Deklaratën e Pavarësisë të shpallur nga Kuvendi i Kosovës më 17 shkurt 2008.

Siç edhe e dini, Qeveria e Kosta Rikës, duke ushtruar të drejtat e saj sovrane dhe në përputhshmëri me ligjet ndërkombëtare mbi njohjen e shteteve, ka deklaruar qëndrimin e saj në favor të Pavarësisë së Kosovës nëpërmjet komunikatës për shtyp të Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme në të njëjtën ditë të deklarimit të pavarësisë duke qenë kështu shteti i parë që e njohu Republikën së Kosovës.

Në emër të shtetit tim, shpreh urimet më të përzemërta për autoritetet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për suksesin e treguar në konstruimin demokratik dhe paqësor të shtetit të pavarur të Kosovës.

Gjithashtu, shfrytëzoj këtë rast t’ju uroj ju dhe shtetit tuaj sukses të mëtutjeshëm në këtë fazë të pavarësimit dhe uroj që puna juaj të sjellë të mira për njerëzit tuaj, Qeverinë dhe gjithë rajonin.

Pranoni, Shkëlqesia Juaj, konsideratat e mia më të larta.

Bruno Stagno Ugarte,
Ministër i Punëve të Jashtme