UD i Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi flet për zgjedhje të parakohshme

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka deklaruar BBC-së se klima politike e krijuar në Kosovë imponon, sipas tij, mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend.

Arbër Vllahiu i BBC-së zhvilloi bisedën me zotin Krasniqi dhe fillimisht e pyeti nëse e ka të vështirë tani që të kryejë dy detyra si kryetar i Kuvendit dhe tani si president i vendit.

Krasniqi:
Po sigurisht. Detyra ime e fituar pas zgjedhjeve është detyra e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe detyra e dytë që momentalisht kam është një detyrë që vjen si pasojë e dorëheqjes së presidentit të Republikës së Kosovës dhe në këto raste Kushtetuta parasheh që detyrën e presidentit të Kosovës, në një afat deri në gjashtë muaj duhet ta ushtrojë kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

BBC: Ju besoni se do ta mbani këtë post në këtë gjashtë muajsh të ardhshëm?

Krasniqi:
Dëshira ime është që në radhë të parë, thjesht, të mos vërehet vakumi institucional, të mos krijohet krizë institucionale dhe që në bisedat që do të zhvillojmë me partitë politike, në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë me partitë e koalicionit të gjejmë një gjuhë të përbashkët që kjo zgjidhje të jetë sa më e shkurtër dhe në një afat sa më të shkurtër të mundshëm.

I gjithë angazhimi im do të jetë mbi bazën e Kushtetutës, mbi bazën e afateve që i parasheh Kushtetuta dhe mbi bazën e një marrëveshjeje që do të duhej të arrihej, fillimisht, mes partnerëve të koalicionit të deritashëm, por edhe të subjekteve të tjera politike nëse koalicioni qeverisës nuk e gjen gjuhën e përbashkët.

BBC: Ju e përsëritët një qëndrim se nuk do të lejoni krijimin e një boshllëku institucional. Por megjithatë është krijuar një lloj krize politike në vend pas dorëheqjes së presidentit.

Krasniqi:
Është një e vërtetë e madhe se vetë dorëheqja e presidentit, me një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese, ka shkaktuar të themi, një lloj krize të vogël, por një krizë që është paraparë edhe me Kushtetutë.

Megjithëse Kushtetuta jonë nuk i zgjidh më së miri këto situata dhe në këtë rast ndoshta shihen disa mangësi dhe dobësi që i ka Kushtetuta dhe në të ardhmen e afërt mendoj se duhet të ndryshohet.

BBC: Më falni, të ndryshohet çka? Një pjesë e Kushtetutës?

Krasniqi:
Të ndryshohet, në këtë rast, mendoj se dy janë defekte të paraqitura.

E para, neni i cili parasheh se presidenti nuk mund të ushtrojë dy detyra realisht varianti i fundit i Kushtetutës si projekt ka qenë që presidenti i Kosovës duhet të jap dorëheqje jo vetëm nga pozita e udhëheqësit të subjektit politik por edhe nga anëtarësia e këtij subjekti.

Si duket me një marrëveshje kjo ka ndryshuar dhe unë mendoj se ajo pjesë duhet të rikthehet.

Një çështje tjetër është se mandati pesëvjeçar i presidentit duhet të jetë mandat pavarësisht se sa njerëz do ta ushtronin atë.

Edhe ky është defekt kushtetutes. Ndoshta po të ishte përcaktuar se mandati që mbetet duhet të vazhdohet, jo me mandat 5 vjeçar por mandati i mbetur ndoshta do të ishte arritur një marrëveshje më e e lehtë mes subjekteve politike dhe vetë koalicionit.

BBC: Ju thatë se jeni në bisedime me partitë politike dhe së shpejti do të zhvilloni konsulta edhe me dy partitë në koalicion. Po kërkoni një kandidat konsensual për kryetar apo një kandidat jo partiak?

