Aktivitet i ngjeshur i delegacionit shtetëror të Kosovës në Nju-Jork

Nju Jork, 8 shtator 2010

Në kuadër të aktivitetit të ngjeshur që ka pasur këto ditë në Nju-Jork, delegacioni i Republikës së Kosovës, i përbërë nga Presidenti Sejdiu, Kryeministri Thaçi dhe Ministri i Jashtëm Hyseni, janë takuar sot me ambasadorët e vendeve të KUINT-it, me qëllim të bashkërendimit të plotë të qëndrimit para mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila pritet të mbahet nesër.

Në këtë takim, Presidenti Sejdiu, Kryeministri Thaçi dhe Ministri Hyseni ritheksuan falënderimin e popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për mbështetjen e përhershme që vendet anëtare të pesëshes i kanë dhënë Kosovës. Ata, gjithashtu, shprehën besimin se këto vende do të përkrahin Kosovën edhe në sfidat e mëtejme me të cilat përballet vendi ynë në rrugën e integrimeve të pakthyeshme euroatlantike.

Delegacioni i Kosovës edhe një herë e kundërshtoi nismën e Beogradit zyrtar për të paraqitur një projekrezolutë në Asamblenë e Përgjithshme, duke theksuar se pas mendimit shumë të qartë të GJND-së, kjo është tërësisht joproduktive.

Ndërsa, pasdite, Presidenti Sejdiu dhe ministri Hyseni u takuan me ambasadorët e shteteve të Organizatës së Konferencës Islamike nga të cilët morën konfirmimin se kjo organizatë do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në të gjitha institucionet dhe forumet ndërkombëtare, me qëllim që Republika e Kosovës sa më parë të integrohet plotësisht në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë konfirmoi fuqishëm se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ndaj ne presim që vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë, ta bëjnë këtë sa më parë”, tha Presidenti Sejdiu.

Rastrin i Kosovës, siç e ka thënë edhe Presidentit Ahtisaari, është i veçantë dhe s’mund të krahasohet asnjë rast tjetër. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që ta zbatojnë në tërësi planin e Presidentit Ahtisaari, theksoi Presidenti Sejdiu.

Duke ua rikujtuar ambasadorëve të kësaj organizate se Republika e Kosovës është njohur nga 70 shtete anekënd botës, Presidenti Sejdiu pohoi se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me të gjitha vendet fqinje dhe të rajonit dhe është e interesuar të ketë bashkëpunim të mirë ndërfqinjësor edhe me Republikën e Serbisë, në interesin e mirëqenies së qytetarëve të të dyja vendeve. Porse, vijoi ai, ne nuk do të pranojmë të bisedojmë asnjëherë për çështje të tilla që prekin statusin dhe sovranitetin e Kosovës, apo edhe rregullimin e brendshëm siç pretendon Serbia.

“Kosova është vend demokratik i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë përpara ligjit. Ajo u ka dhënë garanci të plota kushtetuese të gjitha pakicave kombëtare të saj, të cilat, me përjashtim të një pjese të pakicës serbe, janë të integruara në jetën institucionale të vendit dhe kontribuojnë për ndërtimin e vendit”, tha Presidenti Sejdiu.

Duke ripërsëritur thirrjen për njohje të shtetit të Kosovës drejtuar shteteve anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike që ende nuk e kanë njohur Kosovën, Ministri Hyseni ka rikujtuar kualifikimin e bërë nga Presidenti Ahtisaari se rasti i Kosovës është rast i veçantë dhe nuk mund të shërbejë si precedent për raste të tjera. Ky konstatim, ka thënë Ministri, është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila ka vënë në spikamë rrethanat faktike dhe ligjore që e bëjnë Kosovën rast të veçantë, dhe të cilat janë të aplikueshme vetëm në rastin e Kosovës. Pas një elaborimi të detajuar të kontekstit historik dhe faktik që e ka diktuar krijimin e shtetit të Kosovës, Ministri ka thënë se, njohja e shtetit të ri do t’i ndihmonte jo vetëm prosperitetit dhe të ardhmes së Kosovës dhe të rajonit, por edhe vetë Republikës së Serbisë.

Ministri Hyseni ka folur edhe për konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës. Në këtë kontekst, Ministri Hyseni ka vënë theksin, përveç njohjeve, edhe te vendosja e marrëdhënieve diplomatike me një numër të madh shtetesh, nënshkrimi i shumë marrëveshjeve ndërkombëtare dhe funksionalizimi i rrjetit diplomatik dhe konsullor të Republikës së Kosovës, duke u shprehur se, nuk ka asnjë mënyrë që kjo gjendje të kthehet mbrapa. 

Po ashtu, delegacioni i Kosovës pati një takim edhe me drejtuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.