Krasniqi:
Të them të drejtën për këtë çështje ende nuk kemi biseduar për faktin se PDK dhe në veçanti LDK, nuk ka qenë e gatshme këtyre ditëve të bisedojë për këto çështje.

Por për të zhvilluar një aktivitet politik dhe për të parë dhe biseduar edhe me partitë politike që janë në Kuvend unë kam filluar të kem kontakte.

Kam patur fillimisht kontakte me partitë politike që janë në Parlament edhe ato të opozitës.

Kemi biseduar kryesisht për gjendjen e krijuar dhe për të gjetur një rrugë të përbashkët për të dalë nga kjo situatë nëse, gjithnjë nëse, partnerët e koalicionit nuk e vazhdojnë marrëveshjen që e kanë patur.

BBC: Pra, ju druani se partnerët e koalicionit mund ta prishin atë?

Krasniqi:
Realisht nuk mund të them me siguri, por derisa gjatë këtyre ditëve nuk ka patur gatishmëri për biseduar edhe kjo mund të jetë në horizont.

Unë, megjithatë, pasi të bëj disa bisedime me partitë politike që janë në Kuvendin e Republikës së Kosovës unë do të kërkoj që të takohem edhe me kryetarin e tashëm të LDK-së dhe sigurisht edhe me kryeministrin që kemi, e që vijmë nga e njëjta parti, që të shoh se cilat janë gatishmëritë e tyre.

Apo ndoshta gatishmëria e tyre është për të shkuar në zgjedhje të reja. Ndoshta mjedisi që është krijuar sikur imponon zgjedhje të parakohshme por, problemi qëndron në faktin se sa kohë do të shfrytëzohet për përgatitjen e tyre dhe sa janë institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për të kryer detyrat dhe obligimet që ju jep ligji dhe Kushtetuta.

BBC: Jeni ju presidenti që do të shpallni zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, po them këto të parakohshme?

Krasniqi:
Nëse partitë politike të koalicionit nuk e gjejnë gjuhën e përbashkët ndoshta unë do të jem ai që do të shpall, mbi bazën e Kushtetutës, këto zgjedhje, meqë vullneti dhe dëshira ime është që të ketë një proces normal edhe në zgjedhjen e presidentit, i cili pastaj do të vazhdonte punën dhe do t’i shpallte zgjedhjet sipas ligjit dhe në kohë normale e të rregullt.

BBC: Kjo do të thotë se marrëdhëniet mes PDK-së dhe LDK-së janë përfundimisht të ngrira?

Krasniqi:
Tani për tani nuk ka patur kontakte. Mund të ketë patur kontakte individuale, por kontakte zyrtare mes krerëve të dy partive politike nuk ka patur, por unë pres që gjatë këtyre dy ditëve të realizohen ato.

BBC: Zoti kryetar më lejoni t’ju pyes, a mundet kjo krizë, siç e quajtët ju, "krizë e vogël politike" në vend, të ndikojë në shtyrjen e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit për çështjet teknike të përgatitura nga BE-ja?

Krasniqi:
Nëse shkojmë drejt zgjedhjeve mendoj se duhet të pritet krijimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e lira dhe nga vota e qytetarëve të Kosovës për të marrë përgjegjësinë dhe për të bërë atë dialog ose bisedime. Mendoj se për një kohë do të shtyhen këto bisedime.

BBC: Pra nuk ka dialog me Beogradin pa e zgjidhur çështjen edhe të koalicionit qeverisës, por edhe të presidentit të Kosovës?

Krasniqi:
Unë mendoj se duhet të bëhen zgjedhjet dhe pastaj me institucione të qëndrueshme të shkohet drejt bisedimeve edhe me Serbinë, por edhe me të gjitha vendet e tjera.

BBC: Dhe t’i kthehem edhe njëherë çështjes kryesore. Në bazë të asaj që dëgjova, Kosova duket se po ecën drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Krasniqi:
Janë krijuar shumë premisa që çojnë në atë drejtim.